Prej se ka ardhur në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, po shihet të jetë mjaftë aktiv. Gjersa, edhe ka premtuar reformim dhe rikthim të lavdisë së dikurshme të këtij subjekti politik.
Tashmë kreu i partisë më të vjetër në vend, dhe të tretës aktualisht me vota, ka filluar edhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale. Së fundi Abdixhiku ka vizituar degën e Podujevës, ku është duke u angazhuar maksimalisht për ta unifikuar.
Veprimtari i hershëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës në diasporë, Fatmir Bajraj, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se lidershipi i kësaj partie duhet të ruaj kohezionin politik dhe koherencën e brezave si shpresë për një rikthim të fuqishëm.
Mirëpo paralajmëron se nëse ndjek rrugën përjashtuese diferencuese kundër atyre të cilët identifikohen si qendrestarë do të ishte i dëmshëm dhe fatal për këtë parti.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/May/24/auto_auto_auto_tygh155838312015720669021621868041.jpg)
“LDK dhe lidershipi i i saj i ri, duhet të ndjek një proces serioz reformimi, i cili është proces unifikues dhe jo përjashtues, duke ruajtur kohezionin politik dhe koherencën e brezave si vlera unike dhe të domosdoshme për ruajtjen dhe kultivimin e besimit, dhe shpresës për rikthim, si nevojë për vete dhe vendin. Një proces joserioz; përjashtues dhe diferencues kundër të gjithë atyre të cilët identifikohen si qendrestarë dhe të palëkundur në respektimin e vendimeve të organeve partiake dhe të cilët nuk u shantazhuan dhe as nënshtruan hegjemonisë agresive të kundërshtarëve politik (LVV), do të ishte i dëmshëm, i rrezikshëm dhe pse jo edhe fatal për LDK-në, dhe si i tillë, nuk do të ishte proces reformimi, por, “lojë”: gjuajtje shtrigash”, shprehet Bajraj, pwr “Bota sot”.
Tutje, ai i ka bërë me dije LDK-së se tashmë Lista “Guxo” është jo vetëm pjesë, por është vetë Lëvizja Vetëvendosje dhe pushteti i saj absolut.
“Sikur ende nuk është kuptuar, apo qëllimisht neglizhohet fakti se një subjekt politik parlamentar jashtë qeverisjes, mund të jetë në rolin opozitar karshi pushtetit ose në shërbim të pushtetit, rol ky i cili jo vetëm nuk nderon një subjekt politik, por edhe e dëmton atë në mënyrë të vrazhdë dhe drastike. LDK, me qasjen dhe sjelljet karshi pushtetit të LVV-së, së Albin Kurtit, i cili edhe me “fajin” e LDK-së, ka në dorë të gjitha, pra ka pushtetin absolut, nuk ka arrit të kuptoj ende, se e ashtuquajtura Lista “Guxo” është jo vetëm pjesë, por është vetë LVV-ja dhe pushteti i saj absolut, ka në krye një lider, dhe ky është Albin Kurti dhe se të tjerët janë vetëm vartës të tij dhe ekskluzivisht të tij, përfshi presidenten Vjosa Osmani”, ka deklaruar veprimtari i LDK-së, Fatmir Bajraj, për gazetën “Bota sot”.