Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri, për gazetën “Bota sot” ka folur lidhur me mundësinë e rifillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai thotë se Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa janë dy njerëzit që e kanë dëmtuar më së shumti Kosovën në procesin e dialogut.
“Sa i takon dialogut, nga gjithë ajo sa kemi parë e dëgjuar ne si popull i këtij vendi, për mese dhjet vite bisedime me Serbinë, nuk ka kush që mund ta dëmtojë më shumë Kosovën se sa Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, nisur pikësëpari nga fusnota e vendosur mbi statusin e Republikës së Kosovës, kur që në fillim të kontakteve të para me këtë shtet okupator, Kosova mese një vit pas vulosjes së pavarësisë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, mjerisht me inicimin e Thaçit, startoi me status të "kastruar" në krahinë të Serbisë”, thotë Qarri për “Bota sot”.
Sipas tij, Hashim Thaçi synonte ndarjen e Kosovës dhe faljen e Veriut të Kosovës shtetit serb.

“Për aq më keq, pas kastrimit praktik, të statusit shtetëror të Republikës tonë, nga atëherë nuk është biseduar kurrë më, gati për asgjë tjetër, përveçse për rregullimin e brendshëm të Kosovës, krijimin e asociacionit një-etnik serb në Veri, të nënshkruar edhe si marrëveshje dy herë në kryeqendrën e BE-së në Bruksel, njëherë nga Hashim Thaçi më 19 prill të vitit 2013 dhe herën e dytë, pak më tepër se dy vite më vonë, me 25 gusht të vitit 2015 nga Isa Mustafa, duke ia zënë kulmin me kërkesën publike të Hashim Thaçit, me 25 korrik të vitit 2018, në Alpbach të Austrisë, për ndarjen përfundimtare të shtetit të kastruar të Kosovës dhe faljen e Veriut të vendit tonë, Serbisë hegjemoniste”, shprehet Qarri.
“Ndaj megjithëse Veton Surroi, nuk është i ftuari i Albin Kurtit por i ambasadës Norvegjeze bashkë me Blerim Shalën, në ekipin mbështetës që ka krijuar kjo ambasadë dhe do të financohet nga shteti Norvegjez, jo vetëm Surroi, por as Azem Vllasi dhe, po të ishte gjallë edhe vet Rrahman Morina, nuk ka ku të shkojë më, më poshtë dhe as që kanë çfarë t’i bëjnë më, më keq e zi Kosovës, se sa që i kanë bërë për më tepër se 12-13 vite Thaçi e Mustafa, pasi që shkoi puna deri atje, sa siç dëshmoi para pak ditësh edhe TV-amerikan "Blomberg" nga Nju Jorku, vetëm kancelarja legjendare gjermane, Angela Merkel, ishte ajo që hodhi poshtë aventurën e çmendur të Hashim Thaçit, dhe pengoi ndarjen e Kosovës”, shton më tej analisti Qarri për “Bota sot”.
Sipas tij, aventurat e Thaçit në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i ka penguar shteti i Gjermanisë.
“Madje para rreth një viti, vendet si Gjermania penguan edhe aventurën tjetër, të Hashim Thaçit, të cilën duket se e kishte parapërgatitur Grenellin për nënshkrimin bashkë me Vuçiqin në Uashington të ndarjes përfundimtare të Kosovës, duke e zbritur edhe nga Avioni, me të cilin ai ishte nisur i vetëm, para delegacionit të Kosovës për në Amerikë, në mënyrë që delegacionin e Kosovës ta vendoste para aktit të kryer, dhe të detyrohej të pranonte çdo gjë, përfshi edhe shuarjen e shtetit tonë të brishtë”, shprehet Qarri. “Kështu që atëherë dhe sot, ishin dhe janë vendet tona mike që mbrojnë Kosovën, ato vende të cilat bombarduan edhe Serbinë okupatore me 1999 për çlirimin e Kosovës dhe na sollën lirinë, krijuan shtetin tonë dhe nuk lejuan e shpresoj, se as në të ardhmen, nuk do të lejojnë, shuarjen e Kosovës dhe shtetit tonë të lirë e të pavarur”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik, Gani Qarri.