“Ndjen dhimbje për skenarët e parealizuar të Thaçit dhe Mustafës”, Hysenit i vjen “goditja” për kritikat ndaj LDK-së e Kurtit

Politika

“Ndjen dhimbje për skenarët e parealizuar të Thaçit dhe Mustafës”, Hysenit i vjen “goditja” për kritikat ndaj LDK-së e Kurtit

Nga: A.Z Më: 31 maj 2021 Në ora: 16:50
Albin Kurti dhe Skender Hyseni

Zyrtari i LDK-së, Skender Hyseni ka thënë se nuk i kanë pëlqyer shumë zyrtarë të lartë në LDK po bëjnë rehabilitimin e Albin Kurtit.

“Më kanë lënë shumë shije të keqe paraqitjet e shumë zyrtarëve të lartë të LDK-së në media. Edhe këto dy-tri netët e fundit kam parë top-zyrtarë të lartë të LDK-së që i bëjnë mbrojtje publike, rehabilitim zotit Kurti që nuk e kam dëgjuar edhe nga eksponentët e Vetëvendosjes. Kam përshtypjen që më shumë ata po e mbrojnë Albin Kurtin se Vetëvendosje”, tha ai.

Lidhur me këtë, analisti politik Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se kjo kritikë vjen pas një kritike publike të Mustafës, por edhe pas asaj kur tre deputetët e kësaj partie nuk votuan Osmanin, qëllimi i së cilës ishte të mos arrihej kuorumi.

E gjitha kjo sipas Bytyçit do të thotë se njëri kërkon eliminimin e Kurtit, ndërsa tjetri bën opozitë serioze. Bytyçi shtoi se pikëpamjet e Mustafës dhe Hysenit me partinë e Prontomanisë dëshmojnë se kanë bashkëpunuar në dëm të Kosovës.

“Deklarata e zotit Hyseni dhe kritika e tij ndaj liderëve aktualë të Lidhjes Demokratike për qëndrimin konstruktiv të tyre ndaj qeverisë Kurti ka disa elementë në prapavijë: Së pari kjo deklaratë vjen menjëherë pas një kritike publike të fshehur nën rreshta të ish-kreut të LDK-së, Isa Mustafa. Por vjen edhe pas asaj që ndodhi me zgjedhjen e presidentes Osmani, kur tre deputetë të kësaj partie nuk votuan, me qëllim që të mos arrihej kuorumi dhe vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Kjo do të thotë se në Lidhjen Demokratike të Kosovës ka dy grupime. Njëri në pakicë kërkon eliminimin politik të Albin Kurtit e Vjosa Osmanit dhe tjetri, i cili është fatmirësisht shumicë, i cili bën një opozitë serioze e njëkohësisht luajale me qeverinë e sotme. Së dyti, grupimi radikal ndjek të njëjtën vijë politike si edhe Partia Demokratike e Kosovës. Skënder Hyseni e shpreh hapur një lloj dëshpërimi që ai ndjen pse pjesa konservatore e LDK-së dhe PDK ranë nga pushteti. Konvergimi i pikëpamjeve dhe qëndrimeve të grupit të Isa Mustafës dhe Skënder Hysenit me partinë e Prontomanisë dëshmon se këta kanë bashkëpunuar dikur për objektivat e tyre të dëmshme për Kosovën. Do të thotë se kanë ndarë tortën e pushtetit, por edhe të pasurisë”, ka theksuar ai.

Image
Prof. Dr. Asoc. Enver Bytyçi

Më tej, Bytyçi kërkon që Kurti të formojë një komision hetimor për shpërdorimin e pasurisë së shëtit, dhe dëshmitë t’i dërgojë në prokurori. Sipas Bytyçit, mjafton skandali i shit-blerjes së tokave publike, prandaj për këtë qëllim duhet të ketë reforma dhe Vetting më praktikë.

“Albin Kurti duhet të ngrejë një komision hetimor për shpërdorimet e pasurisë publike dhe buxhetit të shtetit nga zyrtarët e lartë të qeverisjeve të mëparshme dhe faktet, dëshmitë e të dhënat t'i çojë në prokurori e gjykatë. Gjithkush e di se reagimet ekstreme të grupimit të tortës së pushtetit e të pasurive publike të mëparshme kanë në themel ruajtjen e privilegjeve të tyre, të pasurive të tundshme ose të patundshme, në emër të familjarëve apo të njerëzve të tjerë të besueshëm. Mjafton skandali i shit-blerjes së tokave publike me çmime që i kemi parë, që abuzuesit me pushtetin të shkojnë prapa hekurave. Por, për këtë qëllim Kosovës i duhet reforma dhe Vettingu i gjyqësorit. Jo si ai i Shqipërisë, por një Vetting e një reformë më praktike, me një arsyetim më racional, me qëllim që të vihen para përgjegjësisë ata që e kanë grabitur për dy dekada Kosovën”, shtoi Bytyçi.

Ai shtoi se Hyseni është abuzues i shtetit, i cili ndjen dhimbje për skenarët e parealizuar të Thaçit dhe Mustafës. Madje, ai thotë se kërkesat radikale të LDK-së kundër Kurtit janë të palogjikshme, sepse Qeveria Kurti ka vetëm 80 ditë qeverisje.

“Skënder Hyseni mendoj se është një nga abuzuesit dhe përfituesit e pushtetit të tij. Kam lexuar se i janë grabitur qindra mijë euro gjatë një vizite diku në Evropë. Nuk e di sa është e vërtetë kjo. Por se ai mbron disa privilegje të tij me qëndrimet që mban, kjo duket qartë. Megjithëse ka punuar si përkthyes i Doktor Rugovës, hiqet si profesor kur flet për dialogun me Serbinë. Ndjen dhimbje që skenarët e Thaçit e të Isa Mustafës nuk u realizuan në këtë dialog. Nuk e duron një qeveri ndryshe nga ajo e tija ai! Nga ana tjetër kërkesa e radikalëve të LDK-së për qëndrime të ashpra kundër qeverisë Kurti është jo logjike. Kjo për faktin se qeveria Kurti ka vetëm rreth 80 ditë në qeverisje. Sipas zakonit, edhe nusen kur e marrim diku, presim gjashtë muaj për të dhënë mendimin dhe opinionin tonë për të. Atëherë pse i ngutet Skënderit, Isës dhe të tjerëve. Me siguri që qeveria po përgatit reforma të thella, me të cilat këta dalin zbuluar. Rrezikojnë që pas humbjes së pushtetit të humbasin edhe privilegjet e tij”, potencoi ai.

Më tej, Bytyçi theksoi se kreu i LDK-së kërkon që të forcojë Lidhjen Demokratike, por mund të ketë edhe anëtarë që do të donin protesta kundër qeverisë, gjë që për këtë duhet të ketë arsye, e që për Mustafën dhe Hysenin do të ishte rruga më e mirë opozitare, sepse me mendjen e tyre shkatërrohet Kosova.

“Ndërsa grupi moderator i kryesuar nga kreu i LDK-së mesa duket kërkon që të forcojë Lidhjen Demokratike dhe jo ta dobësojë atë për interesa personale. Sjellja e moderuar e forcon LDK-në, ndërkohë që sjellja arrogante dhe ekstremiste e dobëson në elektorat. Mund të ketë anëtarë radikalë të LDK-së dhe militantë të saj që do të donin protesta dhe revolta kundër qeverisë dhe institucioneve të vendit. Por për këto duhet të ketë shkak, arsye. Cila është arsyeja e derisotme? Pavarësisht ndonjë gabimi në qeverisjen e zotit Kurti, nuk shoh arsye madhore që të bojkotosh institucionet e shtetit në modelin si i bojkoton ato Lista Srpska. Ndoshta për Isa Mustafën dhe Skënder Hysenin kjo do të ishte rruga më e mirë opozitare. Por lideri aktual i LDK-së mendon ndryshe dhe është mirë që mendon ndryshe. Me mendjen e Isës e të Skënderit LDK shkatërrohet plotësisht dhe Kosova dështon gjithashtu me sukses”, përfundoi Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat