A është i duhur reciprociteti me Serbinë pak para fillimit të dialogut?

Politika

A është i duhur reciprociteti me Serbinë pak para fillimit të dialogut?

Nga: A.SH Më: 26 maj 2021 Në ora: 18:02
Foto ilustrim

Dje ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se nuk ka dashur që të aplikojë masën e reciprocitetit për asnjë shtet fqinj, pasi që nuk e shohin si zgjidhje e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.

Derisa më vonë ka reaguar për deklaratën e saj duke thënë se ajo është keqinterpretuar.

“Reciprociteti është parim i shëndoshë i raporteve normale midis shteteve. Ne nuk e kemi reciprocitetin si armë hakmarrjeje, por si parim që del nga koncepti i barazisë. Do ta vendosim reciprocitetin, jo për të ngritur barriera, por për t’i hequr ato. Dhe për t’i mbrojtur qytetarët nga shkelja e dinjitetit dhe e të drejtave”, ka thënë Hajdari në deklaratën sqaruese të saj.

Por pas këtij vendimi pati reagime të shumta nga krahu opozitar dhe shoqëria civile.

Analisti politik Adem Bytyçi ka thënë se, një masë e tillë në marrëdhëniet në mes dy shteteve në të gjitha fushat me interes reciprok është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare.

“Përderisa vazhdojnë negociatat Kosovë - Serbi, për një marrëveshje paqësore, nuk besoj të ishte produktive zbatimi i reciprocitetit edhe pse një masë e tillë në marrëdhëniet në mes dy shteteve në të gjitha fushat me interes reciprok është në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. Në fakt duhet ta kenë parasysh pozitë e opozitë, arritja e një marrëveshje paqësore Kosovë - Serbi, nuk është edhe aq afër siç mendojnë disa”, ka thënë Bytyçi.

Sipas tij, përkundër presionit ndërkombëtar Serbia nuk është e interesuar që negociatat të përfundojnë sa më shpejtë.

“Serbia, përkundër presionit ndërkombëtar nuk është e interesuar që negociatat të përfundojnë sa më shpejtë sepse sa më shumë të prolongohet përfundimi i negociatave, Serbia shpreson se aq më shumë është në interesin e saj. Sidoqoftë, negociatat nuk do të vazhdojnë në pamundësi, një ditë do të dihet fundi tyre për të cilin askush nuk mund ta di sesi do të dukej përfundimi i tyre. Tek pas kësaj gjykoj unë është radha e reciprociteteve dhe masave tjera jo miqësore në mes këtyre dy shteteve”, përfundon Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat