Një reformë e thellë dhe pastrim nga krimi i organizuar dhe korrupsioni duhet të fillojë në sistemin e drejtësisë.
Me një synim të tillë, premtim ky i Lëvizjes Vetëvendosje dhe liderit të saj, tashmë kryeministër i Kosovës, Albin Kurti erdhi në pushtet.
Tash po kërkohet që të filloj punën në këtë dikaster dhe të pastrohet nga krimi i organizuar.
Ish-zëvendësministri i MPB-së, Hajrullah Tërnava, thotë se, nëse nuk ka vullnet politik, detyrimi nga faktori ndërkombëtar për reformim dhe ligjin e vettingut nuk do të ketë drejtësi funksionale dhe luftë kundër korrupsionit.
Ai mendon se kështu do të ketë vetëm orkestrime të rasteve nga politikanët siç i quan ai të kriminalizuar.
“Pra do të ketë orkestrim të krimit të organizuar e instaluar nga nëntoka kriminale e SHIK-ut në të gjitha institucionet e drejtësisë, prokurori, gjykata, Polici e AKI. Ata janë të lidhur me majat e ish-qeverive të kriminalizuara, sikur edhe në komunën e Prishtinës dhe jo vetëm, të cilët po ua bëjnë avokatinë krimit dhe korrupsionit”, thotë Tërnava.
Ai shprehet se, pas luftës në pushtet erdhën oligarkët që të vetmin qëllim e kishin pasurimin e tyre.
![Image](/media/botasot.info/images/2021/June/01/auto_hajrullah-380x2331622543590.jpg)
“Ata me metodat dhe mënyrat e veprimeve të tyre e mbajtën peng duke e poshtëruar e degraduar tej mase gjithë mekanizmin e shtetit, si mashë e krimo-politikës që sundoj për një periudhë mbi 20 vjeçare, dhe kështu penguan dhe bllokuan reformimin dhe pastrimin e sistemit të drejtësisë, duke e ruajtur kapjen e institucioneve edhe në këto 13 vite pas shpalljes së pavarësisë”, thekson ai.
Sipas ekspertit të sigurisë, këto pasoja po i pësojmë edhe tani e tuje.
“Edhe veprimet e opozitës në parlament tani po e dëshmojnë këtë fakt, sikur që ishte përplasja në seancën e fundit të Kuvendit të Kosovës për sundimin e ligjit, në mes të kryeministrit Kurti dhe ish-ministrit të drejtësisë nga PDK, Abelard Tahiri, i cili u deklarua kundër qasjes reformuese të Qeverisë Kurti në fushën e sundimit të ligjit”, thekson ai.
Tërnava potencon se, shteti është kapur me dekada, duke u kriminalizua stafi udhëheqës i Kosovës për përfitime personale.
“Rrjeti mafioz i politikës së kaluar në pushtet arriti të blej kohë dhe të vazhdohet me drejtësi të dështuar edhe para presionit të BE-së, duke premtuar dhe mos realizuar asnjëherë 4 reformat e kërkuara në fushën e sundimit të ligjit dhe ngritjen e efikasitetit kundër krimit e korrupsionit, duke e bërë luftën falco kundër këtyre dy fenomeneve që kanë metastazuar në blerje të kohës kinse të pritjes së ndryshimit të ligjeve në fushën e drejtësisë, përfshirë edhe ndryshimet në Kodin Penal dhe Procedurës Penale etj.”, pohon ai.
Tërnava shton se, taktika e zvarritjes së zbatimit të ligjit, ishte pengesa me premtimet për ndryshime improvizuese kurrë të përfunduara, dhe vetëm vazhdimësi e pa fund e jetëgjatësisë së korrupsionit dhe krimit të organizuar, derisa shton se, u pa ashiqare që asnjë ndryshimi i këtyre ligjeve nuk e solli ndryshimin pozitiv në drejtësi, sepse ishin thjeshtë mashtrime e blerje kohe të ish-krimo politikës në pozitat më të larta të shtetit.
“Prandaj tani kjo Qeveri duhet ti kushtoj rendësi formimit të Ligjit të VETTING-u, dhe me këtë ligj të spastrohet ky vend njëherë e mirë nga krimi i organizuar dhe korrupsioni dhe të gjitha të këqijat që ju kanë bërë vendit. Të gjithë atyre që jashtëligjshëm ishin pasuruar të ju konfiskohet pasuria, dhe me këto veprime t’iu jepen mësime edhe administratorëve të rijnë që gjinden nëpër institucionet e Kosovës, se çfarë i pret ata që kriminalizohen”, përfundon Hajrullah Tërnava.