Gjatë ditës së djeshme, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka takuar deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiu, nga i cili ka kërkuar ndihmë për sigurimin e vaksinave.
Lajmin e ka bërë të ditur deputeti Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
“Takimi kishte për qëllim shqyrtimin e ofertës dhe kontakteve me akterët që mund të na ndihmojnë në sigurimin e vaksinës Pfizer, të cilat kontakte ia kam dërguar ministrit me email para dy ditësh”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Ky takim nxiti reagimi të shumta, ku ministri Vitia u kritikua shumë shkaku që pranojë të bashkëpunoj me opozitën, madje kishte edhe aludime se Vitia nuk kishte përkrahje nga kryeministri Kurti për sigurimin e vaksinave anti-covid.
Njohësi i çështjeve politike, Adem Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar takimin e zhvilluar në mes ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia dhe deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, takim i cili nxiti shumë reagime.
Bytyçi tha se ky takim la për të nënkuptuar se pozita është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën.
Mirëpo, sipas tij, zhurmat për këtë takim erdhën si pasojë se disa opozitarë nuk i kanë lëshuar ethet e humbjes së zgjedhjeve të fundit parlamentare.
“Ky takim i ministrit Vitia jep për të kuptuar se pozita dëshiron të bashkëpunojë me opozitën për çështjet me interes për vendin.
Qëndrimi i opozitarëve tjerë kundër këtij bashkëpunimi tregon se disa opozitarë akoma nuk i kanë lëshuar ethet e humbjeve të zgjedhjeve të fundit të parakohshme”, deklaroi ai.
Tutje, analisti tha se është e domosdoshme që pozita të bashkëpunojë më opozitën për interesa të vendit, kurse në qoftë se subjektet opozitare refuzojnë një gjë të tillë ato të bien edhe më shumë në zgjedhjet e ardhshme.
“Me patjetër duhet të bashkëpunojnë pozitë - opozitë kur bëhet fjalë për interesa imediate për vendin.
Në qoftë se disa parti të opozitës refuzojnë bashkëpunimin me pozitën për interesat madhore të vendit, përkrahja e tyre nga qytetarët do të bie edhe më shumë dhe shpresa e tyre për një fitore të zgjedhjeve në të ardhmen do të venitet edhe më shumë”, theksoi Bytyçi.
Në fund, analisti Bytyçi tha se mungesa e bashkëpunimit të pozitës dhe opozitës mund të sjellë edhe stagnim në rrugën e shtet ndërtimit të vendit.
“Edhe pozita edhe opozita duhet ta kuptojnë definitivisht se nëse nuk bashkëpunojnë për realizimin e interesave të qytetarëve dhe për të forcuar pozitën ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, realizimi i shumë proceseve me rëndësi për të ardhmen e shtetit të Kosovës, do të stagnojnë dhe rruga në përfundimin e shtet ndërtimit të Kosovës do të jetë edhe më e gjatë”, përfundoi Adem Bytyçi.