Kërkohet nga PDK të kërkojë falje për dëmet që i shkaktoi Kosovës

Politika

Kërkohet nga PDK të kërkojë falje për dëmet që i shkaktoi Kosovës

Nga: A.Z Më: 29 prill 2021 Në ora: 22:34
PDK

Lëvizja Vetëvendosje i hapi rrugë me vota që të ndahen 11 milionë euro nga buxheti i Kosovës për të paguar rrymën e serbëve në veri të vendit. 

Por, anëtari i kryesisë së PDK-së, njëherësh Kryetar i Komisonit Parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala ka thënë se “me këtë vendim të pushtetit të ri, po dëmtohet direkt buxheti i shtetit dhe i cili shkon në kurrizë të qytetarëve të Kosovës”.

Lidhur me këtë analisti politik, Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se Qeveria Kurti duhet të ndryshojë këtë logjikë, sepse sipas tij, përmes kësaj po dëmtohet buxheti i shtetit të Kosovës, por në të njëjtën kohë edhe diskriminim.

“Qeveria e Republikës së Kosovës në krye me Albin Kurtin duhet të ndryshoj këtë logjikë e, jo të vazhdohet të dëmtohet qytetarët shumicë të Republikës së Kosovës me politika diskriminuese. Zyrtarët e vetëvendosjes kanë qenë më të zëshmit me kritika për politika publike që kanë diskriminuar qytetarët e Republikës së Kosovës pa dallim, saktësisht çështjen në fjalë e kanë kritiku në vazhdimësi. Gjykoj se është e rrugës që të ndryshohet kjo qasje, pasi po dëmtohet buxheti i shtetit të Kosovës, por njëkohësisht po ndodh një diskriminim i pashembullt, pasi taksat e qytetarëve tatim pagues po shkojnë për një pjesë të qytetarëve të Kosovës, të cilat kanë kontribut minimal në buxhetin e shtetit”, ka theksuar Ahmeti.

Sipas Ahmetit, e gjithë kjo ka filluar nga PDK-ja, prandaj nuk kanë të drejtë të flasin për këtë çështje, por duhet të kërkojnë falje për dëmet që i kanë shkaktuar shtetit të Kosovës.

“Mendoj se PDK-ja më së paku ka të drejtë të flasë për këtë çështje, pasi kjo traditë është instaluar nga po këta njerëz dhe nuk mundet brenda pak muajve të ndryshohet kjo gjendje e trashëguar nga keqqeverisja e tyre. Prandaj, zyrtarët e PDK-së është mirë të kërkojnë falje për gjithë dëmet që kanë shkaktuar shtetit të Kosovës dhe të fillojnë të mendojnë në kontekstin konstruktiv si opozitë parlamentare, pasi logjika e tillë nuk mund të shpërlajë të këqijat e tyre që kanë instaluar në institucionet publike”, përfundoi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat