Dialogu Kosovë-Serbi larg finalizimit, këto janë qëllimet dhe përfitimet personale të Josep Borrellit 

Politika

Dialogu Kosovë-Serbi larg finalizimit, këto janë qëllimet dhe përfitimet personale të Josep Borrellit 

Arife Morina Nga Arife Morina Më 30 prill 2021 Në ora: 08:56
Josep Borrell

Ditë më parë, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell tha se pret që sa më shpejt të arrihet një marrëveshje për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë, sado e vështirë që të duket arritja e saj.  

Këto komente Borell i bëri të hënën gjatë një konference të përbashkët në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.  

Ai u shpreh i bindur se dialogu do të vazhdojë në muajin maj, me një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Vuçiq. 

“Po bëjmë çmos për të vazhduar dialogun dhe shpresoj se më 11 maj një takim”, tha Borrell. 

 “Vlerësoj përkushtimin e presidentit Vuçiq për dialogun me Prishtinën për të arritur deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese. Pres arritjen sa më të shpejtë të marrëveshjes, pa marrë parasysh vështirësitë”, u shpreh Borrell.  

Mirëpo, menjëherë zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu e mohoi se kryeministri i vendit ka marrë ftesë nga ndonjë zyrtar i Bashkimit Evropian për takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq. 

Goditjen e fundit, kësaj ftese të përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell ia dha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili refuzoi takim me Aleksandër Vuçiqin. 

Siç duket, Josep Borrellit nuk do t'i funksionojë plani për finalizimin sa më të shpejtë të dialogut Kosovë-Serbi. 

Madje, edhe njohësit e integrimeve evropiane dhe analistët politik u shprehen skeptik se një gjë e tillë mund të ndodhë shpejtë. Kjo, për shkak se sipas tyre bisedimet vazhdojnë të jenë në një stad tejet të ulët.  

Voca: Këto janë aktet që Serbia duhet t’i kryej nëse dëshiron marrëveshje përfundimtare me Kosovën 

Njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot”, tha se gjasat për një marrëveshje të shpejtë mes Prishtinës dhe Beogradit, siç ka potencuar Josep Borrell, mund të arrihen vetëm nëse Serbia pranon realitetin dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës. 

 

Image
Mirsad Voca

Voca përmendi edhe disa aktet të domosdoshme të cilat duhet t’i kryej Serbia, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje me Kosovën. 

“Gjasat që të arrihet një marrëveshje janë vetëm nëse Serbia pranon realitetin dhe pajtohet me njohjen e Kosovës. Natyrisht, paraprakisht Serbia duhet të kryejë disa akte të domosdoshme. Ajo duhet të zbardh rastin e personave të zhdukur, të kryejë aktin e dëmshpërblimeve dhe të kërkojë falje për ndërmarrjet gjenocidiale ndaj popullit të Kosovës sepse në vitin 1999 shumica e popullit të Kosovës ishte përdhunuar dhe përndjekur. Shumica e popullit, të cilës u ishin marrë dokumentet identifikuese për t’i djegur, ishte detyruar nga forcat paramilitare e militare të braktis Kosovën”, deklaroi ai. 

Tutje, njohësi i Integrimeve Evropiane, u shpreh se detyrimet të cilat i ka Serbia ndaj Kosovës, për vrasjen, dhunimin, masakrimin e grave, burrave dhe fëmijëve gjatë luftës së fundit, assesi nuk duhet anashkaluar. 

“Qindra mijëra shtëpi ishin djegur, me dhjetëra mijëra gra ishin dhunuar, e mijëra fëmijë, pleq e gra ishin masakruar. Kjo nuk mund të quhet ndryshe përveç se akt gjenocidial i kryer nga pushteti serb i asaj kohe, individë të të cilit pushtet i kemi edhe sot në krye të politikës e pushtetit serb. Prandaj, detyrimet që ka Serbia ndaj Kosovës nuk mund dhe duhet assesi të anashkalohen dhe janë një “Sine qua Non” për tu arritur një marrëveshje stabile dhe afatgjate për një fqinjësi paqësore, me një frymë demokratike pro-perëndimore”, theksoi ai. 

Në vazhdim, Voca potencoi se Josep Borrell vetëm mund të imagjinoj se mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë, nëse shteti serb nuk i realizon aktet e përmendura më lartë. 

“Borrell mund të imagjinojë çfarëdo, mirëpo pa u realizuar këto akte të lartpërmendura nga Serbia, nuk mund të flitet njëmend për çfarëdo detyrimesh tjera apo për cilëndo marrëveshje gjithëpërfshirëse. Pasi që Serbia të kryejë këto akte të domosdoshme që ndërlidhen edhe me çlirimin e saj nga një e kaluar e saj hegjemoniste e gjenocidiale, ajo duhet ta njohë edhe Kosovën shtet të pavarur sepse nuk ka alternativë tjetër që premton paqe afatgjate në rajon”, nënvizoi ai. 

Në fund, njohësi i Integrimeve Evropiane deklaroi se modeli i shtetit të Kosovës është më i avancuari në rajon sepse Kushtetuta e saj përqafon modelin e një shteti multietnik dhe heterogjen, elemente që shtetet e rajonit nuk i kanë. 

Madje, ai tha se Kosova i ka dhënë të drejta edhe më shumë se që duhet komunitetit serb, sa që sipas tij, çdo vend tjetër në Evropë do  t’i refuzonte çdo minoriteti të drejta të tilla.  

“Kosova do të duhej të zotohet përmes një marrëveshje detyruese që të përmbush dhe respektojë të gjitha të drejtat e minoriteteve e sidomos atij serb siç parashihet edhe me Kushtetutën e saj. Modeli i shtetit të Kosovës është më i avancuari në rajon sepse Kushtetuta e saj përqafon modelin e një shteti multietnik dhe heterogjen, elemente që shtetet e rajonit nuk i kanë. Mbi bazën e këtij modeli, Kosova tashmë detyrohet që të gjitha komunitetet të konsiderohen të barabarta dhe me të drejta të njëjta. Kosova madje, përtej modelit të saj mjaftë të hapur dhe heterogjen, i ka dhënë minoritetit serb të drejta shtesë të cilat po t’i kërkonim ndonjë shteti anëtar të BE-së, apo dhe vendit nga vjen dhe vet Borrell, jam i bindur se vendi i tij do t’i refuzonte çdo minoriteti të drejta të tilla”, përfundoi Mirsad Voca. 

Mehazi flet për përfitimet e Borrellit dhe Lajçakut në kurriz të dialogut, ja qëllimet e tyre 

Edhe profesori dhe njohësi i çështjeve politike Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me gazetën “Bota sot” komentoi ftesat e Kosovës për normalizimin e raporteve me Serbinë. 

Image
Sulejman Mehazi

Mirëpo, sipas tij, ftesat më të besueshme për normalizim të marrëdhënieve në mes dy shteteve janë nga administratat amerikane e gjermane, dhe jo nga misionarët e dialogut Kosovë-Serbi, Josep Borrell e Miroslav Lajçak.

“Ftesat për një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës e Serbisë si asnjëherë më parë po vijnë nga çdo anë, si nga SHBA-ja e BE-ja, sa kjo përpjekje e ndërkombëtarëve do jetë serioze do shihet në të ardhmen e afërt. Më shumë të vlefshme e të besueshme për normalizimin e dy shteteve fqinje janë ato të administratës amerikane e gjermane se sa të misionarëve të dialogut Kosovë-Serbi, Josep Borrellit dhe Lajçakut, deklaratat e tyre për një marrëveshje përfundimtare janë bërë bajate e të pa besueshme për qytetarët e Kosovës”, deklaroi Mehazi. 

Në vazhdim, profesori përmendi faktin që Borrell e Lajçak vijnë nga dy shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, siç janë Spanja dhe Sllovakia. Mehazi tha se qëllimi i këtyre dy misionarëve është zgjatja sa më shumë e dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë të përfitimit personal të fondeve të majme, nga BE. 

“Dihet e është e qartë se Borrelli vinë nga shteti që nuk e ka njohur Kosovën, Spanja. Detyra e Borrellit dhe Lajçakut është jo për të kryer punë, po për të zgjatur sa më shumë dialogun me Serbinë, sa më shumë të zgjatet ky dialog aq më shumë BE-ja të ju lëshojë fonde të majme për të fituar vetë ata e kurrsesi Kosova. Siç e dimë afër dy milionë euro ka lëshuar BE-ja për të dy përfaqësuesit e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Borrellit dy milionë euro dhe Lajçakut  dy milionë euro vetëm për 2021”, theksoi ai. 

Sipas Mehazit, deklaratat e Borrellit për normalizimin e dialogut me Serbinë, janë vetë fraza të kota, me qëllim të zvarritjes së këtij dialogu. 

“Ky fond katër milionë eurosh na detyron të mendojmë se ky dialog do zgjatet deri sa Borrel e Lajçaku t'i harxhojnë gjatë këtij viti për ta zgjatur dhe më dialogun për fonde të majme të 2022-shit. Shkurt e qartë, deklaratat e Borrellit për normalizimin e dialogut me Serbinë janë fraza të përhershme papagajsh për zvarritje të dialogut me Serbinë”, përfundoi profesor Sulejman Mehazi, përcjell “Bota sot”. 

Ahmeti: Njohja reciproke është një frazë politike që brenda vetës nuk ka asgjë të vërtet 

Ndërsa, analisti politik, Hidajet Ahmeti qasjen e institucioneve të Kosovës, ndaj dialogut me Serbinë e ka cilësuar si të mbrapshtë. 

 

Image
Hidajet Ahmeti

Kjo pasi, sipas tij, Serbia ka vazhduar me politikës e saj ndaj Kosovës, duke shpërfaq logjikën e dhunës, kërcënimit e shantazhit. Ahmeti përmendi edhe faktin se Serbia para finalizimit të dialogut, duhet të kërkoj falje për vrasjet, masakrat, dhunën dhe të pagjeturit në luftën e fundit në Kosovë. 

“Dialogu Kosovë-Serbi është dëshmuar se ka qenë një qasje e mbrapshtë nga institucionet e Republikës së Kosovës, duke  fuqizuar Serbinë në raport ndërkombëtarë e duke gjunjëzuar Kosovën karshi Serbisë.  

Shteti serb duhet të jetë konstruktiv në procesin e dialogut, pasi raportet e mira ndër fqinjësore janë kusht për procesin e anëtarësimit në BE. Gjuha e kërcënimit  nuk i ndihmon logjikës së dialogut në mes shteteve, por as së ardhmes së popujve të të dyja vendeve. Politika hegjemoniste serbe nuk ka ndryshuar  karshi Kosovës, pasi Serbia në vazhdimësi  po shpërfaqë logjikën e dhunës, kërcënimit e shantazhit. Në njërën anë, Serbia duhet të bëjë kërkim falje për vrasjet, masakrimet, dhunën sistematike, dëmet materiale dhe të pagjeturit e jo të zgjedhë rrugën kërcënimit”, deklaroi ai. 

Analisti u shpreh skeptik Serbia do ta njeh Kosovën, për shkak se që bisedimet nuk janë në stadin për të cilën spekulojnë krerët shtetëror. Madje, ai tha se janë disa çështje shumë të hapura të cilat kërkojnë kohë dhe strategji në mënyrë që të përmbyllet qëllimi final i dialogut. 

“Shtetet ndërkombëtare  do ta bëjnë të pamundurën  në forma të ndryshme për ta bindur Serbinë që ta njohë Kosovën si shtet , por në realitetin faktik politik njohja reciproke është një frazë politike që brenda vetës nuk ka asgjë të vërtet, pasi që bisedimet nuk janë në stadin për të cilën spekulojnë krerët shtetëror. Me shtetin serb ka shumë çështje të hapura të cilat kërkojnë kohë, por mbi të gjitha ne si shtet duhet të kemi një strategji për dialog, e cila brenda vetës do kishte objektiva  të qarta dhe qëllimin final”,  nënvizoi Ahmeti. 

Krejt në fund, analisti politik potencoi se qytetarët e Kosovës po dezinformohen nga deklaratat për njohjen e Serbisë, me qëllim të ikjes  nga përgjegjësia institucionale që kanë. 

“Me këto deklarata për njohje reciproke po dezinformohen qytetarët e Kosovës  duke u munduar që të shpërqendrojnë qytetarët  nga problemet reale dhe njëkohësisht të ikin nga përgjegjësia institucionale që kanë. Gjykoj se  pa strategji për dialog dhe një ekip uniteti e profesionistësh, Kosova si shtet nuk mund të përfaqësohet me nder e përgjegjësi, pasi Serbia vepron më logjikën e kërkesave të mëdha për të fituar pak, e të cilat kërkesa dëmtojnë substancën e parimeve të shtetit modern”, përfundoi Hidajet Ahmeti. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat