Enigmatikat e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi - analisti përmend disa kompromise të dialogut!

Politika

Enigmatikat e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi - analisti përmend disa kompromise të dialogut!

Nga: A.Morina Më: 31 maj 2021 Në ora: 23:53
Foto nga vizita

Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Matthew Palmer dhe i Dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, kanë zhvilluar sot takime me krerët shtetëror të Kosovës, kryeministrin Albin Kurti dhe Presidenten Vjosa Osmani.

Kjo vizitë erdhi në prag të rifillimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Vizitën e këtyre diplomatëve ndërkombëtar, e komentoi analisti politik, Adem Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Analisti beson se këto takime kanë qëllim për intensifikimin e bisedimeve Kosovë-Serbi. Ai nuk përjashton edhe mundësinë e kërkesës së Lajçak dhe Palmer për një kompromis të mundshëm mes Kosovës dhe shtetit serb.

Image
Analisti politik, Adem Bytyçi

“Vizita e Lajçakut dhe diplomatit amerikan Palmer, ka të bëjë me intensifikimin e negociatave Kosovë- Serbi, me qëllim që sa më parë të arrihet një marrëveshje e paqes në mes këtyre dy shteteve .

Përveç supozimeve nuk mund të dihet me saktësi se cilat kanë qenë kërkesat e këtyre dy diplomatëve ndaj kryeministrit dhe presidentes, për atë se a duhet të bëjnë ndonjë kompromis me palën serbe dhe cili do të ishte ky kompromis , i cili do të përfshihej në marrëveshjen përfundimtare të paqes Kosovë-Serbi”, deklaroi ai.

Bytyçi supozoi se kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani iu ka kërkuar një kompromis i fshehtë nga këta dy diplomatë, mirëpo se për çfarë bëhet fjalë, nuk mund të zbulohet deri në një moment të caktuar.

“Po të inkuadrohej logjika në zbulimin e asaj që u kanë komunikuar Lajçak dhe Palmer, Kurtit dhe Presidentes Osmani lidhur me rifillimin e negociatave në qershor, mund të nxjerret konkludimi se është prekur qoftë edhe në mënyrë të tërthortë se për të arritur në një marrëveshje pajtimi Kosovë - Serbi , patjetër duhet të ketë një kompromis, por ky kompromis nuk bëhet publik, deri në një moment tepër specifik”, theksoi analisti.

Në fund, ai konsideroi se çfarëdo supozimi që është bërë, assesi nuk mund të jetë në favor të Kosovës.

Bytyçi potencoi se disa gjëra do të mbeten ende enigmatike deri në përfundimin e dialogut dhe nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare të pajtimit në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ajo që dihet përtej çdo dyshimi lidhur me atë, se cili do të jetë ky kompromis, cilido qoftë ai, assesi nuk mund të jetë, dhe as që do të jetë në favor të Kosovës...

Më në fund para se të përfundojnë definitivisht negociatat Kosovë - Serbi, shumëçka mbetet enigmatike se si do të dukej dhe çka do të përmbajë marrëveshje përfundimtare e pajtimit në mes Kosovës dhe Serbisë, e cila gjithsesi nëse eventualisht do të arrihej do të përfshinte edhe njohjen reciproke në mes këtyre dy shteteve”, përfundoi Adem Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat