BE dështoi me dialogun, shpresat te SHBA-të për zgjidhjen e konfliktit me Serbinë, ja çfarë mund të bëjë Joe Biden

Politika

BE dështoi me dialogun, shpresat te SHBA-të për zgjidhjen e konfliktit me Serbinë, ja çfarë mund të bëjë Joe Biden

Nga: A.SH Më: 27 maj 2021 Në ora: 13:56
Presidenti amerikan, Joe Biden

Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është stërzgjatur. E ky proces përsëri pritet të fillojë në qershor për njohje përfundimtare.

Kurse për këtë, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se në këtë proces duhet të ndërhyjnë SHBA-të sepse BE nuk mund të çojë në një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, për arsye se ka disa vite që po ndërmjetëson këto bisedime dhe nuk kemi ndonjë rezultat konkret.

Lidhur me këtë, veprimtari nga Amerika dhe njëherësh njohësi i çështjeve politike, Ramazan Bekteshi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se BE-ja nuk mund të merret vesh me vetveten.

“Bashkim Evropian nuk mund të çojë një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë për arsye se ka disa vite që po ndërmjetëson këto bisedime dhe nuk kemi ndonjë rezultat konkret. Mendoj që SHBA mund ta detyrojë Serbinë që të shkojë në këtë drejtim”. “Z. Shaip Kamberi ka të drejtë për një kërkesë të tillë pasi BE-ja nuk mund të merret vesh me vetveten. Statusi neutral karshi Kosovës dhe paaftësia e dy negociatorëve Borell dhe Lajçak për të bindur shtetet e veta për njohje nga ata pak të mbetura tregon paaftësinë e BE për të kryer një punë të madhe në oborrin e vet pa ndihmën amerikane. Në anën tjetër, amerikanët gjatë mandatit të Trumpit thuajse kanë pasur një qasje neutrale duke ua lënë palëve që të gjejnë një zgjidhje. Meqë Thaçi ka pasur një qasje të gabuar në dëm të Kosovës me aventurat e tij për ndërrim kufijsh dhe në mënyrë indirekte i përkrahur nga Rama, të dy këta, çështjen e Kosovës e kanë devalvuar fort. Kur të kemi parasysh se Thaçi-Mustafa me marrëveshjet e pafavorshme të arritura vite më parë e kanë vënë qeverinë e re në një situatë të pafavorshme. Çdokush pret nga qeveria e tashme të përmirësojë disa nga gabimet fatale të bëra në të kaluarën dhe të ballafaqohet me çështjet e mbetura pa u zgjedhur që realisht edhe optimistët më të mëdhenj kanë skepticizëm”, ka thënë Bekteshi.

Image
Ramazan Bekteshi

 

Sipas tij, Vuçiq i cili duhet të përgjigjet për krime lufte ndaj njerëzimit, e frenon marrëveshjen me kërkesa absurde, të padrejta dhe për këtë BE i ndihmon fort me neutralitetin dhe paaftësinë e saj që të bind vendet e mbetura që të njohin Kosovën.

“Duke e njohur nacionalizmin e verbër të Vuçiqit, krimet që ka bërë ai në bashkëpunim me kryekriminelët serb është vështirë t’i besohet një marrëveshje të mundur përfundimtare. Ai në vend se të përgjigjet për krime lufte ndaj njerëzimit, ai e frenon marrëveshjen me kërkesa absurde, të padrejta, me qëllim që shtetin tonë ta bëjë disfunksional, kërcënohet se kurrë s’do ta njohë Kosovën dhe gjasat janë që kjo s’do të ndodhë në mandatin e tij, sepse ai me qindra herë e ka treguar qëndrimin e tij ndaj shtetit tonë e që BE i ndihmon fort me neutralitetin dhe paaftësinë e saj që të bind vendet e mbetura që të njohin Kosovën. Flirti i tij herë me Rusinë e herë me Kinën dhe me të dyja bashkë ia zgjasin jetën qeverisë së tij për të përfunduar sërish mandatin e tij, duke e mbajtur marrëveshjen nën kthetra, duke qenë gjithmonë në ofanzive për shkak të paaftësisë sonë dhe pozitës pasive që të marrim fatin e vendit në duar tona edhe pse e drejta është në anën tonë”, ka theksuar Bekteshi.

Në fund, ai ka shtuar se shpresat tona bazohen në veprimin amerikan dhe ajo tanimë e ka të qartë se roli i saj duhet të jetë parësor, derisa ka thënë se BE ka rënë në provim me Kosovën në çdo hallkë dhe se stërzgjatja e problemit vetëm se mund të ketë pasoja shpërthimi.

“Meqenëse kryetari Biden e njeh çështjen e pazgjedhur të Kosovës në Ballkan më mirë se çdokush më parë, andaj dhe pritshmëria e qytetarit kosovar dhe shqiptaro-amerikanëve është e madhe për shkak të votës së tyre që ia dhanë Bidenit dhe veprimit të tij epik së bashku me Senatorin Republikan McCane, që sponsorizuan rezolutën për sulm ndaj Jugosllavisë. Ai deri më tani si kryetar, nuk ka treguar ndonjë vëmendje të posaçme për Kosovën për shkak të pandemisë, plagës së pashëruar të protestave dhe vështirësive që ballafaqohet vet shteti amerikan. Mbetet të shihet se a do të pres Biden dy vitet e fundit të mandatit të tij për të marrë një ‘ofensivë klintoniane’ si ajo e 99-tës për ta përfunduar problemin e stërzgjatur me fajin e BE-së dhe vet paaftësisë së qeverive kosovare, apo do të fillojë më herët. Shpresat tona bazohen në veprimin amerikan dhe ajo tanimë e ka të qartë se roli i saj duhet të jetë parësor pa e përjashtuar edhe rolin e saj fasilitues hiperaktiv sepse BE ka rënë në provim me Kosovën në çdo hallkë dhe se stërzgjatja e problemit vetëm se mund të ketë pasoja shpërthimi”, ka deklaruar Ramazan Bekteshi për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat