“E zbuloi edhe mediumi amerikan skenarin e frikshëm Thaçi-Vuçiq”/ Ish-zv.ministri shpërthen ndaj PDK-së: Po turpëroheni nga tradhtia!

Politika

“E zbuloi edhe mediumi amerikan skenarin e frikshëm Thaçi-Vuçiq”/ Ish-zv.ministri shpërthen ndaj PDK-së: Po turpëroheni nga tradhtia!

Nga: N.Sh Më: 26 maj 2021 Në ora: 22:50
Hashim Thaçi dhe Aleksander Vuçiq

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë ftesë të gjitha partive politike që të dakordohen për procesin e dialogut me Serbinë.

LDK-ja dhe AAK-ja janë takuar me Kurtin, kurse PDK-ja e ka refuzuar ftesën e kryeministrit Kurti.

E arsye pse PDK-ja po refuzon takimin me Kurtin, sipas ish-zëvendësministrit të MPB-së janë të palarat e kësaj partie nga e kaluara.

Kështu po mendon eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, i cili shprehet se, tani kur vendi po qeveriset nga LVV me në krye me Albin Kurti, gjithçka çka po ndërmerr kjo qeveri, sipas tij, po kritikohet nga ish partitë që deri dje e qeverisën këtë vend, sepse me veprimet që po i ndërmerr po fillon ti zbulon të gjitha të “palarat” e ish qeverive të kaluara.

“Kjo është arsyeja kryesore pse sidomos PDK-ja, si parti politike që e ka bartë mbi vete tërë procesin e deritashëm të dialogut me Serbinë, po refuzon të gjitha format e bashkëpunimit edhe në procesin e dialogut, sepse aty janë dallaveret e Hashim Thaçit. PDK-ja nuk do të jetë pjesë e konsultimeve por as e dialogut me Serbinë, dhe këtë refuzim është duke e bërë që së pakut të mos jetë aty kur të zbulohen mega skandalet e ish presidentit të shtetit Hashim Thaçi, i cili deri në shkuarjen në Gjykatën Speciale, ishte në krye të të gjitha proceseve, prandaj PDK në veçanti po e refuzon ftesën për konsulta dhe pjesëmarrje në ekipin e vazhdimit të mëtejmë të bisedimeve me Serbinë, për arritjen e marrëveshjes finale”, thotë Tërnava.

Ai shprehet se është e kuptueshme se është frika e pjesëmarrjes së PDK-së në dialog.

Image
Hajrullah Tërnava

“Kjo ndodh nga turpi që mundë të ndodhë duke u zbuluar të gjitha prapaskenat e dikurshme të Hashim Thaçit për marrëveshjen e fshehtë me opsionin e ndarjes në shkëmbim të amnistimit të tij eventual nga Gjykata Speciale, me intervenim të presidentit serb. Për këto plane vazhdimisht ka shkruar dhe dëshmuar edhe shtypi prestigjioz ndërkombëtar. Më ne fund këtë skenar të tillë të pazarit të fshehtë Thaçi & Vuçiqi e ka zbuluar edhe mediumi i madh amerikan me bazë në Nju York, “Bloomberg” në një shkrim të gjatë për gjendjen në Ballkanin Perëndimor, ka ndarë detaje interesante për përpjekjet e dy superfuqive, SHBA-së dhe Rusisë, që të vazhdojnë ndikimin në këtë rajon, e me këtë edhe në raportet mes Kosovës dhe Serbisë në fazën e dialogut për marrëveshje finale dhe pajtim, e ku sipas këtij mediumi, ishte ndërhyrja direkët e Gjermanisë dhe kancelares Angela Merkel që e nxori jashtë agjendës projektin Thaçi - Vuçiq për ndryshim kufijsh, për ndarjen e Kosovës, që ishte projekt i Serbisë dhe Rusisë”, potencon tutje Tërnava.

Sipas tij, shqetësimi i Merkelit, ndryshe nga të tjerët, ishte se një ide e tillë do të rihapte plagët e luftës, dhe jo vetëm në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Në bazë të bisedimeve që do të ndodhin si vazhdim të dialogut me Serbinë do të zbardhen të gjitha prapaskenat e turpshme të Hashim Thaçit për pazare në përpjekje të shpëtimit të lëkurës së tij nga Gjykata Speciale, skenar që dështoi dhe përfundoi turpshëm, dhe kjo është arsye e tanishme pse PDK nuk shkon në dialog të ekipit të Kosovës me Albin Kurtin, nuk shkon madje as në konsultime, derisa takimin konsultativ e kanë pranuar dy subjektet tjera politike opozitare, LDK dhe AKK, Ramush Haradinaj dhe Lumir Abdixhiku”, përfundon Hajrullah Tërnava.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat