“Amerika, garanca e vetme e Kosovës në dialogun me Serbinë” – vjen një kërkesë urgjente për Kurtin dhe Osmanin

Politika

“Amerika, garanca e vetme e Kosovës në dialogun me Serbinë” – vjen një kërkesë urgjente për Kurtin dhe Osmanin

Nga: A.Morina Më: 1 qershor 2021 Në ora: 21:10
Albin Kurti dhe Vjosa Osmani

Në prag të rifillimit të dialogut me Serbinë, Kosovën e kanë vizituar zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Matthew Palmer dhe i Dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kjo vizitë e këtyre dy diplomatëve ndërkombëtar, natyrisht që ngjalli debate dhe reagime të shumta.

Kryesisht debatet u zhvilluan në rolet e Amerikës dhe Bashkimit Evropian në këto negociata, mirëpo u përmenden edhe disa kompromise të tjera.

Analisti politik, Faton Mehmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot” komentoi vizitën e Matthew Palmer dhe Miroslav Lajçak në Kosovë dhe rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.

Mehmeti konsideron se Amerika çështjen e dialogut Kosovë-Serbia ia ka lënë në dorë Bashkimit Evropian, më saktësisht emisarit Miroslav Lajçak.

Image
Analisti politik, Faton Mehmeti

“Duket se SHBA ia ka dhënë të gjitha atributet dhe kompetencat BE-së për të udhëhequr në këtë proces, njoftim që duket se i është dhënë edhe kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani. E shoh si një mesazh që SHBA dhe BE janë një në këtë proces, ndonëse këtë proces momentalisht e ka në dorë BE, konkretisht z.Lajçak”, deklaroi ai.

Mirëpo, analisti kërkoi nga udhëheqësit shtetëror të Kosovës, që të kërkojnë praninë e ShBA-ve në këtë proces, pasi ajo është garanca e vetme për arritjen e një marrëveshje të suksesshme.

“Me patjetër politikanët e Kosovës duhet që me çdo kusht të kërkojnë praninë e SHBA, si garancë e vetme e sigurt për marrëveshje të qëndrueshme afatgjate dhe stabile. Ndryshe, pa SHBA-të, ky proces nuk do të jetë i frytshëm…”, theksoi Mehmeti.

Në fund, ai u shpreh se pavarësisht se BE për momentin po e udhëheq dialogun, Amerika vazhdon ta ketë një rol tejet të rëndësishëm në negociata.

“Dua të besojë se SHBA nuk tërhiqet nga ky proces, pavarësisht se i është deleguar BE-së që ky proces momentalisht të udhëhiqet nga ata. Besoj se SHBA ka rol shumë të rëndësishëm në këtë proces, nga i cili zonja Osmani dhe z. Kurti duhet të kërkojnë që SHBA të jetë prijëse, si garancë e vetme pa të cilën asnjë marrëveshje s’mund të udhëhiqet”, përfundoi Faton Mehmeti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat