Si është gjendja shëndetësore e Thaçit dhe të tjerëve, flasin për “Bota sot” nga Dhomat e Specializuara – kanë disa fjalë edhe për fillimin e gjykimit

Politika

Si është gjendja shëndetësore e Thaçit dhe të tjerëve, flasin për “Bota sot” nga Dhomat e Specializuara – kanë disa fjalë edhe për fillimin e gjykimit

Nga: N. H Më: 2 qershor 2021 Në ora: 10:10
Hashim Thaçi dhe Hysni Gucati

Tashmë janë bërë 10 muaj që nga arrestimi i ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreyparlamentarit Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe shefit të Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, e ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj dhe ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Të arrestuarit e Speciales po mbahen në qendrën e paraburgimit nga Gjykata Speciale.

Mirëpo, ende nuk është dhënë ndonjë detaj se si është gjendja shëndetësore e tyre. Në një përgjigje për “Bota sot”, kanë thënë se Dhomat e Specializuara nuk deklarohen për gjendjen e të arrestuarve.

“Për arsye të privatësisë, DHSK-ja nuk jep informacion publik në lidhje me situatën specifike të kujdesit shëndetësor të të paraburgosurve”, kanë thënë Dhomat e Specializuara për “Bota sot”, .

Kurse, në pyetjen e “Bota sot”, se kur pritet të fillojë gjykimi për Thaçin dhe të tjerët në shtator, kjo zyre kanë thënë se gjykatësi i procedurës paraprake ende nuk ka marrë vendim se kur do t’ia kalojë dosjen e çështjes trupit gjykues.

“Çështja Prokurori i Specializuar kundër Thaçit dhe të tjerëve aktualisht është në fazën e procedurës paraprake. Gjatë kësaj faze, gjykatësi i procedurës paraprake mund të mbajë seanca, sipas nevojës, për përgatitjen e procedurave dhe vendosë mbi kundërshtimet fillestare të ngritura nga i akuzuari (referuar si mocione paraprake). Prokurori i Specializuar duhet t’i tregojë Mbrojtjes provat që mbështesin aktakuzën dhe deklaratat e të gjithë dëshmitarëve që Prokurori i Specializuar ka ndërmend t’i thërrasë në gjykim, si dhe dokumentet dhe provat materiale të cilat synon t’i paraqesë në gjykim”.

“Gjithashtu, mbrojtja duhet t’i tregojë Prokurorit të Specializuar listën e dëshmitarëve dhe çdo provë tjetër që ata synojnë të përdorin. Ky quhet procesi i nxjerrjes së materialeve. Në seancat e fundit publike, Mbrojtja dhe Prokurori i Specializuar kanë diskutuar lidhur me atë se kur mund të përfundojë ky proces. I takon gjykatësit të procedurës paraprake të vendosë, bazuar në argumentet e palëve, se kur do të dorëzohet dosja paraprake. Pas përfundimit të përgatitjeve gjykatësi i procedurës paraprake ia kalon dosjen e çështjes trupit gjykues prej tre gjykatësish dhe një gjykatësi rezervë, të cilët caktohen nga Presidenti. Vetëm atëherë përfundon faza e procedurës paraprake dhe fillon faza e gjykimit. Data e kalimit të dosjes së çështjes trupit gjykues dhe data e fillimit të gjykimit nuk janë caktuar ende”, kanë deklaruar nga DHSK-ja.

Kurse, për viktimat tjera të paraqitura në Hagë, nga DHSK-ja kanë bërë me dije se kërkesat për të marrë pjesë në procedura si viktimë po mbahen konfidenciale dhe ato ndahen vetëm me gjykatësin e procedurës paraprake ose trupin gjykues.

“Vetëm kur Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave paraqet një raport publik ose kur gjykatësi (t) publikon një vendim në lidhje me pjesëmarrjen e viktimave, disa informacione rreth procesit do të bëhen publike. Të gjitha parashtrimet publike para DHSK-së janë në dispozicion në faqen tonë të internetit”, thuhet në përgjigjen elektronike të Dhomave të Specializuara për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat