Presidenti amerikan Joe Biden i ka dërguar letër urimi me rastin e zgjedhjes në postin e presidentes, Vjosa Osmanit.
Në letrën e dërguar nga Biden mund të shohim se ai do të punojë me presidenten Osmani në prioritetet e shumta e sidomos me ndihmën për sigurimin e vaksinave, përcjell “Bota sot”.
Biden poashtu ka thënë në letër se ShBA-ja mbështet vazhdimin e dialogut me Serbinë i cili duhet të përfundojë me marrëveshjen për njohjen reciproke.
Në lidhje me këtë temë, analisti politik Gani Qarri për “Bota sot”, u shpreh se presidenti Biden është i lidhur shpirtërisht me Kosovën dhe kjo na lë të shpresojmë që do të arrihet një marrëveshje e mirë për Kosovën, ku nuk cenohet vendi ynë.
Sipas Qarrit, me presidentin Biden nuk do të merren parasyshë nënshkrimet e marrëveshjeve që dikur i ka bërë Thaçi me Mustafën për ta dëmtuar vendin.
“Presidenti Biden përveç që e njeh mirë gjendjen në Ballkan, ai ka qenë gjithmonë mbështetës i pasionuar i Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi, ai me Kosovën,është i lidhur edhe shpirtërisht, ndaj kjo duhet çmuar shumë dhe shfrytëzuar me kujdes, për arritjen e një marrëveshje sa më të mirë për Kosovën, ku nuk cenohet rregullimi i brendshëm shtetëror,si krijimi i ndonjë të ashtuquajture "republika srpska" shkaku i nënshkrimeve të Thaçit dhe Isa Mustafës për asociacionin serb me kompetenca ekzekutive, me 2013 nga Thaçi dhe 2015 nga Isa Mustafa në Bruksel, apo edhe ndarja e Kosovës, sipas pazareve të kuislingut Thaçi me kriminelin serb Aleksandër Vuçiq”, u shpreh analisti.
Njohësi i çështjeve politike vazhdon të thotë se koordinimi me Biden për dialogun me shtetin e Serbisë do të i jep sukses vendit tonë duke sugjeruar që Kurti dhe Osmani të i jepin prioritet dialogut.
“Ky fakt e bënë të pranueshme edhe një lëvizje të përshpejtuar të Qeverisë së re, si dhe arsyeton aktin, që edhe në këtë kohë pandemie, në koordinim me z. Joe Biden dhe SHBA-të, ti jepet një prioritet i arsyeshëm dialogut, të cilin ne nuk mund ta diktojmë as qojmë vet përpara me sukses pa ndihmën dhe mbështetjen e gjithanëshme të miqve tanë më të mirë që kemi pas ndonjëherë ne botë, SHBA-të”, theksoi Qarri për “Bota sot”.