“Ditë të vështira për Serbinë”, i kërkohet njohja e Kosovës, ja çfarë i kërkohet Kosovës! Mësojeni qëllimin e Palmerit dhe Lajçakut në Kosovë?

Politika

“Ditë të vështira për Serbinë”, i kërkohet njohja e Kosovës, ja çfarë i kërkohet Kosovës! Mësojeni qëllimin e Palmerit dhe Lajçakut në Kosovë?

Nga: N.Sh Më: 1 qershor 2021 Në ora: 16:19
Mirosllav Lajçak, Albin Kurti dhe Matthew Palmer

Për dy ditë rresht në Kosovë kanë qëndruar dy të ngarkuarit për dialogun Kosovë-Serbi, përkatësisht i ngarkuari evropian, Miroslav Lajçak dhe ai amerikan, Metthew Palmer.

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer tha të martën në Prishtinë se njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë qëllimi kryesor i dialogut mes dy shteteve.

"Sa i përket qëllimit përfundimtar, ne vazhdojmë të besojmë se është njohja e ndërsjellë ajo që do ta lë pas këtë çështje dhe do të hapë rrugën drejt Evropës", tha Palmer.

Kurse, përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar shumë shpejt takim ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Madje ai tha se arsyeja kryesore e vizitës në Kosovë është përgatitja e takimit.

“Qëllimi parësor është përanditja e takimit të mes dy vendeve në Bruksel. Kemi pasur 4 takime në Kosovë që do të ndihmojnë për të shkojmë të përgatitur në Beograd. Ky vit ka potencial të jetë vit i mirë për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë. Shpresojmë që dialogu të jetë shembull i mirë dhe të ketë progres në përmirësimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë”, tha ai.

Lajçak ka mohuar të ketë thënë në Beograd se Kushtetuta e Kosovës duhet të ndryshohet sa i përket bërjes së Asociacionit të Komunave Serbe.

Image
Prof. dr. Enver Bytyçi

Këtë vizitë në Kosovë e ka komentuar profesor dr. Enver Bytyçi, i cili thotë se, të dy këta emisarë janë prej vitesh në këtë detyrë dhe sigurisht që kanë tashmë njohuritë dhe informacionin e nevojshëm për rrjedhat e këtij dialogu.

“Ardhja në Kosovë e të dy interlokutorëve kryesorë në të njëjtën ditë së bashku dëshmon se Bashkimi Evropian dhe SHBA-të punojnë bashkë për zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Kjo është një gjë shumë pozitive. Kjo dëshmon jo vetëm angazhim, por edhe përkushtim të të dy palëve për të vendosur paqen, stabilitetin dhe sigurinë e qëndrueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne e dimë se në Ballkan nuk mund të ketë stabilitet, nëse nuk kyçen në zgjidhjen e problemeve ballkanike evropianët dhe amerikanët së bashku. Evropa është e pafuqishme pa Amerikën. Por edhe SHBA-të e kanë të vështirë të zgjidhin çështjet evropiane pa Brukselin, Berlinin, Parisin e madje dhe Londrën. E provuan presidenti Trump ose më saktë vartësit e tij një përpjekje të njëanshme pa Evropën, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe dhe dështoi. Ashtu siç ka dështuar Evropa disa herë pa Amerikën”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Por çdo të thotë kjo vizitë për qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti?

“Sigurisht që Lajçak dhe Palmer vijnë në Kosovë e më pas në Beograd për t'u njohur me opsionet e palëve në bisedime dhe nëse gjejnë mundësi do të bëjnë presion për t'i dhënë fund konfliktit. Presioni gjithnjë adresohet më së shumti te i dobëti. Sepse "I forti" nuk e pranon atë. Dhe kur them "I dobëti", nuk kam parasysh potencialet ekonomike, politike, ushtarake etj të njërës ose tjetrës palë. Kam parasysh shkallën e vendosmërisë së palëve për t'i qëndruar fort opsioneve të tyre në dialog. Albin Kurti ka thënë se "nuk dorëzohet" para presionit të Beogradit lidhur me një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Duhet ta besojmë derisa të kemi një fakt ose një dëshmi të kundërt për këtë. Por unë mendoj se edhe më parë Kurti ka patur presione. Para dhjetë ditësh në Prishtinë ishte gjithashtu Aleks Soros, i cili bisedoi me Kurtin, pasi kishte biseduar në Beograd me Aleksandër Vuçiq. Më pas ai erdhi në Tiranë dhe darkoi me kryeministrin Edi Rama. Asnjëri prej tyre nuk i ka dhënë ndonjë informacion publikut shqiptar se çfarë këta liderë, përfshirë zotin Kurti, kanë biseduar me Aleks Sorosin. Cila ishte tema e bisedës dhe cili është qëndrimi i palëve për këto tema? Dhe për më tepër pse duhet të bisedohet me një oligark ndërkombëtar të përfolur për afera të shumta korruptive në rajonin tonë?!”, shprehet profesori.

Ai shton se, Kurti ka kritikuar me të drejtë Hashim Thaçin për mos-transparencë me publikun.

“Dhe e vërteta është se ish-presidenti i Kosovës veproi në fshehtësi dhe u takua madje në fshehtësi edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Kryeministri i Kosovës është zotuar për transparencë në fushatën elektorale edhe për sa i përket politikës së jashtme dhe dialogut. Duhet ta mbajë fjalën. Duhet të informojë publikun për çështje delikate. Duhet ta shpërndajë mjegullën që krijohet nganjëherë për takimet, bisedat dhe temat e bisedave me eksponentë ndërkombëtarë. Aq më tepër kur kemi të bëjmë me një personazh, i cili ka lënë një trashëgimi të keqe në lojën e përpjekjeve për ndryshimin e kufijve dhe ndarjes së Kosovës, trashëgimi në të cilën Soros ishte aktiv”, pohon ai.

Sipas tij, bota shqiptare është lodhur nga "surprizat" e pakëndshme që ia sjellin politikanët e saj.

“Nëse do të ndodhemi para surprizave të tilla, atëherë zoti Kurti do ta humbasë plotësisht respektin dhe autoritetin politik të tij në Kosovë. Ndaj them se edhe në rastin e vizitës së Lajçak dhe Palmer zoti Kurti duhet të jetë transparent. Nuk duhet lënë në hije thelbi i kërkesave të të ngarkuarve për dialogun. Duhet thënë troç se çfarë kërkojnë ata konkretisht dhe cili është pozicioni i qeverisë. Vetëm kështu krijohet kohezion dhe harmoni në qëndrimet e politikës në Kosovë!”, përfundon profesor dr. Enver Bytyçi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat