Lëvizja e lirë me Bosnjën dhe kundërshtimi nga opozita, analistët tregojnë qëllimin e Kosovës

Politika

Lëvizja e lirë me Bosnjën dhe kundërshtimi nga opozita, analistët tregojnë qëllimin e Kosovës

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 26 maj 2021 Në ora: 08:20
Foto ilustrim

Qeveria të premten ka miratuar nismën për marrëveshjen ndërmjet Kosovës, Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë mbi lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe palëve të treta.

Opozita ka kritikuar nismën e kësaj marrëveshje.

Sipas kësaj nisme, ndër të tjera, qytetarëve të Kosovës mund të ju krijohet mundësia e lëvizjes për në Bosnjë Hercegovinë, pa pasaportë, derisa këtë Partia Demokratike e Kosovës e sheh si nisje të zbatimit të Minishengenit Ballkanik.

Por, këtë e mohoi Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që u arsyetua se nisma është në kuadër të procesit të Berlinit. Ngjashëm me ministrin mendojnë edhe njohësit e integrimeve evropiane.

E për të hyrë në fuqi nisma e miratuar të premten, duhet ta votojë edhe Qeveria e Bosnjës.

“Qeveria nuk mund ta shes lëvizjen e lirë me Bosnjën”

Lidhur me këtë, analisti Rexhep Shahu, ka thënë se qeveria nuk mund ta shes lëvizjen e lirë me Bosnjën, sikur me Berlinin apo me Parisi.

Image
Rexhep Shahu

Shahu thotë se qëllimi është për lëvizjen e lirë me Evropën, por jo me ish-Jugosllavinë.

“Çfarëdo mundësi lëvizje e lirë për qytetarët është pozitive dhe duhet përshëndetur, por qeveria nuk mund ta shes lëvizjen e lirë me Bosnjën si lëvizje të lirë në Berlinin a Parisin. Por edhe kjo me Bosnjën nuk mund të fshihet dhe nuk mund të mohohet. Nëse pastaj qeverisë i duket boll, është punë tjetër. Por qëllimi është lëvizja e lirë me Evropën e jo me ish Jugosllavinë”, ka deklaruar Shahu për “Bota sot”.

“Marrëveshje që iu shërben qytetarëve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës”

Ndërsa, juristi Muhamet Kelmendi, ka thënë se lëvizja në vendet fqinje pa njohjen e Kosovës nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina është veprim pa pasoja pozitive juridike për qytetarët.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi thotë se kjo marrëveshje nuk vlen për ne, sepse nuk njihet dokumenti i Kosovës, prandaj nuk mund të udhëtojnë në Serbi qytetarët e Kosovës.

“Marrëveshja për lëvizjen e lirë në mes qytetarëve të Shqipërisë, të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi, të Serbisë, të Kosovës dhe të Bosnjës e Hercegovinës, pa njohjen e Kosovës në shtet të pavarur nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, është një veprim pa asnjë pasojë pozitive juridike për qytetarët e Kosovës. Ajo marrëveshje iu shërben me të madhe qytetarëve të Serbisë dhe të Bosnjës e Hercegovinës. Kjo Marrëveshja, pra, për Kosovën është zero. Në raport me Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën fare nuk i vlen shtetit të Kosovës. Qytetarëve tanë nuk u njihen dokumentet e Republikës së Kosovës. Qytetarët e Kosovës nuk mund të udhëtojnë në Serbi me pasaportat e Republikës së Kosovës. Ky dokument i Republikës së Kosovës nuk pranohet”, ka deklaruar Kelmendi.

Më tej ka theksuar se nëse kjo lëvizje lejohet, atëherë njihet nga Serbia Republika e Kosovës. Ai thotë se Kosova duhet domosdo të ketë subjektivitet ndërkombëtar kur janë në pyetje marrëdhëniet me Serbinë, ndërsa pika nga subjektiviteti e bënë Kosovën pa shtet, gjë që sipas Kelmendit nuk duhet të lejohet.

“Baza e kësaj është se nëse lejohet kjo lëvizje me pasaportë njihet Republika e Kosovës nga Serbia. Në Serbi dhe nëpër të udhëtohet me leje të njoftimit. Udhëtohet vetëm si qytetar i shtetit serb. Ndërsa, në Bosnje e Hercegovinë, udhëtohet me vizë të veçantë. Sikurse të kishim njohje të shtetit të Kosovës nga Serbia natyrisht se hynë në kuadër të lëvizjes së lirë marrëveshja e tillë. Mirë duhet thënë se çdo dokument bilateral amultilateral kur në pyetje janë marrëdhëniet me shtetin serb, duhet domosdo që Kosova të ketë subjektivitet ndërkombëtar shtetëror në ato raporte. Pika nga subjektiviteti e bënë Kosovën pa shtet. E këtë marrëveshje nuk duhet lejuar. Kosova është shtet dhe si shtet duhet të dalë në marrëdhëniet e jashtme, pavarësisht se me cilin shtet”, shtoi ai.

“PDK pa argumente për kundërshtimin e qeverisë”

Analisti Faton Mehmeti, ka deklaruar se lëvizja e lirë është arritje e Kosovës, ndërsa për PDK-në, Mehmeti thotë se nuk kanë argumente për të kundërshtuar qeverinë, gjë që e quan mjerim.

Image
Faton Mehmeti

“Lëvizja e lirë me çdo shtet është e mirë se ardhur, dhe krejtësisht në dobi të interesave të qytetarëve të Kosovës. Kjo është arritje e Kosovës, pavarësisht se cila qeveri e ka jetësuar këtë, hedhja e kritikave nga PDK dëshmon më së miri se ata nuk kanë argumente për të kundërshtuar qeverinë. Mjerimi i një opozite është kur nuk ka argumente për të kundërshtuar, dhe sukseset që prekin të gjithë qytetarët i quan dështim”, tha ai.

Më tej Mehmeti potencoi se nga kjo marrëveshje me Bosnjën, do të përfitojnë vetëm qytetarët e Kosovës, pra nuk ka të bëjë asgjë me minishengenin e lartësuar nga Thaçi.

“Kjo nuk ka lidhje me minishengenin, i cili është diçka tjetër, një projekt serbo-rus që synonte që Rusia dhe Serbia të dalin në det. Me këtë marrëveshje me Bosnjën Kosova, respektivisht qytetarët e saj përfitojnë dhe jo Serbia apo Rusia. Në proces të Berlinit ka qenë e paraparë një gjë e tillë, dhe kjo nuk ka të bëj asgjë me Minishengenin, të cilin Hashimi e ka lartësuar shumë, e që fatmirësisht ka dështuar tashmë”, ka deklaruar Faton Mehmeti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat