Kritikoi Kurtin për programin qeverisës, Ardian Kastratit i vjen reagimi: Filozofia e ulët e të menduarit të tij...

Politika

Kritikoi Kurtin për programin qeverisës, Ardian Kastratit i vjen reagimi: Filozofia e ulët e të menduarit të tij...

Nga: A.Z Më: 24 maj 2021 Në ora: 14:29
Ardian Kastrati

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, programin politik qeverisës të Qeverisë Kurti e ka krahasuar atë me një hartim të shkollës fillore, derisa ka thënë se një program i këtillë nuk sjellë përparim ekonomik, social e politik.

Kastrati thotë se ka analizuar të gjitha zhvillimet politike të kësaj jave.

“Kjo fletushkë ishte një remineshencë historike e cila na risjell VETEQEVERISJEN JUGOSLLAVE në 2021-tën, të cilës ne si popull i kemi thënë JO në mënyrë të uniformuar që në vitin 1990. Fletushka nuk i realizon as për së afërmi pritshmëritë e shoqërisë tonë”, ka deklaruar ai.

Lidhur me këtë, analisti dhe profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se niveli i të menduarit të Kastratit ngjason me hartimet shkollore, prandaj ai përpara intelektualëve siç është Kurti, Osmani dhe Konjufca e detyrojnë të mposhtet deri në këtë nivel.

“Niveli i të menduarit i deputetit të PDK-së, Ardian Kastratit, është aq sa që krahasohet me atë të një hartimi të shkollës fillore. Si duket Kastrati paskësha problem me kulturën e të shprehurit me shkrim e për këtë shkak programin e qeverisë së Kosovës e ka shikuar në formën e një fletushke të hartimit me shkrim të nxënësve të shkollave fillore. Inferioriteti i tij intelektual e psikik para Albin Kurtit, Vjosa Osmanit e Donika Gërvallës, Konjufcës e të tjerëve me përgatitje të madhe intelektuale, politike e ekonomike e kanë detyruar që të mposhtet mendërisht deri në nivelin e një fletushke të programit qeverisës”, theksoi ai.

Sipas tij, më me rëndësi për Kastratin qenka numri i fletave programore qeverisës, se sa realizimi katër vjeçar i programit të Kurtit, andaj edhe ai me filozofinë e ulët mendon se sa më shumë fletë të jetë programi qeverisës do të jetë më i realizuar për qytetarët.

Tutje shton se Kastrati nuk ka njohuri për atë se programet e shteteve të fuqishme janë të shkurtra, por që kanë vlerë të madhe.

“Filozofia e ulët e të menduarit të deputetit të PDK-së, Ardian Kastratit, është, se sa më i komplikuar, i koklavitur, i pakuptuar e me shumë fletë të jetë programi i qeverisë aq më shumë do të jetë i afërt e i realizuar për qytetarët e Kosovës. Për Kastratin më shumë qenka e rëndësishme numri i fletëve programore qeverisëse sesa realizimi katër vjeçar i programit "fletushkë" të Albin Kurtit. Por, çfarë u bë me programet e kaluara njëzetvjeçare shumë fletëshe, të komplikuara e me gënjeshtra, të shkruara jo në formën e fletushkave e hartimeve të shkollave fillore nga partia e PDK-së, e cila me njëzet vjet qeverisje Republikën e Kosovës e çoi para ambisit? Deputeti Ardian Kastrati nuk e di se programet qeveritare të shteteve të fuqishme evropiane e botërore janë të shkurtra e formale, por realizimet e programeve qeverisëse janë të mëdha e me shumë vlerë. Me premtime e programe të shkurtra bëhen punët e mëdha shtetërore, e jo me kilometra llafesh programore”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat