Opinionisti dhe njohësi i çështjeve politike Idriz Zeqiraj, ka thënë se shqiptarët e Kosovës, çdo ditë e më shumë, po bindën se Donika Gërvalla është ministre unike. Ai ka komentuar akuzat e partive opozitare ndaj ministres së Punëve të Jashtme të Kosovës, për një cicërimë në rrjetin social “Twitter”, në të cilin reagohej ashpër kundër Rusisë, lidhur me arrestimin e gazetarit bjellorus Roman Protasevich.
Sipas analistit Zeqiraj, shefja e diplomacisë është e gatshme të marrë përgjegjësinë për lëshimet dhe gabimet, që bën personeli ministror.
Ai ka theksuar për gazetën “Bota sot” se Gërvalla po shpërfill kërkesën e partive të PAN-it, për të amnistuar krimin dhe kriminelët.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/May/31/auto_IDRIZ-ZEQIRAJ-550x300-11622491543.jpg)
“Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka pyetur ministren Gërvalla, rreth një cicërime në Twitter, që MPJ ka bërë, me gabime të mëdha, në gjuhën angleze, edhe pse mungonin vetëm ca lidhëse. Edhe pse reagimi kishte doza cinizmi, ministrja ishte e drejtpërdrejtë, me sinqeritetin dhe fisnikërinë e lindur: "E marr përgjegjësinë politike, për atë "Tweet". Përpjekja për të futur në 270 shkronja, ka shkaktuar një tekst pa lidhëse, duke e mirëkuptuar edhe zonjën Musliu-Shoshi, për kritikën e saj. Shqiptarët e Kosovës, çdo ditë e më shumë, po bindën se Donikë Gërvalla është ministre unike. Ajo shpërfillë kërkesën e PAN-istëve, për të amnistuar krimin dhe kriminelët. Dhe, aq më pak, të kërkojë falje, pse ka denoncuar dhe adresuar krimin, eksponentët e tij! Ndërkohë, është e gatshme të marrë përgjegjësinë, për lëshimet dhe gabimet, që bën personeli ministror, kur flasin e postojnë në emër të dikastrit të saj, me zotimin për përkujdesje maksimale herëve tjera”, ka thënë Zeqiraj.
Ai i ka quajtur qesharake sulmet ndaj ministres Gërvalla. Zeqiraj ka thumbuar ish-konsullen e Kosovës në Nju Jork, se nuk po reagon për “horllëkun”, që sipas tij, po bëhet nga stafi i ambasadës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Analisti ka akuzuar këtë staf se në mënyrë të organizuar lobon për ndarjen e Kosovës dhe zhbërjen e Gjykatës Speciale. Këtu ai përmend edhe batalionin “Atlantiku”.
“Reagimet, sulmet e sforcuara, për hiç gjë, kundër ministres Gërvalla, janë qesharake, deri në marrëzi. Zonja e kthyer nga ambasada në SHBA, duke reaguar për postimin në Twitter të MPJ, për mungesën e pak lidhëzave gramatikore, në gjuhën angleze, thotë se "me këtë është bërë horë shteti i Kosovës!" Ndërkohë, zyrtarja e lartë e ambasadës tonë në SHBA, asnjë fjalë nuk e thotë, për horllëkun që është bërë dhe vazhdon të bëhet, pikërisht, nga stafi i kësaj ambasade. Ky staf, në mënyrë të organizuar, ka lobuar dhe vazhdon të lobojë: për ndarjen e Kosovës; për zhbërjen e Gjykatës Speciale; faljen e krimeve reciproke, edhe pse ajo është krijuar nga Parlamenti i Kosovës!”, është shprehur më tej Idriz Zeqiraj.
Këtu ai përmend edhe batalionin “Atlantiku”, teksa i vlerëson të turpshme edhe përpjekjet për zhbërjen e Speciales.
“Në këto veprimtari të pista, janë angazhuar: lobe, shoqata, klube, batalioni "Atlantiku", personalitete të zëshme në SHBA, dikur fort të nderuar për veprimtarinë e bërë, për çështjen e Kosovës. Ata harruan se për Kosovën ka nevojë të lobohet e të kërkohet me ngulm, që ushtarët e saj dhe të Amerikës, të vendosën në kufijtë ekzistues Kosovë-Serbi, duke mos pritur dialogun apo pazaret e mundshme. Është e turpshme të harxhohet kohë dhe energji për Gjykatën Speciale. Ajo nuk duhet penguar me asnjë lloj ndërhyrjesh! Lobistët shqiptarë të Amerikës, si duket nuk i kanë parë sondazhet vendore e ndërkombëtare, të bëra në Kosovë dhe Evropë, ku tej 85 % të shqiptarëve, kërkojnë zbulimin, arrestimin, hetimin, gjykimin dhe ndëshkimin e kriminelëve vrastarë dhe të hajnave zyrtarë”, ka thënë Zeqiraj.
Pos “klanit Mustafa”, analisti që vepron në Gjermani, ka akuzuar edhe PAN-istët se po duan mposhtjen e kryediplomates Gërvalla. Ai ka thënë se zhurma orkestrale në drejtim të MPJD-së, është kamuflazh.
“E gjithë kjo zhurmë orkestrale, në adresë të MPJ, për mungesë të ndoca lidhëzave gramatikore, në një reagim të shkurtër në Twitter, për kidnapimin banditesk, të gazetarit simpatik, Roman, është kamuflazh. PAN-istët, njësoj si klani Mustafa, që e luftoi, tërbueshëm, për dy dekada radhazi, rugovisten Donikë Gërvalla, duan ta mposhtin atë. Por, ne, që e njohim mirë trimëreshën Donikë, e dimë që ajo ka vënë në jetë, thënien kapitale, të poetit martir hungarez, Sander Petef: "Për dashurinë, jap jetën, për Atdheun falë edhe dashurinë!" Sakrifica personale e Donikë Gërvallës, për LDK-në dhe Kosovën, nuk ka paraprijës, është unike. Dhe, këtë e dimë vetëm ne, bashkëpunëtorët dhe miqtë e saj të dëlirë! Kritikuesit e saj, jo vetëm janë inferiorë, në raport me atë, por, edhe "e kanë mizën pas veshit!"”, ka theksuar Idriz Zeqiraj për “Bota sot”.