Edhe pse ishte kërkuar nga mbrojta që gjykimi kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të fillojë në verë të vitit 2022, kjo kërkesë po del të mos jetë aprovuar, pasi që sipas të gjitha gjasave, gjykimi për të arrestuarit e Speciales pritet të nis qysh në dhjetor të këtij viti.
Nga Gjykata Speciale në formë elektronike kanë treguar për “Bota sot” se gjykimi për ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlametarët Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, si dhe për ish-shefin e Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi, pritet të fillojë në fund të këtij viti.
Në tetor të vitit 2020, Gjykata Speciale për hetimin e krimeve të kryera gjatë luftës së Kosovës, kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, nën dyshime për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë në 1998 dhe 1999.
Të gjithë ata janë në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit të kaluar.
Njohësit e çështjeve politike janë të mendimit se epilogu i zbardhjes së vrasjeve të pasluftës, edhe pse i vonuar, më në fund përmes gjykimit të Speciales do të sjellë qetësi dhe paqe edhe te familjarët e personaliteteve të vrara.
Kurse, sipas juristëve, Gjykata Speciale tashmë ka shkelur të gjitha ligjet ndërkombëtare, pasi gjykimi nuk fare ka mbështetje juridike për shqyrtim kryesor dhe as për arrestim.
Bennett: ZPS-ja ka propozuar një datë fillimi në dhjetor të vitit 2021
Zëdhënës i Gjykatës Speciale për Kosovën, Chris Bennett, në një përgjigje elektronike, i ka thënë gazetës “Bota sot”, se Zyra e Prokurorit Specialist ka paraqitur qëndrimin e saj në lidhje me fillimin e gjyqit ndaj ish-presidentit Thaçi dhe tre të bashkë-akuzuarve të tjerë më 22 mars të vitit 2021.
Sipas Bennett, ZPS-ja ka propozuar fillimin e dhjetorit, për gjykimin e të arrestuarve të Speciales.
“ZPS-ja ka paraqitur qëndrimin e saj në lidhje me fillimin e gjyqit ndaj z. Thaçi dhe tre të bashkë-akuzuarve të tjerë më 22 mars të vitit 2021, gjatë konferencës së katërt për ecurinë e çështjes. ZPS-ja ka propozuar një datë fillimi në dhjetor të vitit 2021, tre muaj pasi ZPS-ja të përmbushë detyrimet e saj për nxjerrjen e materialeve”, ka thënë Bennett për “Bota sot”.
Kurse, ka bërë me dije se nuk e komentonin statusin e deritanishëm të hetimit.
“Zyra e Prokurorit Specialist nuk komenton për statusin e hetimit të saj”, ka thënë shkurt zëdhënës i Gjykatës Speciale për Kosovën, Chris Bennett, për gazetën “Bota sot”.
Haziri: Pritjet janë reale për zbardhjen e vrasjeve politike në Kosovë
Analisti politik, Nexhat Haziri, është i mendimit se me fillimin edhe zyrtarisht të procesit të gjykimit të Thaçit dhe të tjerëve nga Gjykata Speciale, pritjet për zbardhjen e vrasjeve të zyrtarëve të LDK-së, janë shumë reale.
“Epilogu i zbardhjes së këtyre vrasjeve më në fund do të sjellë drejtësinë në vend, edhe pse të vonuar, do të sjellë qetësi dhe paqe edhe te familjarët e këtyre personaliteteve të vrara, por edhe do ta çlironin shoqërinë e Kosovës nga kjo barrë e rëndë e drejtësisë së munguar për gjithë këto vite”, ka thënë analisti Haziri.
Ai shprehet se është e dhimbshme që për këto raste është dashur të ketë një Gjykatë Speciale dhe jashtë Kosovës, kur dihet se këto kanë mundur të zbardheshin edhe nga gjykatat vendore, sikur të kishte më shumë vullnet për zbatimin e ligjit.
“Faktet dhe adresat se kush qëndrojnë prapa këtyre vrasjeve i kanë pas të ditura edhe faktori ndërkombëtar që dikur ka qenë prezent në Kosovë me fuqi dhe kompetenca edhe në fushën e drejtësisë, por edhe institucionet vendore, në veçanti ato të sigurisë dhe të drejtësisë, por siç thash edhe më parë ka munguar vullneti politik dhe është bërë një far lloj kompromisi më të ashtuquajturin stabilitet politik, pasi autorët apo urdhërdhënësit e vrasjeve të zyrtarëve dhe aktivistëve të LDK-së, kanë qenë njerëz më fuqi të madhe politike dhe kanë bartur edhe funksione të rëndësishme në institucionet e Kosovës, edhe pas shpalljes së pavarësisë”, tha ai.
Haziri konsideron se pritjet janë reale nga Gjykata Speciale për zbardhjen e vrasjeve politike në Kosovë.
“Ka dëshmi, fakte dhe dëshmitarë, jo vetëm nga familjarët e të vrarëve, por edhe nga disa pjesëmarrës indirekt në këto akte, si dhe janë deponuar edhe hetimet dhe dëshmitë edhe nga koha e UNMIK-ut, EULEX-it, por edhe raporte dhe dëshmi relevante edhe nga shërbime të inteligjencës së shteteve perëndimore, në veçanti atyre anëtare të NATO-s, që herë pas herë këto raporte në mënyre periodike dhe jo krejtësisht të detajuara janë publikuar edhe në opinionin kosovar, që kanë trajtuar apo pasqyruar aktet e vrasjeve politike në Kosovë, në veçanti atyre të pasluftës”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike, Nexhat Haziri.
Kelmendi: Gjykata Speciale shkeli ligjet ndërkombëtare
Ndryshe mendon profesori dhe njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi.
Ai për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kjo gjykatë ka shkelur ligjet ndërkombëtare.
“Në kohën kur ngritën aktakuzat, mendohet se dëshmitë dhe provat janë prezent dhe se ka fakte për zhvillim të procedurës gjyqësore deri në dënim. Tash po del se prokurorët e kësaj gjykate fare nuk kanë prova dhe se tash janë duke u përkthyer provat e marra. Kjo çështje kështu u provua nga avokatët në seancë paragjyqësore në Hagë. Duket se provat janë në gjuhën serbe apo maqedonase, mundet edhe shqipe. Këtë kështu e cilësoi avokati nga SHBA-të. Ai tha se ‘këtu kemi shkelje të rënda. Ato po vijnë mu nga fakti se arrestimet janë të parakohshme, për të mos thënë, antiligjore dhe janë thjeshtë shkelje të rënda të lirive dhe të drejtave të njeriut e të qytetarëve’”, ka thënë juristi Kelmendi.
Tutje, ai shprehet se gjykimi fare nuk ka mbështetje juridike për shqyrtim kryesor dhe as për arrestim. Sipas tij, i takon gjykatës që mos të vazhdojë më tej me këtë shqyrtim, të cilin ai e quajti edhe si qesharak.
“Juridikisht është e qartë se nuk mund të arrestohet askush pa fakte dhe prova që provojnë veprën penale. Mbi ato ngritët aktakuza dhe arrestohen të dyshuarit për veprën që akuzohen. Po nëse arrestohet një i dyshuar, atëherë provat kërkohet të jenë prezent ne shqyrtimin kryesor, qe nga momenti i arrestimit. Dhe, të njëjtat u jepen palëve për përgatitjen e mbrojtjes juridike të kualifikuar. Këto mungojnë. Të arrestuarit gjinden në burg. Provat mungojnë”, tha ai.
Krejt në fund, Kelmendi ka nënvizuar se në asnjë ligj, qoftë vendor, qoftë ndërkombëtar, nuk veprohet pa prova, nuk kapen dhe nuk arrestohet askush, sikundër edhe nuk hapet shqyrtimi kryesor pa fakte dhe prova.
“Të akuzuarit duhet të lejohen në liri dhe se i takon Prokurorisë Speciale të bëjë dhe sigurojë provat dhe të njëjtat të jenë ngarkues për të akuzuarit dhe ato të jenë në disponim të palëve në procesin gjyqësor. Nuk ka asnjë logjikë juridike forma e tillë e gjykimit në Hagë. Gjykata Speciale kërkohet të përfundojë ketë shqyrtim gjyqësor qesharak dhe të pambështetur në prova”, tha në fund profesori dhe njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi.