Kur po afrohen zgjedhjet lokale, po vazhdojnë largimet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
E vet Haradinaj lidhur me këto largime ka thënë se po lirohen ata që nuk po mund të jenë plotësisht të përkushtuar për AAK-në.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, gjatë kësaj kohe, fokusimin kryesor dhe energjitë e saj i ka të orientuara për zgjedhjet komunale të radhës. Dhjetëra profesionistë të të gjitha fushave, përpos ekspertizës, duke shpërfaqur edhe vullnet për punë, do të garojnë në këto zgjedhje komunale. Organizimi i brendshëm i Aleancës, mbështetet në kuadrot që kanë gatishmëri e vullnet për angazhim. Ata të cilët për arsye të ndryshme nuk po mund të jenë plotësisht të përkushtuar, po lirohen nga përgjegjësitë që kanë në parti. Atyre u jemi mirënjohës dhe falënderues për kontributin, qoftë edhe vetëm njëditor, në realizimin e qëllimeve të përbashkëta”, ka thënë Haradinaj.
Por pas këtyre largimeve, analisti politik, Faton Mehmeti po e paralajmëron shuarjen e AAK-së.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/May/19/auto_auto_auto_55555555555555555555555555555153174345415487725121621451656.png)
“S’ka asgjë që e pengon shuarjen e AAK-së, koha e së cilës ka mbaruar më 14 shkurt. Largimet e fundit nga kjo parti shpërfaqin shkatërrimin e kësaj partie te cilës po i rrënohen themelet e saj”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.
Sipas tij, AAK nuk mund të mbijetojë më në skenën politike në Kosovë.
“Largimet e vazhdueshme janë pasojë e shterimit të kontributit te saj për vendin. AAK-ja nuk ka kauzë të saj e cila do të mund ta mbante në skenën tonë politike, në këtë kuptim shuarja e saj është proces i pandalshëm”, shprehet Mehmeti.
Ndërkohë edhe Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar se do të mbahet Kuvendi i ri zgjedhor, ku pritet të zgjidhët kryetari i ri kësaj partie.
E analisti Mehmeti paralajmëron largime edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.
“Poashtu edhe në PDK pritet të ketë largime pas zgjedhjes së kryetarit të ri, i cili thuhet se do të zgjidhet në qershor. Forca mbështetëse ndaj partive të krahut të luftës duket se është në rënie të pandalshme”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti politik, Faton Mehmeti.