Gjatë ditëve të fundit, në Kosovë temë kryesore e diskutimit ka qenë ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e cila përmes një deklarate për Gjykatën Speciale, nxiti shumë reagime.
Dihet se një nga ‘armiqtë’ kryesor të ministres Gërvalla është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e cila ka lëshuar akuza dhe kritika, madje edhe ka organizuar protesta kundër Donika Gërvallës.
Mirëpo, ajo çfarë befason më shumë në këtë temë është indiferenca dhe mos reagimi i LDK-së, ndaj akuzave të ish-pjestarës së saj, Gërvalla. Pas dihet, se Gërvalla ishte pjesë e LDK-së për një kohë të gjatë, por pas thirrjes së saj për reforma dhe shkaku i kundërshtimit të hapur ndaj kryetarit të atëhershëm, Isa Mustafa, ajo u tërhoq zvarrë nga salla e kuvendit.
Analisti nga Gjermani, Idriz Zeqiraj ka komentuar qëndrimet e LDK-së ndaj Donika Gërvallës dhe Vjosa Osmanit dhe dhe ndikimin e këtyre të fundit në reformimin e kësaj partie.
Zeqiraj në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli edhe për degjenerimin e partive politike në Kosovë dhe braktisjes së votimit të fshehtë demokratik.
“Partitë politike në Kosovë, kanë degraduar deri në degjenerim. Ato i janë kthyer mënyrës zgjedhore të monizmit. Pra, kanë braktisur votimin e fshehtë demokratik, duke e zëvendësuar me deklamacionin, respektivisht, me votimin fiktiv, të rrejshëm, mashtrues. Qëllimi është, thjeshtë, karrierist, vazhdimi i sundimit, pa u provuar me votë zgjedhore të mirëfilltë”, deklaroi ai.
Gjithashtu, analisti rikujtoi kohën kur klani i ish-kryetarit Isa Mustafa gjatë Kuvendit Zgjedhor të LDK-së, në maj të 2015, ua mbyllen derën delegatëve të Degëve të LDK-së nga Gjermania dhe Zvicra, të cilët donin ndryshimin, reformat në LDK.
“Delegatët e Degës të LDK-së në Gjermani, të prirë nga kryetarja Donikë Gërvalla, në Kuvendin e 8-të Zgjedhor të LDK-së, më 25 maj 2015, kërkonin ta kthenin demokracinë e brendshme partiake. Por, klani Mustafa, që e drejtonte partinë, si në kohëra të largëta, para Plenumit të IV-të të PKJ, të ishullit kroat Brione, pra, në epokën e zezë të Rankoviçit, ua mbylli derën delegatëve të Degëve të LDK-së nga Gjermania dhe Zvicra, të cilët donin ndryshimin, reformat në LDK. Po në atë Kuvend Dr. Vjosë Osmani, kërkoi votim ndryshe. Si përgjigje, u përjashtua nga konkurrenca e ndershme, për kryetare të LDK-së! Dhe u largua nga Kuvendi farsë!”, theksoi ai.
Zeqiraj nuk harroi ta përmend edhe rastin kur Donika Gërvallën e tërhoqën zvarrë nga salla e kuvendit të LDK-së.
Mirëpo, ai u shpreh se me bashkimin e Donika Gërvallës dhe Vjosa Osmanit në vjeshtë të 2020, erdhi edhe ndryshimi i shumëpritur në LDK.
“Një vit më vonë, kryetaren Donikë Gërvalla e tërhoqën zvarrë, duke e nxjerrë nga salla, ku mbahej Konventa e LDK-së.
Dr. Vjosë Osmani nuk hoqi dorë nga qëllimi i saj, për ta nxjerrë partinë e Dr. Rugovës, nga bataku, ku e kishin katandisur butakët klanorë, humbës serikë të të gjitha zgjedhjeve lokale e qendrore, për 17 vite radhazi!
Vjeshta 2020 dhe pranvera 2021, trandi LDK-në. Protagoniste Vjosa, të cilës iu bashkua edhe Donikë Gërvalla. Zgjedhjet e 14 shkurtit, edhe pse dramatike, sollën ndryshimin e shumëpritur në LDK. Mbetemi në pritje të reformave brenda-partiake”, potencoi analisti.
Pas kësaj, ai e ndërlidhi situatën brenda LDK-së sa ishte kryetar Isa Mustafa, me situatën e tanishme në PDK.
Zeqiraj u shpreh se PDK me veprime të tilla po ngulfatë demokracinë e vendit. Mirëpo, paralajmëroi se “shtrëngata Vjosa-Donika” ka trokitur në dyert e partie ekstreme të PAN-it.
Bëra këtë parantezë për LDK-në, duke qenë delegat i 4 (katër) Kuvendeve radhazi, për të ardhur tek PDK-ja. E njëjta ngufatje e demokracisë. Dhe, po të bëhen zgjedhje të mirëfillta demokratike, pra, me votë fshehtë, asnjëri nga kryetarët aktual, nuk do të ishin në krye të subjekteve të tyre politike.
Shtrëngata Vjosa-Donika ka trokitur edhe në portat e partive, ekstremisht, të majta të PAN-it. PDK-ja pa Hashimin e Kadrinë, është sa e çakorduar, po aq edhe e liruar. Të frymëzuar nga ajo që ndodhi në LDK, duan ndryshimin. Por, bllokohen me votimin e aklamativ, i cili është bërë - si burri i nënës - (njerku), njësoj si Isa, dikur, për anëtarësinë e LDK-së!
Në fund, ai tregoi në detaje qëllimet që PDK-ja po tenton t’i arrijë përmes Donika Gërvallës. Madje, Zeqiraj tha se disa pjesëtarëtë PDK-së edhe pse çirren për liderët e burgosur, realisht, ata mezi kanë pritur prangosjen e tyre, për t`ua zënë vendin.
“E ndodhur në këtë krizë, PDK-ja mezi ka pritur "aferën" Gërvalla, për të nisur zhurmimin, sa artificial, aq edhe idiotesk. Qëllimi është largimi i vëmendjes, nga pakënaqësia, për degradimin, madje, me fund, të partisë. Edhe pse çirren për liderët e burgosur, realisht, ata mezi kanë pritur prangosjen e tyre, për t`ua zënë vendin. Përndryshe, ishin të pashpresë personifikimi, ngritje në pozita.
Jemi dëshmitarë të një skene, të rrugaçërisë ekstreme, të disa deputetëve të PDK-së, më 7 maj. Çjerrjet artificiale, flasin për mjerimin e këtij subjekti, fort të inkriminuar. Ata janë turpi, jo vetëm i partisë së tyre, por, edhe i parlamentit të Kosovës. Përgjatë një seance kuvendare, anëtari i Bundestagut gjerman, nga partia e Merkelit, vite më parë, deklaronte me shqetësim, se "Parlamenti i Kosovës ka 27 deputetë kriminelë!"”, përfundoi Idriz Zeqiraj.