Njëra ndër çështjet me të rëndësishme njëkohësisht edhe më të ndjeshme, me të cilën po përballen momentalisht institucionet e Kosovës, është dialogu me Serbinë, i nisur në vitin 2011 por që akoma nuk ka arritur qëllimin final – normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Pavarësisht që bisedimet mes dy shteteve vazhdimisht kanë qenë në ecuri, arritja e një marrëveshje po del të jetë sfidë në vete.
Kosova nuk lëshon pe ndaj kërkesave të Serbisë dhe anasjelltas, shkruan “Bota sot”.
Tashmë në tavolinën e bisedimeve është kryeministri Kurti, i cili edhe kërkoi bashkëpunimin e opozitës në këtë aspekt.
Ajo e cila u gjend në gatishmëri është LDK, që theksoi që do të jetë e gatshme të kontribuojë në dialogun për Kosovën me Serbinë.
Ishte nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, e cila ditë më parë konfirmoi se LDK-ja do të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi, nëse marrin një ftesë të tillë nga Qeveria e Kosovës.
“Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë pjesë e procesit, sepse ne jemi pjesë e opozitës në parlamentin e Kosovës dhe në kuadër të kësaj do të bëjmë atë që kërkohet nga opozita, pra që të mbikëqyrë punën e Qeverisë. Natyrisht që të jemi pjesë e debateve të ndryshme diskutimeve, të japin edhe vlerësimet tona sa i përket këtij procesi”, ka thënë Mjekiqi në një konferencë për media.
Mirëpo pa kritikuar programin e qeverisë nuk mbeti nënkryetarja, ajo theksoi që qeveria nuk ka paraqitur parime me dialogun me Serbinë.
“Qeveria nuk paraqet parimet në dialogun me Serbinë, që sipas Lidhjes Demokratike duhet të përfundojë me njohje reciproke të dyja vendeve, në kufijtë aktualë, pa cenuar rregullimin kushtetues të vendit”, ka thënë ajo.
Njohësit e çështjeve politike për “Bota sot”, lavdëruan veprimin e LDK-së, duke u shprehur se është një veprim i drejtë dhe i duhur njëkohësisht.
Ata gjithashtu iu bëjnë thirrje edhe partive tjera opozitare të marrin pjesë pasi që duhet të lënë anash inatet politike dhe të shikojnë interesat e vendit.
Krasniqi: Pjesëmarrja e LDK-së në dialogun Kosovë-Serbi, veprim i duhur nga ana e tyre
![Image](/media/botasot.info/images/2021/May/19/auto_islam-krasniqi1621404422.jpg)
Analisti politik dhe njëherësh avokati i shtetit, Islam Krasniqi, në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se vendimi i LDK-së për të marrë pjesë në dialogun me Serbinë është një hap i rëndësishëm dhe i drejtë, që tregon se LDK i bashkohet pozitës për të bashkëpunuar rreth dialogut dhe për këtë arsye Kurti duhet t’i bëjë ftesën sa më shpejt.
“Është shumë e rëndësishme deklarata e nënkryetares së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, pasi që forcat politike duhet të bashkohen për t’i dhënë një epilog dialogut, i cili kishe dalë nga binaret apo më mirë të themi jashtë kontrollit. Kryeministri aktual z. Kurti duhet sa më parë të dërgojë ftesën edhe LDK-së që të hartojnë një platformë të mirë e cila tregon edhe kufijtë së deri ku mund të negociojnë apo deri në cilën pikë mund të arrijnë, e jo të sjellin marrëveshje siç është fusnota apo asociacioni apo edhe strukturat paralele të cilët i akomoduan në buxhetin e shtetit përmes një marrëveshje të nënshkruar në Bruksel”, u shpreh analisti.
Sipas tij, bashkimi i klasës politike në vend mund të sjellë një marrëveshje në dialogun me Serbinë.
“Çdo fillim ka edhe një fund besoj që edhe dialogut duhet t'i vije fundi dhe bashkimi apo uniteti i klasës politike në vend mund të sjell një marrëveshje, e cila besoj që do të jetë e pranueshme për qytetarët e vendit”, theksoi Krasniqi për “Bota sot”.
Bytyçi: Partitë e tjera të opozitës duhet të veprojnë si LDK, të bashkëpunojnë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë
![Image](/media/botasot.info/images/2021/May/19/auto_auto_auto_auto_nese_do_te_kishte_Cmim_Nobel_per_sakrifice_per_liri_ai_do_tYi_takonte_Adem_Jasharit_dhe_familjes_se_tij1583581758158367595015838314871621404426.jpg)
Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Adem Bytyçi, në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka thënë se pjesëmarrja e LDK-së në dialogun me Serbinë është një qëndrim i drejtë dhe tregon se është e gatshme të bashkëpunojë me pozitën kur në pyetje janë interesat e vendit.
“Pjesëmarrja në dialog me Serbinë është një qëndrim i drejtë i LDK-së, por kjo nuk do të thotë se LDK është e gatshme për një bashkëpunim të sinqertë me pozitën në të gjitha fushatë tjera me rëndësi për vendin. Jo vetëm LDK, por edhe subjektet tjera politike në opozitë kur janë në pyetje interesat për vendin duhet t'i tejkalojnë ndasitë dhe interesat partiake edhe sa i përket rifillimin të negociatave Kosovë- Serbi, duhet të flasin me të njëjtën gjuhë”, tha analisti.
Ndër të tjera, ai shton se partitë politike duhet të marrin pjesë në këto negociata me Serbinë dhe nuk duhet të refuzojnë ftesën e kryeministrit në mënyrë që ta ndihmojnë vendin për integrimet Euro-Atlantike.
“Nëse partitë politike në opozitë bojkotojnë pjesëmarrjen e tyre në negociata me Serbinë, duke e refuzuar ftesën e Kryeministrit për pjesëmarrje, nuk e kryen një obligim të rëndësishëm kushtetues përkitazi me një të ardhme të rëndësishme të vendit sa u përket integrimeve Euro- Atlantike dhe anëtarësimin e Kosovës”, potencoi Bytyçi.
Nga ana tjetër, analisti thotë se opozita ka detyrime kushtetuese dhe nuk duhet të sillet në kundërshtim me interesat madhore të vendit dhe se opozita po ashtu duhet të bashkohet me pozitën në mënyrë që të kthejnë besimin e qytetarëve që e humbën më 14 shkurtit.
“Në institucioneve të rëndësishme ndërkombëtare. Opozita ka detyrime Kushtetuese nuk mund të sillet në kundërshtim me interesat madhore të vendit , sepse në raste të tilla është një opozitë destruktive e cila humb besimin e qytetarëve dhe shpresa për t'iu kthyer përsëri qeverisjes së vendit do të jetë e pa realizueshme”, ka deklaruar Adem Bytyçi për “Bota sot”.