Po afrohen ditët kur do të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi.
Kësaj radhe do të jetë më ndryshe. Kosova do të përfaqësohet nga dy liderët e shtetit, të cilët më herët ishin kritik ndaj qeverive të kaluara dhe përfaqësuesve në dialog.
Tash kryeministri Albin Kurti me përkrahjen e presidentes Vjosa Osmanit do të formojnë ekipin e ri, për t’u përballur me Serbinë.
Në lidhje me procesi ne dialogut, analisti politik Gani Qarri, thotë se, duke pasur parasysh qëndrimet gjithnjë e më arrogante anti-Kosovë të kriminelit Aleksandër Vuçiq i cili nga ish ministër i dikurshëm i kasapit të Bllkanit, Sllobodan Millosheviqit, pas heqjes nga tavolina e dialogut të temës për ndarjen e Kosovës, ka kaluar plotësisht në linjën e tij të qëndrimit, e pjesërisht edhe të veprimit të Millosheviqit dhe deklaron publikisht se përderisa të jetë ai president i Serbisë, nuk do ta njoh Kosovën.
Qarri mendon se një marrëveshje e njëmendtë përfundimtare, për kohë (kaq) të shkurtër, është tërësisht e pamundur.
“Madje shto kësaj faktin që edhe vet BE nuk parasheh një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por vetëm "normalizim" të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve, gjë që, është vështirë ta shpjegojë edhe vet BE, se çfarë domethënie do të kishte një marrëveshje e tillë, nëse çështja e njohjes mbetet e pa definuar dhe i hapen serish dyert Serbisë, për aventura të reja ushtarake në Kosovë, mendoj se ky akt, jo vetëm që nuk do ta përmbyllte dialogun, as të krijonte paqe të qëndrueshme në vend e rajon, por pa vonuar shumë, dhe në mundësinë e parë që mund ti krijohej, këtij shteti hegjemonist, do të kthehej në shkak për agresione të reja territoriale të Serbisë okupatore, ndaj Kosovës së pavarur”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.
Qarri tutje shprehet se aventurat e ish-presidentit Hashim Thaçi ishin të rrezikshme.
“Ndërsa sa i takon Veton Surroit, duke u nisur nga fakti se në bisedime, parashihet të ketë tema të përcaktuara paraprakisht për trajtim, me platformë dialoguese të shtetit të Kosovës, dhe nuk ka kohë, që edhe në Bruksel, njëjtë siç prodhohen pallavra të tipit të kafeneve në Kosovë, të diskutohet edhe atje, për të kaluarën e Surroit apo të dikujt tjetër, që edhe ashtu nuk është as persë afërmi më e rrezikshme se sa aventurat e Thaçit me shokë, ani pse pasardhësit e tij të inkriminuar deri në fyt, për të mbuluar të zezat e tyre, tregimet e vërteta dhe të sajuara mbi Surroin, duan ti përdorin më tepër për aktrim dhe abuzime politike, besoj se si Surroi ashtu edhe Azem Vllasi, njohin shumë më mirë se kushdo tjetër në Kosovë mentalitetin dhe mënyrën e të dialoguarit me sllavët e jugut e veçanërisht me serbët dhe Serbinë, gjë që mund të ishte në të mirë të Kosovës”, pohon ai.
Sipas tij, edhe pas arrestimit të Thaçit nga Gjykata Speciale, mëkatet e tij po e rëndojnë Kosovën.
“Ndaj pas aventurave me rrezikshmërinë e shkallës më të lartë dhe sipërore, të Thaçit & Co, si nënshkrimi dy-herë, nga Thaçi dhe Mustafa, në Bruksel i marrëveshjes për asociacionin një etnik serb dhe kërkesa publike e Hashim Thaçit, në Austri për ndarjen e Kosovës, pikërisht "tradhtarët" Vllasi dhe Surroi, mund dhe duhet të përdoren, si traktor, qoftë edhe të prodhuar në ish Jugosllavi, për nxjerrjen e qerres së Kosovës nga lluqi dhe bataku, ku e kanë futur, "patriotët" me nam dhe politikanët e gjithëdijshëm si Thaçi e Mustafa me shokë, në mënyrë që shteti ynë i brishtë, të shpëtoj me sa më pak dëme dhe pasoja, nga mëkatet e Thaçit, të cilat edhe pas arrestimit të tij nga Gjykata Speciale, vazhdojnë të rëndojnë pamëshirshëm mbi kurrizin e Kosovës”, shprehet ai.
Sipas analistit, për aq më tepër, siç po shihet edhe në rrafshin praktik, tash e një kohë të gjatë, roli i BE-së, në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, është zbehur aq shumë, sa që vetëm balancimi, pikësëpari i vet ndërmjetësuesve të bisedimeve nga BE, duke zëvendësuar z. Lajçak me një diplomat gjerman, pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të SHBA-ve në dialog dhe ngritja e padisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kundër Serbisë okupatore, për krime lufte dhe gjenocidin e shkaktuar në Kosovë ndaj shqiptarëve të pambrojtur, mund ta detyrojnë kriminelin Vuçiqi si ish ministër i Millosheviqit dhe president aktual i Serbisë okupatore që ta njoh definitivisht pavarësinë Kosovën.
“Ndaj Kosova para se të humb kohë dhe shpenzojë energji kot, duke menduar se si ta mënjanoi Surroin nga bisedimet, duhet të mendojë dhe përpiqet deri në fund, për balancimin e përfaqësuesve të BE-së, që do ta ndërmjetësojnë dialogun Kosovë- Serbi, dhe të kërkoj me këmbëngulje që në vend të Mirosllav Lajçakut, të emërohet një politikan i shquar gjerman, në mënyrë që të mos jenë të dy ndërmjetësuesit nga vendet të cilat as 21 vite pas lufte nuk e njohin Kosovën. Dhe vet fakti që të paktën njëri prej përfaqësuesve të BE-së, të jetë nga një shtet i fuqishëm evropian që ka njohur Kosovën, si Gjermania do të ishte shumë më i rëndësishëm se sa fronti i hapur kundër Surroit, sidomos kur kihet parasysh se kancelarja Angela Merkel jo vetëm që ka përkrahur e mbështetur në vazhdimësi vendin tonë, por ka shpëtuar edhe nga ndarja Kosovën, duke hedhur kategorikisht poshtë, marrëveshjet e fshehta Thaçi –Vuçiq dhe aventurat renegate, antishtetërore dhe antikombëtare të kuislingut Hashim Thaçi, të cilat atëherë e sot, kërcënojnë të tashmen dhe të ardhmen e shtetit tonë të brishtë dhe vazhdojnë ti varen mbi qafë, si gur të vdekjes, Kosovës”, përfundon analisti politik Gani Qarri.