Fillimisht u raportua në media, por tashmë edhe zyrtarisht, Veton Surroi dhe Blerim Shala do të jenë pjesë e ekipit të Kosovës në dialogun me Serbinë.
Surroi dhe Shala janë angazhuar në cilësinë e ekspertëve. Kjo është bërë e ditur nga Grupi për Ballkan (BPRG).
“Ekspertët e angazhuar deri më tani janë: Bernard Nikaj, Leon Malazogu, Robert Muharremi, Muhamet Mustafa, Veton Surroi. Së shpejti grupit të ekspertëve, pritet t’i bashkohet edhe Blerim Shala. Ekspertë të tjerë mund të ftohen dhe angazhohen varësisht nevojave të qeverisë dhe dinamikës së procesit të dialogut”, thuhet në njoftimin e Grupit për Ballkan.
E pasi Veton Surroi u bë pjesë e dialogut, analisti politik, Faton Mehmeti hedh dyshime ndaj Surroit.
“Vetoni, fillimisht ka qenë kundër ndarjes , tani mbetet për tu parë se mos ka ndryshuar qëndrim. Kjo të bën me dyshu kur kihet parasysh se mediumi i tij ka publikuar dokumentin i cili pasqyron ndarjen, apo një lloj autonomie”, thotë Mehmeti.
Më tej, Mehnmeti deklaron se kryeministri, Albin Kurit duhet të ketë kujdes me personat që i merr në ekipin e tij për dialog.
“Kështu që, është mirë që Veton Surroi të sqarojë pozicionin e tij, dhe në anën tjetër kryeministri Kurti të ketë kujdes me njerëz që dërgon për bisedime. Dua të besoj se kryeministri Kurti ka parasysh edhe përfoljet për lidhjet e Vetonit me burimet serbe, e të cilat janë shumë me rëndësi me u sqarua”, shprehet analisti Mehmeti për “Bota sot”.
Për fund, Mehmeti hedh dyshime edhe ndaj Blerim Shalës, të cilin e quan njeri të Hashim Thaçit.
“Kështu që, besoj se Kosova duhet të paraqitet me njerëz më të denjë dhe më të devotshëm në bisedime me Serbinë. Personalisht dyshoj tek Surroi, ashtu si edhe tek Blerim Shala, njeriu i afërt i Thaçit. Në këtë logjikë, Kosova duhet të ketë shumë kujdes. Lajmi për ftesën e Albinit për Vetonin më ka ardhur si surprizë, të cilën nuk e prisja, kur dihet se edhe nuk kanë pasur qëndrime shumë të përafërta në të kaluarën”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.