Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën (me 17 maj) mori pjesë në takimin me liderët e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të procesit që njihet si samiti “Brdo-Brijumi” në Slloveni.
Ajo që tërhoqi më shumë vëmendje në këtë samit, është përballja e presidentes Osmani me presidentin serb Vuçiq, pasi dihet se edhe së shpejti pritet rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi.
Takimi filloi me në një atmosferë të tensionuar, pasi ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani e anëtarit boshnjak të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Shefik Gjaferoviq ndodhën disa replika me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
Mediat serbe raportuan se tensionimi i situatës filloi pasi pjesëmarrësit në samit morën iniciativë në fillim për të miratuar disa konkluzione sipas të cilave kufijtë në rajon janë të pandryshueshëm.
Përveç që Osmani ia bëri të qartë Vuçiqit se ideja për ndryshim të kufijve ka ‘vdekur’, ajo nuk e humbi mundësinë që para presidentëve të tjerë të shteteve të Ballkanit, t’ia përplas për ‘fytyre’ krimet e kryera nga Millosheviqi dhe shteti serb, në Kosovë gjatë viteve të 90’ta.
Në fjalën e saj në Samitin e presidentëve të rajonit në Brdo-Brijun, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se është e nevojshme pranimi i së vërtetës për atë që ka ndodhur në rajon.
“Kur flasim për atë se çfarë ndodhi në të vërtetë me viktimat, të mbijetuarit, të zhdukurit nga luftërat. Dhe më e rëndësishmja, kur flasim mbi atë se pse nuk janë prapa hekurave autorët e këtyre krimeve të neveritshme të kryera nga regjimi i Millosheviqit. Përtej detyrës sime si Presidente e qytetarëve të Republikës së Kosovës, është detyrë morale dhe njerëzore e imja të flas të vërtetën mbi atë se çfarë ka ndodhur në vendin tonë. Krimet e kryera nga regjimi i Millosheviqit t’i quajmë me emrin e tyre të vërtetë: Krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Dhe, më e rëndësishmja është të kërkojmë nga fqinji ynë verior, Serbia, të sjellë para drejtësisë autorët e këtyre krimeve të tmerrshme kundër civilëve të pafajshëm”, ka potencuar Presidentja Osmani.
Analistët politik në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot” e vlerësuan lartë paraqitjen e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit në samitin “Brdo-Brijumi” në Slloveni.
Ata u shprehën se Osmani e ‘goditi’ rëndë Vuçiqit, me përmendjen e së kaluarës kriminale të shteti serb dhe me konfirmimin se me ndryshimin e politikës në Kosovë, ideja për shkëmbimin e territoreve ka vdekur.
Halili: Presidentja Osmani ‘goditje’ presidentit serb s’ka ndryshim kufijsh në Ballkan!
Njohësi i çështjeve politike dhe njëherësh anëtari i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në SHBA, Nijazi Halil në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli për takimin e mbajtur në mes presidentëve të Ballkanit Perëndimor.
Halii përmendi edhe tensionimin dhe replikat e presidentes Osmani me presidentin Vuçiq.
“Takimi i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor brenda procesit “Brdo-Brijun”, i cili u mbajt sot në Slloveni, ishte zhvillua në një atmosferë të tensionuar në fillim, me këmbimin e disa replikave ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani e anëtarit boshnjak të Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Shefik Gjaferoviq me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq”, deklaroi ai.
Tutje, analisti tha se me përmendjen e krimeve të Millosheviqit dhe shtetit serb gjatë luftës së fundit në Kosovë, Osmani ia dha një goditje të fuqishme Vuçiqit.
Sipas tij, presidentja e Kosovës e bëri një detyrë morale dhe njerëzore, që foli për të vërtetën që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë.
“Presidentja e Kosoves, Vjosa Osmani i dha një goditje te fuqishme Aleksander Vuqiq, duke theksuar me se e nevojshme është pranimi i së vërtetës për atë që ka ndodhur në rajon.
Pastaj për atë se çfarë ndodhi në të vërtetë me viktimat, të mbijetuarit, të zhdukurit nga luftërat, dhe më e rëndësishmja, kur flasim mbi atë se pse nuk janë prapa hekurave autorët e këtyre krimeve të neveritshme të kryera nga regjimi i Millosheviqit. Përtej detyrës si Presidente e qytetarëve të Republikës së Kosovës, ishte detyrë morale dhe njerëzore e Osmanit të flas të vërtetën mbi atë se çfarë ka ndodhur në vendin tone”, theksoi anëtari i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në SHBA.
Tutje, Halili potencoi se një nga gjërat më të kryesore që bëri presidentja Osmani, është kërkesa ndaj Serbisë, për të sjellë para drejtësisë autorët e krimeve të tmerrshme kundër civilëve të pafajshëm, gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Presidentja, Osmani ju kishte drejtuar te pranishmeve edhe për krimet e kryera nga regjimi i Millosheviqit t’i quajmë me emrin e tyre të vërtetë: Krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Dhe, më e rëndësishmja është të kërkojmë nga Serbia, të sjellë para drejtësisë autorët e këtyre krimeve të tmerrshme kundër civilëve të pafajshëm”, nënvizoi ai.
Në fund, analisti e përmendi edhe diskutimin mbi çështjen e ndryshimit të kufijve dhe kundërshtimin e Osmanit për këtë temë.
“Pas përfundimit të Samitit të presidentëve të rajonit Brdo-Brijun, nikoqirët e këtij takimi kanë dhënë detaje se çka është diskutuar në takim. Kundërshtimi për ndryshim të kufijve dhe mbështetja për vazhdimin e dialogu Kosovë-Serbi, ishin nga çështjet që janë diskutuar”, përfundoi Nijazi Halili.
Krasniqi: Vjosa Osmani ia bëri të qartë Aleksandër Vuçiqit se politika në Kosovë ka ndryshuar
Ndërsa, analisti politik, Islam Krasniqi tha se presidentja Osmani edhe njëherë i tregoi Vuçiqit se politika në Kosovë ka ndryshuar.
Krasniqi për gazetën “Bota sot” u shpreh se Vjosa Osmani në samitin e mbajtur në Slloveni e bëri të qartë se ideja për ndryshimin e kufijve ka vdekur, me zgjedhjen e saj, presidente.
“Takimi i presidentëve të rajonit në Slloveni edhe njëherë i tregoj presidentit serb Vuçiqit, se ka ndryshuar politika në Republikën e Kosovës dhe se ëndrra e tij për lëvizje kufijsh tani më është vdekur dhe se nuk duhet të shpresoj më nga kjo ide e shpenzuar”, deklaroi ai.
Tutje, analisti e vlerësoi lartë paraqitjen e presidentes Osmani në samitin e Brdo-Brijunit, duke thënë se ajo ia ‘përplasi’ fuqishëm të kaluarën kriminale të shtetit të tij, Vuçiqit.
“Paraqitja e saj në samitin e Brdo-Brijunit, ishte e shkëlqyeshme e cila e përfaqësoj me dinjitet të lartë vendin tone, ku edhe njëherë presidentit serb ja shfaqi të kaluarën kriminale të shtetit të tij që ka shkaktuara në Ballkan”, theksoi Krasniqi.
Në fund, ai potencoi se duke folur për krimet e Millosheviqit ndaj shqiptarëve të Kosovës, presidentja Osmani ia dha një ‘goditje’ të rëndë presidentit serb Vuçiq, para rifillimit të negociatave Kosovë-Serbi.
“Presidentja Osmani duke folur për perspektivën e BE-së dhe marrëdhënieve fqinjësore në rajon i tregoj Vuçiqit se nuk mund të kalohet në kapitujt vijues përpara se të lexohen dhe kuptohen plotësisht kapitujt e mëparshëm, gjithashtu është edhe detyrë morale dhe njerëzore e imja të flas për krimet e Millosheviqit ndaj popullit tim, duke i treguar se kriminelët duhet të marrin dënimin e merituar, e që kjo do të jetë një goditje për presidentin serb para rinisjes së dialogut”, përfundoi Islam Krasniqi për gazetën “Bota sot”.