Liberalizimi i vizave, këtë strategji ta ndjekë Kurti me shtetet e BE-së

Politika

Liberalizimi i vizave, këtë strategji ta ndjekë Kurti me shtetet e BE-së

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 1 qershor 2021 Në ora: 22:06
Albin Kurti

Ҫështja e liberalizimit të vizave është ndër më të ndjeshmet për qytetarët e Kosovës.

Për vite më radhë ata po presin të lëvizin të lirë nëpër shtetet e tjera, qoftë për të punuar apo edhe udhëtuar për qëllime të tjera.

Pritjet e gjata para ambasadave dhe terminet e largëta për të provuar fatin për një vizë, i kanë lodhur qytetarët e Kosovës. E këtë gjendje e ka vështirësuar edhe më tepër pandemia, e cila në disa ambasada ka bërë të anulojë të gjitha terminet për qytetarët që kërkonin punë jashtë vendit.

Tani shpresa e vetme ka mbetur në qeverinë aktuale, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.

Liberalizimi i vizave ishte premtuar e madje edhe iu ishte uruar qytetarëve të Kosovës disa herë nga krerët politikë, megjithatë nuk ka asnjë ndryshim.

Mirëpo se cilat janë planet e qeverisë Kurti në këtë drejtim? “Bota sot” ka kërkuar përgjigjen nga qeveria, megjithatë ata nuk kanë dhënë ndonjë koment.

Madje as deputetët e pozitës nuk kanë folur lidhur me këtë temë.

Deputetja e PDK-së: Të diskutohet më vendet anëtare të BE-së

Deputetja nga opozita, Ariana Musliu Shoshi në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se në këtë fazë, institucionet e Bashkimit Evropian e kanë kryer punën e tyre, por tani duhet diskutuar me shtetet anëtare të BE-së.

Image
Ariana Musliu Shoshi

“Në fazën që ne si shtet jemi duhet të theksohet që institucionet e BE-së e kanë kryer punën e tyre dhe nuk merren me liberalizim, por shtetet anëtare të BE-së veҫ e veҫ”, ka thënë ajo.

Deputetja Musliu – Shoshi ka vlerësuar se qeveria duhet të ketë strategjinë për t’i bindur shtetet që janë kundër liberalizimit të Kosovës.

“Andaj, qeveria duhet të ketë një strategji të veҫantë që do t'i bind shtetet e BE-së të cilat janë njohëse të Republikës së Kosovës dhe fatkeqësisht janë kundër liberalizimit të vizave për qytetarët tanë por edhe me 5 shtetet jo-njohëse”, ka deklaruar Ariana Musliu Shoshi për gazetën "Bota sot".

Mehmeti: Qeveria Kurti të luftojë korrupsionin dhe të bëjë reformat në drejtësi

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti, mendon se qeveria Kurti duhet të punojë fuqishëm në dy drejtime, në mënyrë që të arrihet deri te liberalizimi i vizave.

Image
Faton Mehmeti

“Qeveria Kurti duhet të punojë shumë në dy drejtime: luftë e pakompromis ndaj korrupsionit dhe reforma të thella në drejtësi. Nëse punohet në këto drejtime dhe ka suksese, atëherë besoj se ndodh edhe liberalizimi”, ka theksuar ai.

Sipas tij, krejt kjo ҫështje varet nga puna ose jo e qeverisë aktuale, ndryshe e njëjta nuk ka pse të akuzojë të tjerët për mos liberalizim.

“Kështu që qeveria Kurti duhet të punojë fort, nëse nuk e bën këtë atëherë s’ka pse të akuzojë të tjerët për mos liberalizim. Vizat hiqen nëse Kosova punon në punët e saj të brendshme, nëse jo kështu do ngelim për shumë kohë. Varet krejt nga puna apo jo e qeverisë Kurti, e cila duhet të dëshmoj se nuk është njësoj si tjerat”, ka vlerësuar analisti.

Po ashtu, Mehmeti ka thënë se viza nuk ka këtë vit dhe se ato nuk mund të priten deri në vitin 2025.

“Personalisht besoj se viza s’ka këtë vit, deri në 2025 vështirë të pritet diҫka në këtë drejtim. Edhe pse, ka gjasa edhe më herët, por maksimumi  2025”, ka përfunduar Faton Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat