S’ka zgjidhje pa Amerikën, vetëm kështu Vuçiq mund të bindet ta njohë Kosovën si shtet

Politika

S’ka zgjidhje pa Amerikën, vetëm kështu Vuçiq mund të bindet ta njohë Kosovën si shtet

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 28 maj 2021 Në ora: 18:00
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë vazhdon të jetë temë diskutimi. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pritet të nis në qershor, diskutim ky për njohje përfundimtare.

Gjithmonë procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është bërë me ndërmjetësimin e BE-së, por po kërkohet që pjesë e procesit të jenë edhe SHBA-të.

Për këtë kryeministri Albin Kurti ka ftuar në takim partitë opozitare për të bashkëbiseduar për çështjen e dialogut.

Por procesi i dialogut është bërë temë diskutimi edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Së fundi, deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi thotë se vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mund ta detyrojnë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq të njohë Kosovën dhe atë duke bërë presion të drejtpërdrejtë.

“Bashkim Evropian nuk mund të çojë një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë për arsye se ka disa vite që po ndërmjetëson këto bisedime dhe nuk kemi ndonjë rezultat konkret. Kemi disa marrëveshje të nënshkruara të cilat deri tani nuk janë respektuar. Serbia akoma nuk është përballur me një presion të drejtpërdrejtë ndërkombëtar për të bërë hapin përfundimtar në drejtim të Kosovës. Mendoj që SHBA mund ta detyrojë Serbinë që të shkojë në këtë drejtim”, ka thënë Shaip Kamberi në një deklaratë të tij.

Qarri: BE as nuk parasheh një marrëveshje me njohje reciproke, shpresat janë vetëm te SHBA

Image
Gani Qarri

Lidhur me këtë, analisti politik Gani Qarri, për “Bota sot” ka thënë se roli i BE-së në këtë proces është zbehur, duke përmendur disa nga arsyet që bisedimet i kanë nxjerr tërësisht nga binarët rrugëtimin normal të procesit të bisedimeve me këtë shtet okupator.

Sipas tij, rifillimi i bisedimeve dhe vijimi i tyre në formën dhe mënyrën e deritanishme, vetëm sa mund ta zvarrisin edhe për shumë vite këtë çështje.

“Roli i BE-së në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, është zbehur aq shumë, sa që vetëm balancimi, pikësëpari i vet ndërmjetësuesve të bisedimeve nga BE, duke zëvendësuar z. Lajçak me një deputet gjerman, ndihmën e SHBA-ve dhe ngritja e padisë para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, kundër Serbisë okupatore, për krime lufte dhe gjenocidin e shkaktuar në Kosovë ndaj shqiptarëve të pambrojtur, e cila si asnjë shtet tjetër në botë, ka kidnapuar edhe trupat e viktimave, eshtrat e të cilëve edhe sot, mese 22 vite pas lufte vazhdojnë të nxirren nga varrezat masive gjithandej Serbisë, mund ta detyrojnë kriminelin Vuçiqi si ish ministër i Millosheviqit dhe Serbinë okupatore që ta njohin Kosovën e pavarur. Për aq më tepër, siç dihet tanimë nga opinioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar, kërkesa publike për ndarjen e Kosovës nga Hashim Thaçi dhe futja e kësaj teme me ndihmën e ndërmjetësueses së BE-së për dialog, neo-komunistes italiane Federica Mogherini në tryezë të bisedimeve, ka nxjerr tërësisht nga binarët rrugëtimin normal të procesit të bisedimeve me këtë shtet okupator, i cili edhe sot e kësaj dite shpreh pretendime të hapura territoriale ndaj vendit tonë. Ndaj rifillimi i bisedimeve dhe vijimi i tyre, në formën dhe mënyrën e deritanishme, vetëm sa mund ta zvarrisin edhe për shumë vite këtë çështje, sa për të avancuar Serbia në realizimin e kapitujve, në rrugëtimin e saj, për integrim në Bashkimin Evropian, por Kosova do të ngelet kështu siç ka mbetur tash e mbi 20 vite”, ka thënë Qarri.

Tutja Qarri ka thënë se parimi për marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje të dyanshme reciproke, procesi ka denigruar në aventurë për ndryshime kufijsh dhe këmbime territoriale.

“Kjo për vet faktin se, nga parimi për marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje të dyanshme reciproke, procesi ka denigruar në aventurë për ndryshime kufijsh dhe këmbime territoriale, fillimisht ndërmjet Kosovës e Serbisë, ndërsa me projektet më të reja, të bëra publike përmes hartave me "non-papper" pa emër, përfshihet lëvizja e kufijve gati në të gjitha njësitë e ish federatës jugosllave, përveç Sllovenisë, ku veriu i Kosovës tentohet të shndërrohet në distrikt autonom me kompetenca shtetësie, ndërsa Bosnja e sotme, të shkatërrohet tërësisht duke u gllabëruar 51-53 % të territorit të saj, nga Serbia, me qëllim që kombësia boshnjake, të izolohet nga të gjitha anët dhe tokat që ata sot posedojnë, edhe ato, në një të ardhme të afërt t’i mbeten Serbisë. Shto kësaj edhe faktin tjetër se si shefi për politikë të jashtme i BE-së Josep Borell ashtu edhe ndërmjetësuesi aktual i bisedimeve Miroslllav Lajçak vijnë nga dy shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, vende të cilat edhe 21 vite pas përfundimit të luftës, ende mbajnë qëndrim ekstreme, kundër statusit të pavarur të vendit tonë”, shprehet Qarri.

Ai deklaron se BE as nuk parasheh një marrëveshje me njohje reciproke, por vetëm me "përmirësim " të marrëdhënieve, gjë që, është vështirë ta shpjegojnë edhe ata vet, se çfarë domethënie do të kishte një marrëveshje e tillë, andaj në këtë proces vetëm te SHBA dhe presidenti Joe Biden janë shpresat.

“Ndaj, nga njerëz të tillë në BE mund të pritet shumë pak, për të mos thënë asgjë fare, kur dihet se edhe vet BE, jo vetëm që nuk ka qëndrim unik, por ajo vazhdon të mbetet ende neutral ndaj statusit të Kosovës. Dhe sikur mos të mjaftoni as të gjitha këto, BE madje as nuk parasheh një marrëveshje me njohje reciproke, por vetëm me "përmirësim " të marrëdhënieve, gjë që, është vështirë ta shpjegojnë edhe ata vet, se çfarë domethënie do të kishte një marrëveshje e tillë, kur problemin e njohjes e lë të hapur, akt i cili pa vonuar shumë, do të bëhej shkak për agresione të reja territoriale të Serbisë okupatore, ndaj Kosovës së pavarur. Kështu që duke pasur parasysh të gjitha këto, vetëm SHBA dhe presidenti aktual i këtij vendi të madh mik, Joe Biden, si në qëndrimet e tij ashtu edhe në letrën dërguar, para do kohe, presidenti serb, kriminelit Aleksandër Vuçiq, ka kërkuar zyrtarisht, zhvillimin e bisedimeve për marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje reciproke ndërmjet dy vendeve, ndaj deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, z.Shaip Kamberi, ka plotësisht të drejtë, kur thotë se vetëm SHBA, mund ta detyrojnë presidentin e Serbisë, që ta njohë Kosovën”, thekson më tej Qarri.

Ai shton se Kosova e ka të domosdoshme që të kërkojë zëvendësimin e z.Lajçak me një diplomat gjerman, përndryshe BE me Borrell e Lajçak, jo vetëm që nuk mund të çojë në kurrfarë marrëveshje përfundimtare, por as në pajtimin afatgjatë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Por në anën tjetër, për kurorëzimin me sukses të bisedimeve, Kosova është e domosdoshme që të kërkojë zëvendësimin e z.Lajçak me një diplomat gjerman dhe personalitet të shquar të këtij shteti mik që në vazhdimësi ka mbështetur pavarësinë dhe tërësinë territoriale të shtetit tonë të brishtë, kancelarja e të cilit Angela Merkel ka parandaluar edhe ndarjen e Kosovës, si balancim i përfaqësuesve të vet BE-së, në bisedime. Përndryshe Bashkim Evropian me njerëz si Josep Borell dhe Miroslav Lajçak, të cilët që të dy, vijnë nga shtete të cilat nuk e njohin Kosovën e pavarur, jo vetëm që nuk mund të çojë në kurrfarë marrëveshje përfundimtare, por as në pajtimin afatgjatë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për aq më tepër, BE ka më se një dekadë që bënë sikur ndërmjetëson, pa asnjë sukses këto bisedime dhe përveç dëmeve të shkaktuara Kosovës, duke cenuar hapur rregullimin e brendshëm shtetëror me "zajednicat" një etnike serbe, ka rrezikuar publikisht edhe tërësinë territoriale të vendit tonë, me lejimin e temave për ndarjen e Kosovës dhe tash e mbi 10 vjet me radhë nuk kemi, gati asnjë rezultat konkret, madje edhe shumica e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, sot e asaj dite, nuk zbatohen as respektohen fare nga Serbia”, ka deklaruar Gani Qarri për “Bota sot”.

Shahu: Amerika për Kosovën është domosdoshmëri, të jetë udhëheqëse në dialog

Image
Rexhep Shahu

Edhe analisti Rexhep Shahu, lidhur me këtë temë, ka thënë se përveç që pajtohet me deklaratën e deputetit Kamberi, është shprehur se nuk do të ketë asnjëherë zgjidhje as dialog, as marrëveshje shqiptaro-serbe pa diktimin e këmbënguljen amerikane, duke thënë se BE duhet të strukturohet dhe në të ka shumë mendje andaj nuk janë njëzëri.

Kjo sipas tij, se vet shteti i Kosovës është para se gjithash projekt dhe investim amerikan, është shtet shqiptar me garanci amerikane, që e mbron dhe e siguron Amerika.

“Deklarimi i deputetit Shaip Kamberi më kujton se kam shumë vite që këmbëngul në atë që besoj se nuk do të ketë asnjëherë zgjidhje as dialog, as marrëveshje shqiptaro-serbe pa diktimin e këmbënguljen amerikane, pa praninë e drejtpërdrejtë amerikane, pa presionin e drejtpërdrejt amerikan, pa imponimin amerikan. Arsyeja është e thjeshtë, Kosova është para se gjithash projekt dhe investim amerikan, është shtet shqiptar me garanci amerikane, që e mbron dhe e siguron Amerika. BE ende nuk mundet të strukturohet në një mendje si Amerika sepse BE ka shumë mendje dhe është e vështirë që kori evropian të mos këtë zëra stonues, zëra jo aq Kosovëdashës”, është shprehur Shahu.

Duke shtuar se, Amerika për Kosovës është domosdoshmëri dhe ajo duhet të jetë udhëheqësi në dialog.

“Amerika për Kosovën është domosdoshmëri. Ajo nuk duhet vetëm të jetë pjesëmarrëse në dialogun Kosovë - Serbi, por duhet të jetë udhëheqëse e këtij dialogu për arsyen e thjeshtë se Kosova është projekt e sponsorizim amerikan, shteti i Kosovës është në këtë botë falë kujdesit amerikan i cili duhet të vazhdojë deri në kryerje të plotë, në uljen e Kosovës në OKB. Çdo pallavër tjetër e Prishtinës dhe politikanëve të saj dalëzotësa, çdo kurth i Tiranës duhen refuzuar. Politika në Prishtinë të paktën të bëhet e ndershme e të pohojë me plot gojë se pa udhëheqje amerikane nuk mund të arrijë synimet e veta. Ta harrojë qeveria e Kurtit dhe të bëhet me turp edhe sot për denigrimin që mendonte se po ia bënte të dërguarit amerikan Grenell. Amerika për Kosovën është gjithmonë Amerika që e ka çliruar dhe e ka pavarësuar Kosovën që kemi, Kosovën shtet të ri, të lirë e të pavarur si historia më e madhe e suksesit botëror”, përfundon Shahu për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat