Marrëveshja për demarkacionin me Malin e zi është duke u rishikuar.
Kështu ka njoftuar, Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla para deputetëve në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë.
Këtë deklaratë të Gërvallës e ka komentuar për “Bota sot” analisti politik, Faton Mehmeti.
Ai është shprehur se Gërvalla nuk ka tregon se në çfarë niveli është duke u diskutuar rishikimi i demarkacionit.
“Gërvalla ka deklaruar, por pa saktësuar asgjë në këtë aspekt, pra s`po tregon se në çfarë niveli është duke u diskutuar rishikimi i demarkacionit dhe çfarë përmban një gjë e tillë. Nuk mjafton vetëm të thuash po rishikohet, por të përcaktohet konkretisht se çka. Kjo gjë është e duhur dhe e mirëpritur për Kosovën, kur dihet se ka pasur parregullsi në këtë proces”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.
Gjithashtu, Mehmeti ka shtuar se qeveria të jetë më transparente në këtë drejtim.
“Rishikimi i demarkacionit është i domosdoshëm, nëse ka lëvizje në këtë aspekt e përshëndes, mirëpo nuk e kam ende të qartë se për çfarë konkretisht po diskutohet në këtë rishikim. Shpresoj e qeveria të jetë më transparente në këtë drejtim, ndryshe lindin shumë dyshime e të cilat edhe sjellin paqartësi tek qytetarët. Qeveria duhet të jetë më e qartë, më konkrete në këtë aspekt, me rishikimin si nevojë që duhet përmisuar gabimet që kanë ndodhur në miratimin e saj në kuvendin e Kosovës”, ka thënë Mehmeti për “Bota sot”.