Deputeti i Vetëvendosjes, Fitim Uka, ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka hequr dorë nga vendosja e reciprocitetit ndaj Serbisë, sepse është një parim i Vetëvendosjes.
Ai ka thënë se po bëhen përgatitje më të mira që kur ai të vendoset të mos dështojë.
“Reciprociteti është politikë e Lëvizjes Vetëvendosje. Këtë e kemi dëshmuar edhe në Qeverinë Kurti 1, mirëpo ka disa mësime të vlefshme që janë marrë në Qeverinë Kurti 1. Së fundmi është emëruar edhe shefi i ri i Doganës dhe na duhet të bëjmë një përgatitje të kujdesshme që ajo të mos dështojë”.
Lidhur me këtë, analisti Adem Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka theksuar se çdo veprim Kurti e ndërmerr me administratën Biden, ndërsa opozita me destruktivitetin e tyre vetëm se e ndihmojnë Qeverinë Kurti.
Më tej Bytyçi shtoi se Kurti do e zbatojë parimin e reciprocitetit, vetëm atëherë kur është momenti i duhur.
“Z. Kurti të gjitha veprimet i ndërmerr në konsultim me Administratën Biden. Se çka thonë opozitarët është në gjykimin e tyre. Qëllimi i opozitës nuk është të ndihmojnë qeverinë Kurti, në as një proces të vetëm, për veç të kritikojnë edhe atëherë kur nuk ka qa të thotë, zaten kur opozita është destruktive sado pakë qeverisë vetëm sa i ndihmon, duke menduar se po ia shpalos të metat. Edhe një herë z. Kryeministri Kurti do ta zbatojë parimin e reciprociteti me Serbinë, atëherë kur e vlerëson se është momenti më i përshtatshëm në interes të Kosovës”, ka deklaruar Adem Bytyçi për gazetën “Bota sot”.