Gjeneralët e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka tashmë disa ditë që kanë mbetur pa vetura zyrtare jashtë orarit të punës. Kjo pasi u është ndaluar përdorimi i automjeteve zyrtare jashtë orarit të punës.
Këtë vendim e ka marrë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj. Ministri i FSK-së këtë lajm e ka konfirmuar përmes një postimi në Facebook, duke shtuar se ky vendim është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.
Gjithashtu, ai ka theksuar se ky vendim është marrë pas analizës dhe vlerësimit të duhur dhe nuk cenon në asnjë mënyrë funksionalitetin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe operacionalitetin e FSK-së.
“Vendimi i marrë nga ana ime është në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës si dhe me qëllim të racionalizimit të shpenzimeve të parasë publike. Ky vendim është marrë pas analizës dhe vlerësimit të duhur dhe nuk cenon në asnjë mënyrë funksionalitetin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe operacionalitetin e FSK-së. Një ndër parimet kryesore të punës sime është transparenca dhe llogaridhënia e plotë institucionale dhe para qytetarëve tanë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ky vendim i ministrit Mehaj është mirëpritur, pasi në këtë mënyrë do të zvogëlohen shpenzimet dhe do të rriten investimet në forcimin e FSK-së.
Tërnava: Automjetet janë pronë shoqërore e Ministrisë të Mbrojtjes së FSK
![Image](/media/botasot.info/images/2021/May/24/auto_auto_unnamed15937046471621836154.jpg)
Eksperti i sigurisë dhe ish ministri i mbrojtjes, Hajrullah Tërnava, në një prononcim për “Bota sot”, ka cekur se nga formimi i Ministrisë së Mbrojtjes e deri më tani kryesisht Ministrat të këtij institucioni ishin njerëz eminent, me provoja dhe shkollime adekuate ushtarake të përshtatshëm për këtë institucion.
“Ministria e Mbrojtjes që është ushtria e Kosovës (FSK) tani në formim e sipër, është institucioni i Kosovës që deri para pak viteve na pati munguar, prandaj formimin e kësaj ministrie populli e ka pritur me padurim dhe është kureshtare për formimin e saj. Nga formimi i saj e deri më tani kryesisht Ministrat të këtij institucioni ishin njerëz eminent, me provoja dhe shkollime adekuate ushtarake të përshtatshëm për këtë institucion. FSK deri me tani ka marrë pjesë në shumë stërvitje ushtarake ndërkombëtare edhe jashtë Kosovës dhe jo rastësisht tani është pjesë përbërëse edhe e stërvitjeve të ushtrive të shteteve anëtare të NATO-s, që po mbahen në Shqipëri, e që llogariten si ushtrimet më gjithëpërfshirëse ndonjëherë prej se ekziston NATO, shpresojmë se shpejtë do ta gëzojë statusin e shtetit më të ri si anëtare e rregullt e këtij institucioni ndërkombëtar, NATO”, është shprehur ai për “Bota sot”.
Më tej, ish ministri ka folur për përvojën e ministrit Mehaj, duke thënë se ai është person me provojë të konsiderueshme dhe se është kthyer për t`i ndihmuar vendit.
“Tani me emërimin Ministër të Mbrojtjes Armend Mehaj, i shkolluar me shkollime adekuate të profileve të Akademive Ushtarake të Norvegjisë dhe ishte i inkuadruar permanent drejtpërsëdrejti në ushtrinë e këtij shteti, në poste të rëndësishme të asaj ushtrie. Me një përvojë të konsiderueshme e që ishte edhe në ushtrime-stërvitore me ushtrinë Norvegjeze nëpër shumë shtete tjera si ato në BE, ashtu edhe jashtë Evropës, prandaj ky si i ri që ka shkuar të jetojë me familjen e tij në Norvegji, qysh nga vitet e 90-ta, në një shtet sikur që është Norvegjia të BE që është një prej shteteve më të zhvilluara në BE dhe iu ka përkushtuar këtij shërbimi ushtarak dhe ka kryer shkollime të rregullta të larta ushtarake dhe pas një përvoje të konsiderueshme të kaluar në atë ushtri, tani është kthyer t`i ndihmojë vendit të tij dhe ushtrisë së shtetit të Kosovës. Kjo është një vlerë dhe dëshmi se njerëzit tonë shqiptar-kosovar, ku do që shkojnë vendin e tyre nuk e harrojnë dhe janë të gatshëm ta japin kontributin e tyre për vendlindjen e tyre, si për paqe, por qoftë edhe në luftë që rrezikohet shteti i jonë”, ka vlerësuar Tënava.
Ai ka shtuar se Mehaj me veprimet që po i ndërmerr po e jetëson një kulturë të shteteve të zhvilluara të lartë të BE-së në ushtrinë tonë.
“Tani Ministri Mehaj me shkollimin e tij dhe përvojën që e ka sjellë nga ai shtet i zhvilluar sikur e shpjegova, tani me veprimet e tij, që i ka ndërmarrë po e jetëson një kulture të shteteve të zhvilluara të lartë të BE-së në ushtrinë tonë, prandaj të gjithë punonjësit ushtarak pavarësisht gradave që i kanë në atë institucion i kanë të drejtat e barabarta”, ka thënë ai.
Për vendimin e ndalimit e veturave zyrtare jashtë orarit të punës, ish ministri ka theksuar se eproret e të gjitha gradave duhen të mësohen se automjetet janë vetëm për shërbimet zyrtare.
“Automjetet janë pronë shoqërore e Ministrisë të Mbrojtjes së FSK dhe shërbejnë për institucionin në fjalë vetëm sa të janë në shërbimin e orarit të punës të eprorëve në përgjithësi, qofshin ata edhe gjeneralëve. Në këtë mënyrë eprorët e të gjitha gradave duhen të mësohen se automjetet janë vetëm për shërbimet zyrtare të tyre sa janë të angazhuar në shërbim zyrtar që zgjasin nga fillimi i punës deri në mbarimin e saj, dhe me kryerjen e kohës së punës të gjithë ushtarakët qofshin edhe gjeneralë e gëzojnë statusin civil si qytetarë të lirë, që atë kohë e kalojnë me familjarët e tyre dhe zhvillojnë jetë të lirë, ashtu si duan ata dhe si qytetaret tjerë, duke i shfrytëzuar pasuritë e tyre private sikur banesat, automjetet private të tyre, etj”, ka deklaruar Tërnava.
Gjithashtu, ai është shprehur se nga zvogëlimi i këtyre shpenzimeve mund të blihen automjete tjera që do të jenë në disponimin e numrit më të madh ushtarak.
“Është e kuptueshme se nëse kërkohet një disiplinë strikte e sidomos gjatë orarit të punës dhe kohës së lirë që eprorët e kryejnë punën dhe më nuk i shfrytëzojnë automjetet e tyre për qëllime private, edhe çështja e harxhimeve do të zvogëlohen dhe kursimet do të jenë të dukshme, prandaj varësisht prej numrit të shfrytëzimeve të automjeteve, edhe kursimet do të rriten dhe me ato kursime mund të blihen automjete tjera që do të jenë në disponimin e numrit më të madh ushtarak qofshin automjete, autobusë, automjete luftarake etj. Dhe vetëm me këto veprime, ushtria e Kosovës do të lavdërohet nga qytetarët e saj dhe do ta gëzojnë reputacionin pozitiv që është e nevojshme për çdo ushtri", ka deklaruar Harullah Tërnava për “Bota sot”.
Krasniqi: Këto mjete duhet t`i blejë FSK-ja
![Image](/media/botasot.info/images/2021/May/24/auto_auto_islam15577340231621836152.jpg)
Edhe analisti politik, Islam Krasniqi, e ka mirëpritur vendimin e ministrit Mehaj, duke thënë se në këtë mënyrë mund të ruhen keqpërdorimet nga zyrtarët e FSK-së.
Gjithashtu, ai është shprehur se është ide e mirë që me parat e kursyer të investojnë në autobusë për transportin e FSK-së.
“Unë besoj se është vendim i drejtë i Ministrit të Mbrojtjes z.Armend Mehaj, pasi që në këtë formë ruhen edhe keqpërdorimet nga zyrtarët e FSK-së. Është ide e mirë që me paratë e kursyera të investojnë në autobusë për transportin e FSK-së, mirëpo ato mjete mund edhe t'i përdorin edhe në trajnimin apo shkollimin e kadetëve të rinj jashtë shtetit apo edhe për blerjen e ndonjë aeroplani emergjent, pasi që akoma s'kemi asnjë i cili do të shërbente ndoshta për nevoja emergjente apo për urgjenca të ndryshme, duke e ditur së FSK -ja gjithmonë është në ballë të frontit për çdo fatkeqësi”, ka deklaruar Islam Krasniqi për “Bota sot”.