Ambasadorët e vendeve të QUINT-it kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës, e cila udhëheqet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që ta respektojë vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit.
“Një provë kryesore e vendosmërisë së tij do të jetë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në maj 2016 mbi regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit”, thuhet në komunikatën e përbashkët të ambasadorëve të QUINT-it.
Lidhur me këtë, juristi Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, e quan vendim kolonial, dhe pa karakter ligjor, sepse sipas tij, Manastiri ka marrë tokat e qytetarëve duke shtuar pronësi të paligjshme.
Kelmendi thotë se në këtë aspektë duhet të punohet në ripërsëritjen e gjykimit dhe në ngritjen e padisë para Gjykatës Evropiane në Strasbug.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pronën e Manastirit në Deçan është vendim kolonial. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në vitin 2016 është tipik kolonial dhe nuk ka fare karakter ligjor në thelbin e vetë të arsyeshmërisë gjoja juridike. Me atë vendim është marrë toka e qytetarëve shqiptare dhe të komunës dhe iu ka dhënë në pronësi Manastirit. Kjo formë e veprimit juridik mbështetet në bazën koloniale dhe si e tillë duhet të kundërshtohet dhe kurrsesi mos të lejohet ekzekutimi. Manastiri ka marrë tokën e qytetarëve deçanas dhe të komunës, dhe ka shtuar pronësi të paligjshme në hapësirë duke u shndërruar kështu në subjekt tipik kolonialo-juridik me vetë vendim. Këtu lypset të punohet në dy drejtime: 1. Në kërkim të një ripërsëritjeje të gjykimit në mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe 2. Në ngritjen e padisë para Gjykatës Evropiane në Strasburg, kuptohet nëse nuk vepron Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe nuk e anulon vendimin e vitit 2016”, deklaroi ai.
Tutje ka theksuar se në këtë rast ka mosnjohje të vendimit të gjykatës, dhe se është përgjegjësi juridiko-kushtetuese se si Gjykata Kushtetuese e shkeli Gjykatën e Kosovës, që pranoi intervenimet nga vendet e QUINT-it.
Ai thotë se prona e qytetarëve nuk duhet të shkelet, gjë që e dinë edhe Ambasadorët.
“Fakte ka mjaftë. Ka mbi 100 vjet që toka ka qenë në posedim edhe në pronësi të deçanasve dhe të komunës. Juridikisht është e qartë. Në norma qëndron se çdo pronësi e paluajtshme që posedohet mbi dy decenie pa kontestim juridik kalon në pronësi të posedueseve të pronës së paluajtshme. Këtu buron e drejta e mosnjohjes së vendimit të gjykatës. Të vjen rendë dhe është tërësisht papërgjegjësi juridiko-kushtetuese se si Gjykata Kushtetuese e shkeli Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e Republikës dhe pranojë intervenimet politike si tash të Ambasadorëve të vendeve te QUINT-it, dhe nxori një vendim antikushtetues. Ambasadorët e dinë mirë nga vendet nga vijnë se prona është e drejtë themelore dhe e paprekshme e çdo njeriu dhe të qytetari te vendet demokratike. Ajo nuk guxon të shkelet dhe qytetarët janë të paprekshëm në pronë”, ka shtuar ai.
Kelmendi më tej deklaroi se rruga e cila kalon për Plavë nuk duhet të anashkalohet, dhe se vendimi i Gjykatës duhet të kundërshtohet nga komuna, qytetarët si dhe Qeveria.
Ai shton se Gjykata Kushtetuese e Kosovës duhet t’I anulojë intervenimet nga vendet e QUINT-it, sepse ka karakter joligjor, por nëse nuk veprohet kështu, çështjen duhet dërguar në Gjykatë Evropiane.
“E në Kosovë pse duhet të veprohet ndryshe! Jo. Vendimi i gjykatës është i padrejtë, ndërsa rruga që kalon për Plave nuk duhet të anashkalohet me dhjetëra kilometra, pse Manastiri nuk e lejon kalimin në rrugën historike që është përdorur nga deçanasit që kanë shkuar në bjeshkët e veta. Vendimi kolonial i gjykatës duhet kundërshtuar nga komuna, qytetarët dhe nga Qeveria. Bazë juridike ka. Intervenimi i Ambasadorëve të QUINT-it është politik dhe ka karakter jo ligjor në të drejtën e pronësisë. Nuk ka asnjëri qëndrim a bazë juridike vendimi gjykatës dhe atë duhet me revizion të anulon vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe pronën tua rikthej pronarëve real. Nëse nuk veprohet kështu duhet domosdo çështjen për të dërguar në Strasburg te Gjykata Evropiane. Rrugë tjetër nuk ka juridike”, përfundon Kelmendi.