Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, përmes komisionit për Ekonomi i kanë rekomanduar Kuvendit të Kosovës shkarkimin e bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Përmes një konference për medie, ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se me mos-miratimin e planin të punës në komision, i është hapur rrugë seancës së Kuvendit shkarkimi i bordit të AKP-së dhe emërimi i një bordi të ri, të propozuar nga Qeveria Kurti II.
Bordi i ri, sipas saj do ta përmbyllë fazën e tranzicionit, mbylljes së AKP-së dhe transferimit të aseteve të saj në fondin sovran.
Lidhur me këtë, juristi Muhamet Kelemendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se AKP-ja jo vetëm që duhet shkarkuar, por duhet edhe të merret në përgjegjësi për shumë punë, sepse sipas tij, me privatizim i kanë marrë pasurin njerëzit e lidhur me partitë.
“LVV ka një program të ruajtjes së pronës shoqërore dhe të shtetit. Dhe, kjo tash është në logjikën e punës së LVV të paraqitur në program dhe që tash po zbatohen. Natyrisht se AKP ka bërë dhe ka krijuar rrjedhimisht një gjendje të rëndë në sektorin e privatizimit të pasurisë. Atë bord jo vetëm që duhet shkarkuar, por edhe duhet të merret në përgjegjësi për shumë punë. Janë privatizuar asetet e shtetit. Qmimet kanë qenë të vogla. Pasurinë me privatizim e kanë marrë njerëz të ditur dhe të lidhur me partitë në pushtet. Pothuajese falas”, deklaroi ai.
Më tej potencoi se duhet të zgjedhet një bord profesional, madje Kelmendi kërkon që të rishqyrtohet edhe privatizimi i bërë në të kaluarën, në mënyrë rikthimin e pronës publike në pronësi të shtetit.
“Në këtë gjendje lypset që të shkarkohet bordi dhe të zgjedhet një bord tjetër jo i njëjtë, por profesional dhe i paanshëm. Kishte me qenë mirë që edhe privatizimi i bërë në të kaluarën të rishqyrtohet. Kjo jo sa për të caktuar përgjegjësinë, por për të mundur, nëse ka mundësi juridike, rikthimin e pronës publike dhe shtetërore në pronësi të shtetit. Shumë është keqëpërdorur prona publike dhe shoqërore. Antarët e bordit nuk duhet lejuar të kalojë pa përgjegjësi. Shkarkimi është i domosdoshëm”, përfundoi Kelmendi.