Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që nuk ka liberalizim të vizave.
BE i ka vënë kritere Kosovës për të plotësuar e më pastaj për të fituar liberalizimin. Mirëpo, krerët e Kosovës thonë që të gjitha kriteret janë plotësuar.
Por, thirrje për liberalizim për qytetarët e Kosovës kanë kërkuar deputetë gjerman duke thënë se, “Është e papërfaqësueshme që Kosova të mbetet përjashta, edhe pse i ka përmbushur kushtet”.
Analisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se, sa i përket kësaj çështje, kjo tashmë është bërë temë permanente, por kemi politikanë zyrtarë të cilët bëjnë thirrje për liberalizimin e vizave, por dhe të atillë që bëjnë thirrje për të kundërtën.
“Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, tashmë është bërë temë permanente, qoftë në politikën e brendshme të Kosovës, apo edhe në segmentet e politikës ndërkombëtare. Kemi disa rezoluta të Parlamentit Europian, të cilat bëjnë thirrje për liberalizimin e vizave për Kosovën. Në anën tjetër kemi edhe segmente të politikavenacionale të shteteve të ndryshme që bëjnë thirrje të ndryshme, kemi politikanë zyrtarë të cilët bëjnë thirrje për liberalizimin e vizave, por dhe të atillë që bëjnë thirrje për të kundërtën”, ka thënë Duhanaj.
Sipas tij, Franca është një ndër shtetet që po heziton për këtë proces.
E që sipas Duhanajt, Kosova duhet të lobojë më shumë tek Franca, në mënyrë që të realizohet ky synim.
“Në fakt, mendoj që liberalizimi është bllokuar në hezitimin e Francës dhe duke qenë se çështje të tilla në BE u nënshtrohen vedimeve me unanimitet, ndikojnë negativisht edhe në reformimin e BE-së ti të tillë. BE, duhet të bëj ndryshime në vendimmarrje në mënyrë që mos të mbetet peng e interesave të caktuara vetanake. Mendoj që Kosova duhet të lobojë më shumë tek Franca, në mënyrë që të realizohet ky synim. Në anën tjetër, mendoj që pikërisht Franca e ruan këtë si formë kushtëzimi karshi bisedimeve me Serbinë”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.