Eksperti i politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit Richard Caplan, ka komentuar deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, se një fuqi e madhe së shpejti do të fillojë të kërkojë zyrtarisht tërheqjen e forcave të KFOR-it dhe tërheqjen e UNMIK-ut nga Kosova.
Sipas Caplan, vendimin për mbylljen e UNMIK-ut e merr Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Por, profesori britanik thotë se Rusia nuk do ta jepte miratimin e saj për një vendim të tillë, pasi do të zvogëlohej ndikimi i saj në rajon.

“Unë nuk jam në dijeni të ndonjë iniciative për mbylljen e UNMIK-ut ose tërheqjen e KFOR-it nga Kosova. Vendimi për mbylljen e UNMIK-ut i nënshtrohet miratimit të Këshillit të Sigurimit të KB, të cilin Rusia nuk do ta jepte. Pa një prani të KB në Kosovë, ndikimi i Rusisë në rajon do të zvogëlohej”, ka thënë Richard Caplan në një prononcim për gazetën “Bota sot”.
Ai nuk e përjashton mundësinë që NATO të tërheq trupat e saj nga Kosova në të ardhmen, por jo aktualisht.
“NATO mund të tërheqë trupat e saj në një moment në të ardhmen, por nuk ka asnjë provë që po mendon për një veprim të tillë në këtë kohë. Prania e KFOR-it shihet gjerësisht se kontribuon në stabilitetin”, është shprehur Caplan për “Bota sot”.
Të premten, teksa i është përgjigjur Vuçiqit, zëdhënësja e UNMIK-ut Sanam Dolatshahi, ka thënë se ndryshimet në Misionin e Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) kërkojnë vendimin e Këshillit të Sigurimit.
Presidenti serb në deklaratën e tij para gazetarëve në Beograd, nuk ka treguar se për cilin vend bëhet fjalë, por ka thënë se informacionet i ka nga “burime zyrtare”.
“Kemi marrë informacione se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë një kërkesë zyrtare për tërheqjen e KFOR-it dhe UNMIK-ut [nga Kosova]. Do të përpiqem të flas me Stoltenbergun për të bërë gjithçka të mundur që kjo të mos ndodhë”, ka thënë Vuçiq të enjten./BS