Javë më parë, Presidenti amerikan Joe Biden i ka dërguar letër urimi me rastin e zgjedhjes në postin e presidentes, Vjosa Osmanit.
Në letrën e dërguar nga Biden theksohet se administrata e Biden do të punojë me presidenten Osmani në prioritetet e shumta e sidomos me ndihmën për sigurimin e vaksinave, shkruan “Bota sot”.
Biden po ashtu ka thënë në letër se ShBA-të mbështesin vazhdimin e dialogut me Serbinë, i cili duhet të përfundojë me marrëveshjen për njohjen reciproke.
“ShBA-të do të vazhdojnë t`i mbështesin përpjekjet për sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe dialogut produktiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfundimisht marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim, e cila besojmë se do të duhej të përqendrohej në njohjen reciproke”, thuhet në letrën e Biden dërguar Presidentes Osmani”.
Padyshim që kjo letër ngjalli reagime të mëdha në vend, përveç që u dha një shpresë për Kosovën, mbështetja e vazhdueshme që shteti i Amerikës ka për Kosovën, lë të kuptohet se dialogu nuk do të ketë një marrëveshje finale që do ta dëmtojë vendin.
Së fundmi ka reaguar edhe eksperti amerikan Alon Ben Meir i cili ka komentuar letrën e presidentit të SHBA-ve, Joe Biden dërguar presidentes Osmani, në të cilën ai shpreh lidhjen e veçantë të tij me Kosovën si dhe bën thirrje për rifillim të dialogut me Serbinë.
Ben Meir ka thënë se Kosova duhet të jetë e vetëdijshme për rëndësinë e marrjes së një letre të tillë nga presidenti i SHBA-ve, aq më shumë ku Biden përmend lidhjen e tij të veçantë me Kosovën.
Pra sipas ekspertit amerikan, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti nuk mund ta injorojnë thirrjen e Bidenit për dialog, përcjell “Bota sot”.
Ai ka shtuar se Kosova duhet ta përdorë këtë mundësi për të marrë mbështetje të drejtpërdrejtë nga SHBA-të në procesin e dialogun.
Kujtojmë që gjendja pandemike në Kosovë po vazhdon të jetë e rëndë dhe kjo ka bërë që qeveria Kurti të ketë fillimisht prioritet shëndetin e qytetarëve e më pas të flitet për dialogun me shtetin e Serbisë.
Mirëpo njohësit e çështjeve politike për “Bota sot”, thonë se “presionin” që qeveria po vazhdon të ketë për rifillimin sa më shpejtë të dialogut, do të ndikojë që dy shtetet shumë shpejtë të ulen në tavolinë për arritjen e një marrëveshje finale, për njohje reciproke.
Qarri: Thirrja e ekspertit amerikan për rifillim të dialogut mbështetet në letrën e Biden për Osmanin
Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se presidenti i Amerikës është njëri ndër miku më i afërt i shqiptarëve.
Sipas tij, edhe thirrja e ekspertit amerikan, Alon Ben Meir për ta shfrytëzuar këtë mundësi nga presidenti amerikan tregon se Kosova mbanë mardhënie të mira me SHBA-të, mirëpo edhe me shtetet e zhvilluara të BE-së.
Këtu përmendet edhe lidhja shpirtëtore që Biden ka me Kosovën.
“Presidenti i ri i SHBA-ve, z. Joe Biden është dashamiri më i madh dhe miku më i sinqertë i Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve, ndaj fitorja e tij për president të SHBA-ve, ishte fitore edhe e Kosovës, ngase vetëm zgjedhja president e z. Joe Biden, shpëtoi vendin tonë nga ndarja që po shënonte aktet e fundit të para-siglimit, si dhe pritet të zgjidh edhe shumë probleme të mbetura të cilat për gjithë këto vite mundojnë Kosovën, sidomos në procesin e padrejtë dhe të pabarabartë të bisedimeve me Serbinë, e cila që nga fillimi ishte tejet agresive dhe shumë arrogante në raport me Kosovën. Madje për fatin e mirë të Kosovës, presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, përveç se ka mbështetur gjithmonë shqiptarët, ai gëzon përkrahje shumë të fuqishme edhe nga shtetet më të zhvilluara të BE-së, e sidomos në Gjermani por edhe në Francë e Holandë, ndaj falë marrëdhënieve të mira që ai ka me vendet e BE-së, edhe liberalizimi i vizave për Kosovën dhe rrugëtimi i saj drejtë integrimit evropian, do të jetë shumë më i lehtë, apo ndoshta edhe i plotësisht i sigurt. Ndaj ashtu siç shprehet edhe profesori dhe eksperti amerikan për Ballkanin, Alon Ben Meir, presidenti i ri i SHBA-ve, Joe Biden përveç marrëdhënieve të forta me Ballkanin, ai ka lidhje të ngushta familjare dhe shpirtërore me vet Kosovën, djali madh i të cilit shërbeu një kohë në Kosovë, ndërsa pas vdekjes së tij, një nga rrugët kryesore të kryeqytetit-Prishtinës, është nderuar me emrin e djalit të z. Biden, ndaj edhe kjo do të ndihmojë, sado pak në zgjidhjen sa më të drejtë të problemit mes Kosovës dhe Serbisë”, është shprehur Qarri.
Më tej, analisti përmend letrën që presidenti Biden i dërgoi presidentes Osmani e që cek se kjo do të thotë që Kosova ka një përkrahje të Amerikës në këtë dialog.
Gjithashtu Qarri, përmend edhe kontributin që Biden ka bërë për Kosovën para se të bëhej president i Amerikës.
“Javë më parë vet presidenti i Amerikës, Joe Biden i ka dërguar letër presidentes Osmani duke uruar për marrjen e detyrës së presidentes së vendit dhe shpresuar që sa më shpejtë të rifillojë edhe dialogu me Serbinë, për arritjen e marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes reciproke, pas më tepër se 10 vitesh bisedime të pa efekt, ndërmjet dy vendeve. Joe Biden, edhe në fillim të fushatës zgjedhore për president në SHBA, i ishte drejtuar me një̈ letër komitetit shqiptaro-amerikan me të cilën u ofronte mbështetjen e tij të pa rezervë shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipëri. Joe Biden, është njëri nga personalitetet më të larta amerikane i cili në të gjitha kohët dhe pozitat politike që mbante, qysh kur ishte ende senator deri në vitin 2009,e ka përkrah dhe mbështetur gjithmonë Kosovën, pavarësinë e saj dhe gjithë popullin shqiptar. Kështu që, siç ka nënvizuar edhe profesori Alon Ben Meier, Biden përveç se ka vizituar Ballkanin vazhdimisht, ne e dimë mirë se ai mjaft shpesh ka vizituar edhe vet Kosovën, madje interesimi dhe vizitat e tij bërë Kosovës, datojnë qysh në mesin e viteve të 70-ta, ndaj dhe i di shumë më mirë se cilido politikan i lartë amerikan problemet e dy dekadave të fundit që rëndojnë mbi Kosovën”, ka thënë Qarri.
Letra e Biden për presidentin Osmanit, shpresë për një të ardhme të sigurt
Tutje, analisti thekson që letra e Biden për Osmanin është një shpresë për qytetarët e vendit për tu ndjerë të sigurt në këtë vend që e ka rënduar Thaçi me nënshkrimin e marrëveshjeve që ishin në dëm të Kosovës.
“Adresimi më i ri i z. Joe Biden drejtuar presidentes së vendit z. Vjiosa Osmani, është lajmi i mirë për ne si vend dhe popull, si dhe shpresa më e madhe për të ardhmen e sigurt të Kosovës, sidomos në situatën e rëndë e gati të pa rrugëdalje, në të cilën e ka katandisur atë, Thaçi me sejmenët e tij, tash e mbi një dekadë, në bisedimet e pabarabarta me Serbinë, ku vendi ynë, jo vetëm se nuk është trajtuar, asnjëherë si shtet, por dhe janë nënshkruar marrëveshje të rënda kundër kushtetuese si asociacioni një etnik serb, që e bënë shumë sfidues dhe tepër të vështir, rifillimin e dialogut me Serbinë okupatore. Ndaj edhe eksperti amerikan Alon Ben Meir, me të drejtë bënë thirrje për shfrytëzimin e ardhjes së mikut të shqiptarëve, z. Joe Biden në krye të SHBA-ve, dhe rifillimin te dialogut e përmbylljen sa më të shpejtë të bisedimeve me Serbinë̈ duke shtuar që është̈ privilegj për Kosovën të merr letër nga presidenti Biden”, ka deklaruar Gani Qarri për “Bota sot”.
Krasniqi: Kurti dhe Osmani do e vënë prioritet dialogun me shtetin e Serbisë
Njohësi i çështjeve politike, njëherësh avokati i shtetit, Islam Krasniqi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh se SHBA-të janë të interesuara që sa më shpejtë të fillojnë dialogun me shtetin e Serbisë.
Sipas analistit, letra e Biden kërkoi që qeveria urgjentisht të fillojë përgatitjet për rifillimin e dialogut.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të interesuar që sa me parë të fillojë dialogu në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë duke kërkuar nga z.Kurti dhe znj. Osmani që dialogun ta kenë prioritet. Presidenti i SHBA-së në letrën e urimin e dërguar presidentes së Republikës së Kosovës kërkojë që qeveria t’i bëjë përgatitjet dhe urgjentisht të fillojë dialogun pasi që dëshiron ta mbyll këtë proces, mirëpo edhe ne duhet shfrytëzuar miqësinë me SHBA-të dhe Presidentin Biden, i cili është i familjarizuar me Republikën e Kosovës dhe popullin shqiptar dhe i cili na përkrah dhe do të na ndihmojë pa kushte”, u shpreh Krasniqi.
Analisti gjithashtu potencon se kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani do ta pranojnë këtë këshillë nga presidenti Biden, duke i dhënë prioritet dialogut.
“Unë besoj së z.Kurti dhe znj. Osmani do të pranojnë këshillën e Presidentit Joe Biden duke i dhënë prioritet dialogut për një zgjidhje apo arritje të një marrëveshje finale me njohje reciproke”, ka deklaruar Islam Krasniqi për “Bota sot”.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti ka udhëtuar në Bruksel, ku do të zhvillojë takime me zyrtarët e lartë të BE-së.