“Ëndrra me sy hapur e AAK-së”, Haradinaj problemi kryesor, analistët tregojnë për ҫfarë po e shfrytëzon partinë

Politika

“Ëndrra me sy hapur e AAK-së”, Haradinaj problemi kryesor, analistët tregojnë për ҫfarë po e shfrytëzon partinë

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 23 maj 2021 Në ora: 10:47
Ramush Haradinaj

Partia e Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dështuar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Kjo parti ka marrë vetëm 7% nga zgjedhjet e shkurtit. Megjithatë, ata shprehen shumë optimistë për zgjedhjet lokale që do të mbahen brenda këtij viti.

Kështu, deputeti nga kjo parti, Shemsedin Dreshaj duke ka folur për zgjedhjet lokale, tha se kjo parti pretendon t’i fitojë 11 komuna, duke dalë më mirë se në zgjedhjet qendrore.

“Ne jemi në procesin e konsolidimit të së njësive të Aleancës, në komunat e Kosovës. Konsolidimi është duke shkuar mirë. Shumë prej kandidatëve janë në përfundim të listave për kandidat për Asamble Komunale. Listat janë mjaftë cilësore dhe mjaft të freskuara me anëtar të rinj. Aleanca do të del shumë më mirë në zgjedhjet komunale se sa në ato qendrore. Pra, ne kemi në agjendë që t’i fitojmë 11 komuna”, ka thënë ai.

Megjithatë nga kjo parti ka pasur shumë largime. Haradinajt i është larguar “krahu i djathtë”, nënkryetarja Magbule Shkodra, e cila në këtë pozitë ishte zgjedhur më 2018.

Nga AAK dha dorëheqje edhe Rexhep Kadriu i cili ishte i angazhuar në këtë parti për 21 vite. Ndërsa muaj më parë dorëheqje kanë dhënë edhe Rasim Selmanaj dhe Xhafer Gashi.

Mehmeti: AAK-në e pret fati i Nismës

Njohësi i ҫështjeve politike, Faton Mehmeti në një prononcim për ‘Bota sot’, thotë se AAK-ja si parti po shkon drejt zhdukjes. Sipas tij, AAK-në e pret fati i Nismës.

Image
Faton Mehmeti

“AAK po sheh ëndrra me sy ҫelur, kjo parti po shkon drejt zhdukjes. Natyrisht se edhe në zgjedhjet lokale kjo parti pritet të pësojë rënie të madhe. AAK jo 18, por as 8 komuna s’do t'i marrë, maksimumi që mund të marrë janë 4 komuna. AAK-në e pret fati i Nismës, ky është proces i pandalshëm”, thekson Mehmeti.

Tutje, ai thotë se kjo parti i takon të shkuarës që nuk ka ҫfarë tu ofrojë qytetarëve të Kosovës dhe do të pësojë debakël më keq se në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Faktikisht, me deklarime se do t'i marrim 18 komuna synojnë të mobilizojnë anëtarësinë, e cila gjithnjë e më shumë po largohet nga kjo parti. AAK i takon së shkuarës, s’ka ҫfarë t'i ofrojë qytetarit të Kosovës dhe si e tillë po shkon drejt zhdukjes. Personalisht mendoj se AAK do të pësojë debakël në zgjedhjet lokale, edhe më keq se me 14 shkurt”, ka deklaruar analisti Faton Mehmeti për gazetën "Bota sot".

Duhanaj: Haradinaj po e shfrytëzon partinë për karrierë personale

Ndërkaq, Leon Duhanaj, po ashtu njohës i ҫështjeve politike, ka thënë se problemi i AAK-së qëndron tek vetë kryetari i saj, Ramush Haradinaj, i cili partinë e tij e shfrytëzon për karrierë personale.

Image
Leon Duhanaj

“AAK për mendimin tim ka një problem thelbësor të brendshëm. Në radhë të parë është vet kryetari i saj z. Haradinaj, i cili partinë si të tërë e shfrytëzon për karrierë personale. Megjithatë në këtë kontekst, ka edhe shembuj të tjerë, madje shembullin me të mirë e kemi edhe partinë në pushtet e cila është ekskluzivisht e koncentruar rreth liderit të saj”, thekson Duhanaj.

Sipas tij, pritshmëritë e Haradinaj për zgjedhjet lokale nuk janë të analizuara mirë, pasi nuk mund të ketë ngritje kur mungojnë reformat e thella. Duhanaj thotë se këto reforma duhet të bëhen që nga pozita e të parit të partisë.

“Në ketë kontekst, konsideroj që deklaratat dhe ndoshta edhe pritshmëritë e z. Haradinaj, nuk janë të bazuara dhe të analizuara mirë, pasi që nuk mendoj që partia do të ketë ngritje nëse mungojnë reformat e thella. Me reforma të thella mendoj që duhet nënkuptuar edhe vet pozita e kryetarit të partisë, pozitë nga e cila njëherë pati deklaruar dorëheqjen”, thotë ai.

Analisti Duhanaj thotë se mungesa e këtyre reformave ka bërë që të ketë largime të vazhdueshme nga kjo parti.

“Edhe largimet e vazhdueshme nga eksponentë të AAK-së mendoj që ka të bëjë pikërisht me mungesën e një reforme të mirëfilltë, me përgjegjësi dhe shanse të barabarta, gjë që gjerë me sot asnjëherë nuk ka ndodhë. Z. Haradinaj dhe AAK, mund edhe të rekrutojnë njerëz të ri, por nuk mendoj që do të arrin t'i zëvendësojnë figurat e etabluara politike me kaq lehtësi, në mënyrë që të dalin të suksesshëm”, ka deklaruar Leon Duhanaj për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat