Arsyet pse SHBA-të duhet të jenë pjesë e dialogut, kurthet nga të cilat duhet të ketë kujdes Kosova

Politika

Arsyet pse SHBA-të duhet të jenë pjesë e dialogut, kurthet nga të cilat duhet të ketë kujdes Kosova

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 27 maj 2021 Në ora: 08:49
Presidenti amerikan, Joe Biden

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet njëra ndër temat më të ndjeshme për vendin tonë.

Mosarritja e një marrëveshje finale ka bërë që dialogu të vazhdojë mes dy shteteve.

Të gjendur përballë kësaj dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është paralajmëruar që do të mbahet në qershor të këtij viti.

Kështu, kryeministri Kurti në momentin që u vendos muaji se kur do të rinisë dialogu, theksoi që do të mbajë takim me opozitën dhe kështu ndodhi.

Kryeministri Kurti të martën u takua me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, ndërsa të mërkurën me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhikun.

Haradinaj pas takimit tha se me kreun e Qeverisë kanë biseduar për tema të rëndësishme për vendin, e në veçanti për dialogun me Serbinë.

Sipas tij, ShBA-ja duhet ta emërojë një emisar për dialogun me Serbinë.

“Tema ishte dialogu me datën 6 maj i kanë dërgua letër kryeministrit dhe kam kërkuar takim për çështjen e dialogut dhe pas kërkesës u kemi përgjigjur takimit. I kemi dëgjuar qëndrimet e kryeministrit dhe kam shprehur shqetësimet e mia. Prezencën e ShBA-së është më se e nevojshme, do të ishte me dobi emërimi i emisarit nga Amerika. Lajçak është një nivel i ulët i përfaqësimit për agjendën tonë. E ardhmja e dialogut është e rëndësishme”, është shprehur për media Haradinaj.

Në dialogun me Serbinë dihet që në favor të Kosovës gjithmonë do të ishte prezenca e Amerikës, pasi që janë shtete mike që kanë ndihmuar vazhdimisht Kosovën.

Mirëpo se a do të realizohet një kërkesë e tillë e Haradinajt për “Bota sot”, analistët thonë se do të ishte më e duhura për vendin.

Sipas tyre Amerika ka gjithmonë aleate e Kosovës dhe si e tillë duhet të jetë pjesë e këtij dialogu.

Shahu: SHBA duhet të jetë pjesëmarrëse në dialogun Kosovë-Serbi

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se SHBA duhet të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi pasi që vendi ynë është këtu ku është falë asaj.

Sipas tij çdo opsion tjetër duhet të refuzohet sepse politika e Prishtinës duhet të bëhet me udhëheqje të Amerikës.

“SHBA nuk duhet vetëm të jetë pjesëmarrëse në dialogun Kosovë - Serbi, por duhet të jetë udhëheqëse e këtij dialogu për arsyen e thjeshtë se Kosova është projekt e sponsorizim amerikan. Shteti i Kosovës është në këtë botë falë kujdesit amerikan i cili duhet të vazhdojë deri në kryerje të plotë, në uljen e Kosovës në OKB. Çdo pallavër tjetër e Prishtinës dhe politikanëve të saj dalezotesa, çdo kurth i Tiranës duhen refuzuar. Politika në Prishtinë të paktën të bëhet e ndershme e të pohojë me plot gojën se pa udhëheqje amerikane nuk mund të arrijë synimet e veta”, është shprehur Shahu.

Image
Rexhep Shahu

 

Më tej, ai shton se është shumë pozitive që Haradinaj ka biseduar me Kurtin, pasi kreu i AAK-së ka përvojë në dialogun me Serbinë dhe se është e drejtë që të caktohet një emisar nga Amerika në mënyrë që udhëheqja të bëhet me ndihmën e saj.

“Amerika për Kosovën është gjithmonë Amerika që e ka çliruar dhe e ka pavarësuar. Emrat e të dërguarve amerikane, të emisarëve apo këshilltarëve amerikane nuk mund t’i caktojnë liliputët e Prishtinës. Haradinaj ka më shumë përvojë se Albini në gjithçka për shtetin e Kosovës dhe e shoh si gjë pozitive komunikimin me Kurtin. Albini që ka vetëm përvojë protestash antiqeveritare, le të protestojë tani dhe të ngul këmbë se nuk ka dialog pa udhëheqje amerikane”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Kapiti: Me SHBA-të mund të afrohet marrëveshja finale e Kosovës me Serbinë

Ndërsa, njohësi tjetër politik, Skënder Kapiti, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha se pa SHBA-të, Evropa nuk ka mundur të gjejë një zgjidhje për Kosovën gjithashtu as vetë nuk e ka të siguruar as veten përballë kërcënimeve të Rusisë tash dhe ish-Bashkimit Sovjetik më herët, andaj është e duhura që SHBA të jetë pjesë e dialogut.

Image
Skënder Kapiti

 

Gjithashtu, ka thënë se Evropës nuk mund t’i zëmë besë pasi që gjithmonë i ka mbajtur krahun Serbisë.

“Dihet se që pas Luftës së Dytë Botërore, Evropa nuk mundi të bëjë zgjidhje në kontinentin e vjetër pa ndihmën e SHBA-ve, madje pa SHBA edhe vetë Evropa nuk e ka sigurinë të garantuar përballë kërcënimit, dje nga ish Bashkimi Sovjetik dhe sot nga Rusia. Nisur nga ky këndvështrim ashtu sikurse pa ndërhyrjen e NATO-s nën drejtimin e SHBA -ve nuk do të ishe bërë e mundur ndalja e gjenocidit serb dhe as çlirimi e as pavarësimi i Kosovës, ashtu sikurse pa ndihmën e SHBA-ve Kosova nuk do ta kishte arritur kurrë këtë numër njohjesh nga shtete e tjera, ashtu sikurse pa SHBA-të nuk është arritur asgjë në marrëveshjet Kosovë-Serbi. BE, pra Evropa nuk është në gjendje për të zgjidhur probleme ndërkombëtare e madje as ato brenda hapësirës së kontinentit të saj, përveçse që është ironik fakti që vetëm qytetarët e Kosovës akoma nuk kanë lirinë për të lëvizur pa viza në BE. Te Evropa nuk është e vështirë për ta konstatuar se ajo si ndërmjetësuese në dialogun Kosovë-Serbi ka mbajtur anën e Serbisë, dhe asaj edhe nuk i zihet shumë besë, pasi gjithmonë zgjidhjet që ka dhënë dhe ofruar Evropa në Ballkan kanë qenë kundër dhe në dëm të shqiptarëve”, ka theksuar Kapiti.

Serbia të pranojë SHBA-të në dialogun me Kosovën

Tutje, analisti ka vlerësuar se pjesëmarrja e Amerikës është në dobi të Kosovës dhe duhet të jetë në këtë dialog.

Mirëpo Kapiti nuk përjashton mundësinë që BE të ftojë Rusinë në këtë dialog mirëpo të njëjtën nuk duhet ta pranojë BE-ja.

“Logjikshëm vjen edhe nevoja që për bisedimet Kosovë-Serbi të jenë SHBA si pjesëmarrëse në dialog gjë e cila është në favor të Kosovës dhe për të cilën janë jo vetëm Haradinaj por janë të gjithë shqiptarët, pasi shqiptarët kanë besim te Amerika si aleate e madhe dhe besnike e shqiptarëve. E ndoshta për këtë, po qe se SHBA marrin pjesë në këtë dialog, Serbia mund të kërkojë që të përfshihet edhe Rusia. Mirëpo këtë nuk mund dhe nuk duhet ta pranojë BE-ja, pasi nuk është koha e viteve 1999 e Grupit të Kontaktit dhe as e Rambujesë, sepse sot kemi një realitet tjetër, kur Kosova është tashmë shtet i pavarur, dhe në bisedimet Kosovë – Serbi ndërmjetës duhet të jenë BE, pasi në BE kërkojnë që të anëtarësohen edhe Kosova, edhe Serbia”, ka potencuar analisti.

Në fund, ai ka shtuar se nëse duan që të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë duhet të jetë prezent SHBA-të dhe jo Rusia e Kina.

Duke mos lënë anash që Serbisë nuk i ka mbetur rrugë tjetër përveç se të pranojë SHBA-të në dialog.

“Në këtë dialog duhet të përfshihen SHBA-të që të arrihet marrëveshje Kosovë-Serbi, pasi aleate e BE-së janë SHBA-të dhe jo Rusia e as Kina. Serbia është e detyruar t’i nënshtrohet detyrimisht dhe ta pranojë si pjesëmarrëse në dialog SHBA-të, pasi koha nuk i premton dhe nuk është më në favor të Serbisë që të sillet ndryshe”, ka deklaruar Skënder Kapiti për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat