Kamuflimi i “mëkateve”, analistët tregojnë qëllimin e opozitës ndaj Qeverisë me kërkesën për SHBA-të

Politika

Kamuflimi i “mëkateve”, analistët tregojnë qëllimin e opozitës ndaj Qeverisë me kërkesën për SHBA-të

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 2 qershor 2021 Në ora: 09:02
Kuvendi i Kosovës

Në Kosovë për vizitë kanë qëndruar zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit, Matthew A. Palmer dhe përfaqësuesi posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Ata janë takuar me krerët e shtetit të Kosovës për rifillimin e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Së pari ata kanë zhvilluar takime me krerët e partive opozitare.

Ne takime krerët e partive opozitare në Kosovë, kanë kërkuar përfshirje më të madhe të SHBA-së në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga LDK në një deklaratë kanë se, “Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimin ekonomik dhe nevojën që SHBA-ja të ketë rol të fuqishëm në dialog”.

Kurse PDK kanë thënë se në takim kanë sqaruar pozicionin e PDK-së karshi dialogut, me theks të veçantë me pritjet e kësaj partie që ky proces të përfundojnë me njohje të ndërsjellë.

Edhe me AAK kanë deklaruar qëndrimin e tyre se roli amerikan në dialog është i domosdoshëm dhe i pashmangshëm për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë që rezulton me njohje reciproke.

Qarri: Deklarata e opozitës për përfshirje të SHBA-së në dialog është për t’i kamufluar mëkatet e rënda dhe lëshimet e papërmirësueshme

Lidhur me këtë temë, njohësi i çështjeve politike Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se gjatë takimeve mes Kosovës dhe Serbisë që priten të ndodhin tani në qershor përflitet se përveç Mirosllav Lajçak dhe Joseph Borrell do të jetë edhe një emër i ri nga SHBA, Molly Montgomery, e emëruar kohët e fundit nga administrata e presidenti Joe Biden, Zëvendës Ndihmëse Sekretare e Shtetit për Evropën dhe Euro-Azinë.

Image
Gani Qarri

“Në takimet që pritet të mbahen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga gjysma e qershorit në Bruksel, përveç kërkesës së opozitës në Kosovë edhe sipas spekulimeve jozyrtare diplomatike, përfliten dy emra të mundshëm për ndërmjetësim, njëri prej të cilëve krahas Borellit e Lajçakut, nga BE, duhet të jetë nga SHBA. Kandidati i parë është Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Matthew Palmer, që këto ditë vizitoi Kosovën bashkë me të dërguarin Special të BE për Dialog Miroslav Lajcak, prej nga pritet të udhëtojnë edhe në Serbi. Ndërsa emri tjetër është Molly Montgomery, e emëruar kohët e fundit nga administrata e presidenti Joe Biden, Zëvendës Ndihmëse Sekretare e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë”, shprehet Qarri.

Sipas tij, deklarata e partive opozitare për përfshirje të SHBA-së në dialog është për t’i kamufluar mëkatet e rënda dhe lëshimet e papërmirësueshme që ka bërë në dialog me Serbinë edhe pse në parim është e drejtë.

“Ndaj duket se në prizmin e këtyre spekulimeve, nxitoi edhe opozita që të dalë e para me këtë propozim, në përpjekje për t’i kamufluar mëkatet e rënda dhe lëshimet e papërmirësueshme që ka bërë në dialog me Serbinë, megjithëse si kërkesë, në parim është e drejtë dhe asaj duhet t’i bashkohet edhe vet Qeveria në mënyrë që ky dialog, përfundimisht të përmbyllet me njohje të ndërsjellë, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë Madje pa përfshirjen e SHBA-ve, drejtpërsëdrejti në dialog, nga gremina ku e ka futur Thaçi, Kosovën në bisedimet me Serbinë, po shihet hapur, se do të jetë tepër e vështirë e ndoshta edhe e pamundur që të shpëtojë Kosova pa pasoja shumë të rënda, sidomos për shkak të nënshkrimit, nga Thaçi dhe Mustafa të marrëveshjeve kundër kushtetuese për asociacionin një-etnik serb në veri dhe eksterritorialitetin e kishave ortodokse, bazuar në projektet e kriminelit Millosheviq me dhjetëra hektar tokë rreth e përqark, të cilat nuk u kanë takuar atyre, kurrë më parë”, ka thënë Qarri.

Tutje, Qarri ka potencuar se kërkesa e Kosovës nuk mund të diskutohet se është apo jo e nevojshme, por duhet të kuptohet nga të gjithë, se ajo është e patejkalueshme dhe plotësisht e domosdoshme, e cila vetëm duhet të parashtrohet në mënyrë shtetërore dhe si kërkesë unike pozitë-opozitë.

Ai shton se vetëm përkushtimi parimor dhe ndihmës i sinqertë të këtij vendi të madh mik, mund të arrihet njohja ndërsjellë.

“Për aq më tepër, siç dihet Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit e Përfaqësues Special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, për më se 25 vite me radhë merret me çështjet e Ballkanit, të cilit, nga Donald Trumpi, iu besua edhe misioni i të dërguarit special për rajonin, përfshi Kosovën. Ndaj kërkesa e Kosovës, nuk mund të diskutohet se është apo jo e nevojshme, por duhet të kuptohet nga të gjithë, se ajo është e patejkalueshme dhe plotësisht e domosdoshme, e cila vetëm duhet të parashtrohet në mënyrë shtetërore dhe si kërkesë unike pozitë-opozitë, drejtuar SHBA-ve, për vet faktin se SHBA bashkëpunon ngushtë me BE-në, dhe siç tha edhe vet z. Palmer, pas takimit me Lajçakun në Bruksel, “qëllimi i të gjitha administratave amerikane ishte dhe mbetet, që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përfundojë me marrëveshje për njohjen reciproke”, gjë që vetëm falë përkushtimit parimor dhe ndihmës së sinqertë të këtij vendi të madh mik, mund të arrihet”, ka deklaruar Qarri për “Bota sot”.

Mehazi: Qëllimi i kërkesave të opozitës të fut në mes dy zjarreve qeverinë, që kryeministri Kurti ose t’i kthehet e të përkrahë BE-në ose SHBA-në

Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi ka thënë se kërkesat e opozitës janë të mirëseardhura për Kosovën, por shton se kërkesat e PDK-së opozitare sa janë të mira ndaj SHBA-së aq janë të kundërta ndaj BE-së.

Image
Sulejman Mehazi

“Kërkesat e opozitës që SHBA-ja të përfshihet direkt në dialogun me Serbinë janë të mirëseardhura për Kosovën e shqiptarët në përgjithësi, mirëpo nuk duhet lënë anësh BE-në. Kërkesat e PDK-së opozitare sa janë të mira ndaj SHBA-së aq janë të kundërta ndaj BE-së. Hoxhaj në njërën anë mohon takimin me përfaqësuesin e BE-së, Lajçak, në anën tjetër krahë hapur takohet me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, Mathew Palmer. Mohon BE-në e përkrahë SHBA-në. Politikisht opozita do që Albin Kurti të prishë marrëdhëniet me evropianët për shkak amerikanëve. Kërkesat e PDK-së bëjnë nxitje gjeostrategjike ndikuese të amerikanëve kundër evropianëve, Hoxhaj i PDK-së mohon BE-në e pohon SHBA-në për t'i hapur probleme të mëdha kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit kinse ai çon politikë antiamerikane”, ka thënë Mehazi.

Sipas tij, qëllimi i kërkesave të opozitës është që të ngushtojë e fut në mes dy zjarreve qeverinë e Kosovës, që kryeministri Kurti ose t'i kthehet e të përkrahë BE-në ose SHBA-në.

“Qëllimi i kërkesave të opozitës është që të ngushtojë e fut në mes dy zjarreve qeverinë e Kosovës, që kryeministri Kurti ose t'i kthehet e të përkrahë BE-në ose SHBA-në e cila jo që është e mirëseardhur për Kosovën, por Kurti nuk ka fuqi t'i thotë jo SHBA-së, sikur të mos ishte SHBA-ja nuk do ishte edhe Republika e Kosovës. Opozita mohon evropianët, e pohon amerikanët vetëm për të mposhtur Albin Kurtin para qytetarëve se gjoja është pro-evropian e antiamerikan që s'është e vërtetë, për Kosovën sa është e rëndësishme SHBA-ja aq është e rëndësishme edhe BE-ja pasi është Republikë në kontinentin e Evropës. SHBA-ja e krijoi Republikën e Kosovës dhe patjetër të merr pjesë se bashku me BE-në gjatë dialogut Kosovë-Serbi dhe nuk ka nevojë të na tregojë Hoxhaj i PDK-së, sepse e dinë edhe shpezët edhe kafshët gjatë bombardimeve të NATO-s së bashku me qytetarët e Kosovës dhe botës se Kosova u krijua nga SHBA-ja”, përfundon Mehazi.

Mehmeti: Nëse BE nuk ka sukses deri më 2022, atëherë SHBA e merr rolin prirës, duke e zhveshur BE-në nga ky proces

Në anën tjetër, analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë për “Bota sot” se SHBA nuk dëshiron të përfshihet në këtë proces sepse në rast se BE nuk ka sukses brenda vitit 2022, atëherë SHBA do ta marrë rolin prirës, duke e zhveshur BE nga ky proces.

Image
Faton Mehmeti

“Duket se administrata Biden fillimisht nuk është aq e interesuar që direkt të përfshihet në këtë proces, dëshiron që këtë proces ta udhëheq BE-ja dhe në rast se nuk ka sukses brenda vitit 2022, atëherë SHBA do e merr rolin prirës, duke e zhveshur BE nga ky proces. Megjithatë, e vlerësoj të duhur kërkesën e opozitës që SHBA të përfshihet në këtë proces, një proces që pa SHBA nuk e besoj se do të ketë fund të duhur për Kosovën, dhe që të mbyll përgjithmonë çdo kontekst mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Mehmeti.

Sipas tij, opozita duhet të kyçet në këtë proces përmes një ekipi të unitetit

“Kështu që, opozita duhet që të kyçet edhe vet në këtë proces, përmes një ekipi të unitetit, përmes të cilës Kosova do të del një, pa dallime partie. Vetëm kështu do të mund të përfaqësohet Kosova në mënyrën më të mirë të mundshme, ndryshe çdo tentativë për të fituar vota e dëmton Kosovën. Po them pra, megjithëse SHBA nuk duket shumë e interesuar që të kyçet direkt në këtë proces e vlerësoj të domosdoshme praninë dhe rolin e saj prijës në këtë proces”, përfundoi Faton Mehmeti për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat