Historiani e ish-bashkëpunëtori i presidentit Ibrahim Rugova, Jusuf Buxhovi, vlerëson se zgjedhjet e brendshme në LDK, nuk paraqesin ndonjë ndryshim, përkundër largimit nga kreu i saj drejtuesi i garniturës.
Mirëpo, sipas Buxhovit, këto reforma kanë qenë të domosdoshme dhe të dobishme.
“Kjo garniturë për vite e katandisi partinë dhe e solli në këtë gjendje, nga një parti historike, që bartë barrën e shtet-ndërtimit dhe i ndihmoi më së shumti këtij procesi, të një partie thuajse minore. Sidoqoftë, ndryshimet për të cilat po flitni, ishin të domosdoshme dhe të dobishme madje për faktin se i hapin rrugën atij ndryshimit të njëmend, që duhet të ndodh që partia të rikthehet aty ku duhet dhe ku e ka vendin”, ka thënë Buxhovi, për “Bota sot”.
Tutje, Buxhovi për reformat e filluara ka deklaruar se ato duhet të jenë të thella pasi sipas tij, kjo parti për vite është drejtuar nga klane dhe feude.

“Pra, fjala është për krijimin e parakushteve për fillimin e ndryshimit, që duhet të pasqyrohet me reforma të thella në parti, të cilat nuk janë as të lehta e as të atypëratyshme, kur dihet se për vite të tëra partia është drejtuar nga klane dhe feude, të cilat, kanë punuar bashkërisht me grupet dhe klanet e ngjashme nga partitë tjera (kryesisht nga PDK dhe AAK) për t’u kthyer në përfitues të pushtetit”, ka deklaruar historiani Jusuf Buxhovi për gazetën “Bota sot”.