Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte në një vizatë zyrtare në Bruksel, ku mori pjesë në darkën tradicionale me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, me ftesë nga shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell.
Përveç, kësaj ai zhvilloi takime të shumta me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, që ishte edhe nikoqir i darkës, Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, dhe Raportuesen për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.
Gjithashtu, kryeministri Kurti pas takimeve foli për çështjet që u diskutuan në këto takime. Ndër temat kryesore ishte dialogu me Serbinë, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe anëtarësimi në BE.
Kurti ka shfaqur shpresa në përkrahjen e shtetit mik, Gjermanisë, për të ndikuar Kosovën në çështjen e liberalizimit të vizave.
“Ne kemi shpresë dhe besim te Gjermania, e cila do ta përdorë fuqinë e saj që edhe vendet skeptike për Kosovën ta ndryshojnë qëndrimin e tyre. Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret teknike që janë më shumë se dyfishi se shtetet tjera përreth, por imazhi politik nuk është më i miri për Kosovën, por besoj se Gjermania do ta bëjë maksimumin që vendet si Franca, Holanda ta eliminojnë “perden” e skepticizmit ndaj Kosovës”, u deklaruar Kurti.
Po ashtu, ai ka theksuar se Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk ka liberalizim të vizave.
“Në këtë mënyrë rruga drejt BE bëhet rruga e integrimit. BE është projekt i paqes dhe progresit që nga Lufta e Dytë Botërore. Në shekullin 21 ne duhet ta mbrojmë BE në të gjitha mënyrat. Jemi vendi i vetëm në Evropë që nuk kemi liberalizim të vizave. Kemi nevojë për këtë”, ka shtuar ai
Më tej, Kurti ka treguar se në çdo takim kanë konfirmuar interesin dhe gatishmërinë për të bërë progres drejt BE-së.
“Kisha një takim me përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, para darkës ku do të jem bashkë me pesë kolegët tjerë, liderë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, rajon që ende nuk është i integruar në BE, por që aspiron. Si në çdo takim kemi konfirmuar interesin tonë dhe gatishmërinë për të bërë progres drejt BE-së dhe në të njëjtën kohë kemi diskutuar me miqtë dhe kolegët tanë se si të na ndihmojnë në një anë për reforma dhe si t’i sigurojmë njohjet e pesë vendeve të BE-së”, ka potencuar Kurti.
Mehazi: Diplomacia e Kosovës nuk do jetë inferiore në botë me trinomin: Kurti-Osmani-Gërvalla
Lidhur me këtë çështje, profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka bërë krahasimin e takimit në Bruksel të Kurtit dhe atij të presidentes Osmani në Brdo - Brijuni të Kroacisë.
“Që nga takimet e para joformale vërehet se palët dialoguese Kosovë-Serbi në Bruksel mund të krahasohen me ato të Vjosa Osmanit dhe Vuçiqit në Brdo - Brijuni të Kroacisë dhe se më shumë do ketë kundërshtime sesa pajtime dialoguese”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Më tej, profesori ka përfolur deklaratat e Kurtit dhe të Vuçiqit të bëra për takimin në Bruksel.
“Duke dëgjuar arrogancën e presidentit të Serbisë Vuçiq ndaj Albin Kurtit, i cili deklaroi se do "takohem me Kurtin nëse jam i lirë, s’ka mund Trump të më detyrojë e po mundet dikush në Bruksel", në anën tjetër deklarata e ditës së parë në Bruksel e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit se "kemi kriminelë të luftës në institucionet e vendeve të Ballkanit Perëndimor" ku shigjetoi Vuçiqin, tregon se dialogu me Serbinë do merr përmasa polemizuese e akuzuese ndaj njëri tjetrit”, ka komentuar ai për “Bota sot”.
Gjithashtu, profesori ka folur edhe për kërkesën e kryeministrit Kurti për liberalisimin e vizave gjatë takimeve Bruksel.
“Hipokrizinë politike të Vuçiqit ndaj Kosovës, Albin Kurti do mundohet ta zbulojë me anë të principeve politike të hekurta ndaj krimeve të bëra serbe në Kosovë. Megjithatë na gëzon fakti se Albin Kurti në Bruksel në çdo takim me diplomatët evropianë kërkon liberalizimin e vizave të qytetarëve te Kosovës, nëse kryeministri i Kosovës, Kurti, mbërrin deri në liberalizim e vizave mendojmë se do jetë suksesi i parë e fillestar ndërkombëtar i qeverisë se re të Kosovës. Atë që nuk mund ta bënin qeveritë e mëparshme të Kosovës me decenie, Albin Kurti do ta bënte me takimet e para në Bruksel”, ka vlerësuar Mehazi për “Bota sot”.
Për më tepër, Mehazi është shprehur se qeveria e diplomacia e Kosovës nuk do jetë inferiore në botë, ashtu siç ishin me qeveritë e mëparshme.
“Me ardhjen e Albin Kurtit, Vjosa Osmanit e Donika Gërvallës zëri i Kosovës do kumbojë mrekullisht e autoritetshëm në vendim marrjet ndërkombëtare, BE e SHBA, aq sa nuk do turpërohemi para botës politike e diplomatike me diskutimet e tyre inteligjente në të mirë të Kosovës e qytetareve të saj. Treshen e sotme politike, intelektuale, kombëtare e diplomatike të Kosovës: Albin Kurtin, Vjosa Osmanin e Donika Gërvallën mund ta krahasojmë me treshen e Rilindjes Kombëtare: Fan Nolin, Faik Konicën e Gjergj Fishtën. Treshen e mrekullueshme të qeverisë së Kosovës jo Vuçiqi, Lajçaku e Borrelli, po as diplomatët e mëdhenj evropianë nuk do mund t'i turpërojnë. Besojmë se qeveria e diplomacia e Kosovës nuk do jetë inferiore në botë me trinomin: Kurti-Osmani-Gërvalla, sikurse që ishin inferior me qeveritë e mëparshme”, ka potencuar Mehazi për “Bota sot”.
“Liberalizimi duhet të jetë kusht për dialogun”
Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Faton Mehemti është shprehur për “Bota sot” se liberalizimi i vizave duhet të jetë kusht që Kosova t'i vendos BE për nisjen e negociatave me Serbinë.
“Duket se me Albin Kurtin ka ndryshuar strategjia e Kosovës, mënyra e prezantimit të saj në BE, të gjithë këto po shkaktojnë tension tek Vuçiçi, i cili është mësuar me servilizmin e Hashim Thaçit. Kërkesa për liberalizim të vizave është e nevojshme, bile duhet të jetë kusht që Kosova t'i vendos BE për nisjen e negociatave me Serbinë”, ka thënë ai për “Bota sot”.
Gjithashtu, Mehmeti ka theksuar se Kosova po ndryshon imazh në sytë e BE-së, duke u paraqitur me dinjitet në qëndrimet gjatë takimeve në Bruksel.
“Nëse tregohet vendosmëri nga ana e Kosovës, natyrisht se do të merret parasysh kjo kërkesë, e cila duhet të jetë në agjendë të qeverisë. Kosova po ndryshon imazh në sytë e BE, duke u paraqitur me dinjitet në qëndrimet e saja atje”, ka përfunduar Faton Mehemti për “Bota sot”.