“Populli i Kosovës me sy e mendje kah Qeveria Kurti” – Të kota ‘vërsuljet’ e opozitës ndaj kryeministrit

Politika

“Populli i Kosovës me sy e mendje kah Qeveria Kurti” – Të kota ‘vërsuljet’ e opozitës ndaj kryeministrit

Nga: A.Morina Më: 23 prill 2021 Në ora: 22:39
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Qeveria e re e Kosovës, në krye me kryeministrin Albin Kurti tash e disa javë ka qenë cak i kritikave dhe akuzave të ndryshme nga subjektet opozitare.

Fillimisht u kritikua për vizitën në Shqipëri dhe mbështetjen e hapur që ua dha kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Pastaj, për vendosjen e masave anti-covid dhe tani për uljen e shtesave të pensionistëve.

Duke parë, mobilizimin e subjekteve politike kundër kryeministrit Albin Kurti, vetëm mund të presim, se cilat do të jenë akuzat e radhës.

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar kritikat dhe akuzat që po i bëhen kryeministrit Albin Kurti, nga partitë opozitare.

Ai tha se këta zëra kritikues të opozitës (PDK, LDK e AAK) do t’i merr era në veshin e shurdhër të qytetarëve të Kosovës.

Image
Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi

“Të gjitha vërejtjet, kritikat propagandistike të partive opozitare ndaj qeverisë së Albin Kurtit do ta kishin vlerën atëherë kur të kalonte një periudhë e qeverisjes 100 ditëshe e më shumë të Kurtit, për ndryshe zërat kritikues të PDK-së, LDK-së e AAK-së do i merr era në veshin e shurdhër të qytetarëve të Kosovës”, deklaroi profesori.

Mehazi ia bëri me dije subjekteve opozitare se nuk mund të ngriten politikisht, nëse vazhdojnë të veprojnë e flasin me eufori politike ndaj Qeverisë Kurti. Ai i sugjeroi këto parti që fillimisht të heshtin dhe të analizojnë punën e qeverisë së re.

“Nëse duan të ngriten politikisht, pas humbje së thellë që ua dha popullata, opozita duhet të përdor mençuri e jo eufori politike ndaj qeverisë së Kurtit. Në fillim duhet të heshtin, të presin e të vërejnë punën e qeverisë, të shohin pakënaqësitë e qytetarëve e pastaj të reagojnë e protestojnë. Detyra e opozitës është të bëhet roje e qytetarëve të pakënaqur, në fillim revolta ndaj qeverisë së Kurtit të del nga qytetarët e më pas këtë revoltë ta shprehin partitë opozitare”, theksoi ai.

Tutje, profesori i vlerësoi këto kritika të palogjikshme, të kota dhe të pakoordinuara me masën e gjerë. Ai përmendi edhe faktin se qytetarët e Kosovës janë në pritje të veprimeve shpresëdhënëse të qeverisjes së Kurtit e jo ndaj kritikave të opozitës.

“Për ndryshe janë të palogjikshme e të pa arsyeshme kritikat, qortimet, protestat pa përkrahjen e qytetarëve votues. Të kota janë kritikat vetanake të pakoordinuara me masën e gjerë, pasi me mendje e sy populli i Kosovës është i përqendruar kah qeveria e Kurtit e jo nga partitë opozitare, qytetarët e Kosovës janë në pritje të veprimeve shpresëdhënëse të qeverisjes së Kurtit e jo ndaj kritikave të opozitës”, nënvizoi Mehazi.

Në fund, ai e bëri një krahasim figurative krahas kritikave të Qeverisë Kurti.

“Pra, figurativisht e themi, nuk mund të kritikohet nusja e sapo martuar, aq sa qeveria e Kurtit e sapo krijuar dhe e formuar”, përfundoi Sulejman Mehazi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat