Deklarata skandaloze nga PDK, ja kush janë fajtorët për liberalizimin e vizave

Politika

Deklarata skandaloze nga PDK, ja kush janë fajtorët për liberalizimin e vizave

Arife Morina Nga Arife Morina Më 25 maj 2021 Në ora: 08:43
Kreu i PDK-së, Enver Hoxhaj

Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që akoma nuk e gëzon të drejtën e lirisë së lëvizjes në zonën Shengen.

Çështja e liberalizimit të vizave është një nga temat më të ndjeshme, që sa herë përmendet, ngjallë reagime dhe debate të shumta.

Fajtorë për këtë dështim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës, janë cilësuar partitë të cilat kanë qeverisur për gjatë 20 viteve të kaluara.

Mirëpo, njëjtë nuk mendon edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e cila befasoi me deklaratën e saj, duke fajësuar Qeverinë Kurti për mos liberalizimin e vizave.

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Betim Gjoshi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është personi i cili ka bërë që procesi i liberalizimit të vizave të ngecë me veprimet e para disa viteve me gazin lotsjellës.

Ai ka thënë se Kurtit tash i mbetet t’i përmbushë disa kritere, duke filluar nga largimi i ministrave me aktakuza.

“Janë disa kritere që i mbeten atij t'i plotësojë sot, e para është që t’i largojë ministrat që i ka në qeveri me aktakuzë, edhe shefes së GP të tij iu ka konfirmuar sot aktakuza, është mirë të marrë masa që ta fitojë besimin e BE-së. Qeveritë e kaluara kanë arritur t’i plotësojnë kriteret për liberalizim të vizave. Është një person që ka pasur ndikimin kryesor që qytetarët e Kosovës të mos kenë liberalizim të vizave, pesë vite me ato protesta e gazin lotsjellës i ka lënë qytetarët pa viza”, ka thënë Gjoshi.

Analistët politikë në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot”, e cilësuan si skandaloze fajësimin e Qeverisë Kurti për mos liberalizimin e vizave.

Ata u shprehen se PDK është fajtorja kryesore për izolimin e qytetarëve të Kosovës, madje ata ia rikujtuan të bëmat e tyre gjatë qeverisjes, që shkaktuan këtë gjë.

Qarri: Irrituese deklaratat e PDK-së për mos liberalizimin e vizave

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur në lidhje me sfidat dhe pengesat që ka hasur Kosova në liberalizimin e vizave.

Image
Gani Qarri

Ai fajtorë kryesor për mos realizimin e kësaj objektive, i bëri ish-pushtetarët, të cilët, sipas tij ishin të kriminalizuar deri në fyt, ku për më tepër se dy dekada me radhë e shkatërruan shtetin e Kosovës, dhe çdo rrugëtim tjetër progresiv të Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike, duke izoluar popullin e këtij vendi nga gjithë bota.

“Rruga më e gjatë të cilën u dashtë ta bënte Kosova, në dekadën e fundit, ishte ajo për liberalizimin e vizave dhe udhëtimin e lirë të qytetarëve të Kosovës në BE, gjë që me gjithë premtimet paushallë të udhëheqësve të partive të inkriminuara, të përsëritura nga disa herë, kjo e drejtë nuk është realizuar asnjëherë dhe deri më sot, nuk ka arritur kurrë në cak. Madje ish pushtetarët e deridjeshëm të kriminalizuar deri në fyt, të cilët për më tepër se dy dekada me radhë e shkatërruan shtetin e Kosovës, ekonominë, shëndetësinë, arsimin dhe çdo rrugëtim tjetër progresiv të Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike, duke izoluar popullin e këtij vendi nga gjithë bota, me grabitje, zhvatje, hajni dhe përvetësime mafioze, ata i mbytën të gjitha shpresat e qytetarëve për jetesë normale, perspektivë dhe ecje përpara, duke i detyruar që në mënyrë masive të ikin edhe nga vendi”, ka deklaruar Qarri.

Sipas tij, fajtorët kryesor për mos liberalizimin e vizave (PDK, LDK dhe AAK), pa fije turpi bëhen më të zëshmit dhe tërësisht histerik, duke fajësuar pa asnjë argument, kryeministrin Kurti.

Qarri tha se PDK po krijon shumë tollovi dhe zhurmë për asgjë.

“Kështu që, realisht fajtorët kryesor dhe më të mëdhenj për izolimin e Kosovës dhe mos liberalizim të vizave edhe 21 vite pas lufte dhe të gjitha ngecjet e mundshme të shtetit tonë të brishtë, janë dhe mbeten pikërisht ata të cilët sot, pa fije turpi bëhen më të zëshmit dhe tërësisht histerik, në parlament, si PDK, LDK dhe AAK. Për aq më tepër, PDK pas rrëzimit nga qeverisja arbitrare dhe kapja mbi një-dekadëshe e të gjitha enteve dhe institucioneve të shtetit, tani për bëmat e veta kundërligjore, fajëson tërësisht pa asnjë argument, kryeministrin Kurti, madje edhe për mos liberalizim të vizave e bënë atë fajtor, ani pse në pushtet nuk ishte z. Kurti por pikërisht vet figurat e kriminalizuara dhe partitë e inkriminuara me prijësit e tyre mafioz në krye, që sot, pa fije turpi krijojnë aq shumë tollovi dhe zhurmë, për asgjë”, ka theksuar ai.

Tutje, analisti ka përmendur edhe deklaratën e kryetarit në detyrë të PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili me rastin e Ditës së Evropës kishte thënë se edhe viti 2021, e gjen Kosovën pa liberalizim të vizave, mirëpo pa treguar se fajtorë të këtij degradimi është partia e tij.

“Dhe sikur mos të mjaftonin as të gjitha këto, vetëm para pak ditësh ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, me rastin e 9 majit deklaroi se Dita e Evropës, edhe në vitin 2021, e gjenë Kosovën pa liberalizim të vizave, pa status të kandidatit dhe pa rrugë të qartë për të ardhmen evropiane, duke mos dëshiruar të cekë, se Kosova ka ngelur pikërisht aty ku partia e z. Hoxhaj e ka degraduar”, ka nënvizuar ai.

Qarri mbeti i ‘habitur’ se si Hoxhaj nuk ua sqaroi qytetarëve të Kosovës, se si bashkë me AAK-në dhe LDK-në, që për shkak të korrupsionit galopant, krimit të organizuar dhe kapjes së shtetit, izoluan vendin nga e gjithë bota.

“Ndaj habit fakti se si z.Hoxhja harroi apo nuk deshi edhe tu sqaronte qytetarëve të Kosovës se ishte vet PDK, partia e tij, ajo të cilën ai aktualisht bënë sikur e udhëheqë, bashkë me AAK-në dhe LDK-në, që për shkak të korrupsionit galopant, krimit të organizuar dhe kapjes së shtetit, nga vet ato, mbyllën çdo rrugë për arritjen e Kosovës në cak, duke izoluar vendin nga e gjithë bota demokratike dhe varfëruar shtetin tonë të brishtë, deri në atë masë, sa që për pasojë të krejt asaj katrahure makabre, që i bënë Kosovës, edhe sot e kësaj dite, vijon ikja masive e të rinjve nga vendi i vet”, ka potencuar analisti.

Në vazhdim, ai e cilësoi irritues faktin se si PDK me partitë e tjera opozitare po tentojnë t’ia hedhin fajin për mos liberalizimin, Qeverisë së re të votuar gati nga 52% e popullit të Kosovës.

“Pra për irritimin e pafund që vet PDK, LDK dhe AAK, shkaktuan për më se një dekadë tek BE, me kapjen e shtetit, nepotizmin, korrupsionin e krimin e organizuar, tani fajin përpiqen t`ia hedhin kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së re të votuar gati nga 52% e popullit të Kosovës, kinse ajo dhe jo partitë e inkriminuara që deri dje ishin në pushtet, e paska lëkundur besimin e qytetarëve të Kosovës në Bashkimin Evropian, dhe dëmtuar "progresin e madh" të partive të kriminalizuara të cilat me arritjet e tyre, lanë qytetarët pa liberalizim vizash dhe izoluan Kosovën hermetikisht nga e gjithë bota”, ka vlerësuar ai.

Në fund, Qarri tha se ende nuk po mund të kuptojë se si një oportunisti rafinuar si Enver Hoxhaj, mund ta fajësojë Kurtin me shpifje të tilla.

Ai ia përmendi të gjithë të bëmat ish-qeverive të kaluara të cilat ndikuan në mos liberalizimin e vizave, duke hedhur poshtë deklaratat fajësuese ndaj Qeverisë Kurti.

“Ndaj dhe mbetet plotësisht e pakuptueshme dhe çështje që vërtetë kërkon sqarime shtesë dhe më të detajuar nga oportunist më i rafinuar Enver Hoxhaj, se si mund ta fajësojë ai z.Kurti me shpifje të tilla, përderisa nuk ishte z.Kurti, por PDK,e cila nga viti 2007 e deri para pak kohësh, në një, apo formë tjetër, qëndroi në pushtet dhe për më se 13 vite, bashkë me LDK-në dhe AAK-në e NISMA-në, varfëruan deri në kufijtë e ekzistencës qytetarët e Kosovës, duke e lënë shtetin e vetëm në Evropën Perëndimore, të izoluar komplet dhe pa liberalizim vizash dhe akuzuar pa fije turpi, pozitën e sotme se kinse kjo paska lëkundur besimin e qytetarëve të Kosovës në Bashkimin Evropian”, ka përfunduar Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.

Bytyçi: E tmerrshme deklarata e PDK-së ndaj Qeverisë Kurti, për mos liberalizimin e vizave

Ndërsa, analisti tjetër politik, Adem Bytyçi e cilësoi të tmerrshme deklaratën e PDK-së se Qeveria Kurti II është fajtore për mos liberalizimin e vizave.

Image
Adem Bytyçi

Sipas Bytyçi, fajtori kryesor për izolimin e qytetarëve të Kosovës, është vet PDK me bashkëpunëtorët e saj qeverisës së viteve të kaluara.

“Kjo që thotë PDK, vërtetë është e tmerrshme sa i përket të një të vërtete të cilën e dinë edhe zogjtë për hava se jo qytetarët e Kosovës. Përgjegjësinë për mos realizimin e vizave pikërisht e ka PDK-ja, dhe aleatët e këtij subjekti, të cilët e kanë qeverisur bashkë Kosovën që nga çlirimi e deri më tani, e jo Qeveria Kurti e cila nuk ka që 2 muaj që e qeverisë vendin”, është shprehur ai.

Analisti rikujtoi kohën kur PDK, AAK dhe LDK-në festonin liberalizimin e vizave pa ndodhur një gjë e tillë. Bytyçi këtë veprim e cilësoi si paturpësinë më të madhe.

“Kur dëgjon të akuzohet Qeveria aktuale Kurti, për mos liberalizimin e vizave, nga PDK, është e pamundur të mos trishtohesh, kur qytetarët e Kosovës e kanë parë kremtimin e PDK, LDK, AAK, dhe krerëve të këtyre subjekteve për liberalizimin e vizave, edhe pse pas gjithë kësaj ceremonie përrallore , vizat nuk u liberalizuan fare, nuk besoj të ketë paturpësi më të madhe që tani të fajësohet Qeveria aktuale Kurti, për mos liberalizimin e vizave ...”, ka theksuar ai.

Në fund, Bytyçi potencoi se PDK po bën çmos që të shantazhojë Qeverinë Kurti, në mënyrë që t'ia bëjë të pamundur ta qeverisë vendin ashtu siç do donte kjo Qeveri.

“Qëllimi i subjekteve politike ndër të cilat edhe i PDK-së, kundër Qeverisë Kurti është pasojë e humbjes katastrofale të zgjedhjeve të fundit të parakohshme të 14 shkurtit 2021. Menjëherë pas formimit të Qeverisë Kurti, PDK është zotuar publikisht se do të bëjë çmos për ta shantazhuar Qeverinë Kurti, në mënyrë që t'ia bëjë të pamundur ta qeverisë vendin ashtu siç do donte kjo Qeveri, për më të mirën e vendit”, ka përfunduar Adem Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat