Marrëveshja me Serbinë, juristi nga Brukseli jep parashikimin: Ja deri kur nuk do të ndodhë – ka disa fjalë për Osmanin, Kurtin e Gërvallën

Politika

Marrëveshja me Serbinë, juristi nga Brukseli jep parashikimin: Ja deri kur nuk do të ndodhë – ka disa fjalë për Osmanin, Kurtin e Gërvallën

Nga: N. H Më: 21 maj 2021 Në ora: 20:37
Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Donika Gërvalla

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti mori pjesë në darkën e organizuar me liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel.

Darka e organizuar nga shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell nga i pari i Qeverisë së Kosovës është vlerësuar si një mundësi e mirë për të diskutuar mbi rëndësinë e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.

Në lidhje më këtë çështje, dhe se kur pritet të arrihet marrëvedhja finale me Serbinë, “Bota sot” ka kontaktuar juristin që jeton dhe vepron në Bruksel të Belgjikës.

Njohësi i çështjeve juridike, Skënder Musliu, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kryeministri Albin Kurti me rifillimin e dialogut dëshiron t’i ndërpret praktikat e kaluara të dështuara, të cilat, sipas tij, dialogun e shndërruan në pazar për territore, që fillimisht kishte filluar në vitin 2011 si dialog për çështje teknike, për të përfunduar për statusin e saj.

Image
Skënder Musliu

“Sikurse gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit, ashtu edhe në Programin Qeverisës, Qeveria Kurti 2, dialogun Kosovë – Serbi nuk e kishte renditur ndër prioritetet e para, jo se zoti Kurti është kundër dialogut, por nga fakti se pandemia, zhvillimi ekonomik, punësimi dhe reformat në drejtësi ishin listuar si prioritete të para, që janë mese të domosdoshme për forcimin e shtetit. Po ashtu filozofia e Albin Kurtit është që dialogu të përgatitet sa më mirë, të zhvillohet mes dy palëve të barabarta, ku temë diskutimi nuk do të jetë ndryshimi i kufijve, por arritja e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve, që do të rezultonte me njohje reciproke. Ka qenë qasje shumë e gabuar që dialogu vazhdoi edhe pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në vitin 2012, e cila deklaroi se shpallja e shtetit të pavarur të Kosovës ishte në pajtueshmëri me të drejtën ndërkombëtare”, shprehet juristi Musliu.

Ai gjithashtu shprehet se në krye të institucioneve të vendit vërehet ndryshimi i veprimeve.

“Më parë me dialogun merrej ekskluzivisht Hashim Thaçi, i cili përveç se mbante postin e presidentit, ai po ashtu luante rolin e kryeministrit dhe ministrit për Punë të Jashtme, duke i mos dhënë llogari askujt. Në kohën e tij dialogu shkoi keq, u prish balansi mes viktimës dhe agresorit, Serbia ndërmori një fushatë të egër kundër shtetësisë së Kosovës, nuk kishte njohje të reja, përkundrazi pati edhe ç’njohje. Tani me institucionet e reja, vërehet ndryshimi i veprimeve, respektivisht presidentja Vjosa Osmani ushtron lirshëm postin e presidentit në kuadër të kompetencave të saja, duke zhvilluar vizita dhe biseda të rëndësishme virtuale me institucione të ndryshme ndërkombëtare, sikurse kjo e fundit në Samitin e Proçesit të ‘Brdo – Brijuni’ që u mbajt në Slloveni. Kryeministri Kurti po ashtu ka patur takime të ndryshme me institucionet Evropiane, sikurse kjo e fundit në Bruksel me 18 maj, gjatë një darke joformale me liderët e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

Tutje, juristi i njohur ka shtuar se ata që janë marrë me dialogun deri më tani, kanë dështuar duke e dëmtuar kështu sipas tij rëndë edhe subjektivitetin e Kosovës.

“Edhe kryediplomatja Donika Gërvalla ushtron funksionin konform përgjegjësive që ka me ligj. Në të kaluarën e afërt, këto tri funksione të rëndësishme shtetërore sikur ishin të koncentruara në duart e Hashim Thaçit. Gjykoj se ai – ata që janë marrë me dialogun gjer më tani, kanë dështuar duke e dëmtuar rëndë subjektivitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, dhe fatmirësisht tani kemi institucione me një elitë të re politike, pa hipoteka, të pashantazhuar dhe të vendosur që çështja e Kosovës të zgjidhet në suaza të Kushtetutës së Kosovës, duke ruajtur Rendin Kushtetues, integritetin dhe tërësinë territoriale në kufijtë ekzistues”, ka shtuar me tej ai.

Mirëpo, përkundër shtimit të vizitave në Bruksel të Kurtit, juristi Musliu është i mendimit se marrëveshja përfundimtare me Serbinë nuk është afër.

Ai parashikon se një gjë e tillë nuk është reale të ndodhë së paku deri në fund të vitit të 2022.

“Edhe përkundër vizitave të zotit Kurti, nuk do të thotë se arritja e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë është afër. Kjo nga fakti se ende nuk ka pasur takim Kurti – Vuçiq dhe se ky dialog duhet të përgatitet mirë që të mos përsëriten gabimet dhe dështimet e mëparshme. E, në veçanti, duhet theksuar faktin se, vitin e ardhshëm në Serbi mbahen zgjedhjet presidenciale, prandaj, vështirë mund të pritet përafrimi i arritjes së një marrëveshje këtë vit, sepse Vuçiqi nuk do ta rrezikonte mandatin e dytë. Përkundrazi, për të fituar poena politik, gjatë fushatës presidenciale, mendoj se Vuçiqi do ta ashpërsoj qëndrimin dhe gjuhën nacionaliste ndaj Kosovës, sepse elitat politike në Serbi, janë mbajtur në pushtet përmes kauzave të rrejshme për Kosovën. Vetëm nëse ai rizgjidhet për president, mund të fillojë dialogu serioz, të cilit nuk mund t’i shmanget për shkak presioneve nga faktorit ndërkombëtar”, ka deklaruar juristi Musliu.

Krejt në fund ai nënvizon se institucionet e reja të Kosovës, tanimë, kanë krijuar një simpati dhe autorit te faktori ndërkombëtar, nga i cili për momentin kanë mbështetjen e nevojshme.

“Mirëpo kjo periudhe do t’i bëjë mirë Kosovës, sepse mendoj, se zonja Osmani, zoti Kurti dhe zonja Gërvalla, gjatë kontakteve të ndryshme, do ta informojnë faktorin ndërkombëtar, në të gjitha nivelet, duke e përballur Serbinë me përgjegjësinë e të kaluarës së saj, ashtu sikurse veproi zonja Osmani në takimin e Samitit të Sllovenisë, kur në prezencën e kryetarëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor, tha se Serbia në Kosovë ka kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, që ishte shkak Vuçiqi të largohet me herët nga Samiti, duke mos marrur pjesë në darkën e punës joformale. Mendoj se institucionet e reja të Kosovës, tanimë, kanë krijuar një simpati dhe autoritet te faktori ndërkombëtar, nga i cili për momentin kanë mbështetjen e nevojshme. Po ashti është shenjë pozitive deklarate e Zotit Kurti, se do të zhvillojë takime dhe konsultime me opozitën lidhur me dialogun, dhe dua të shpresoj se opozita do të jep një kontribut konstruktiv, duke lënë anash inatet personale”, ka përfunduar juristi Skender Musliu, për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat