Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka bërë kritika rreth menaxhimit të pandemisë nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia dhe ka kërkuar nga ai dorëheqje në rast se nuk arrijnë të vaksinojnë 60% të qytetarëve deri në fund të vitit, ashtu siç është premtuar nga Qeveria.
Sipas tij, premtimi për vaksinim deri në këtë masë, është krejtësisht i nivelit të fushatës elektorale.
“Zotimi i qeverisë Kurti për 60% të vaksinimit të qytetarëve duket të jetë i nivelit të fushatës elektorale, sepse nuk ishte në gjendje të garantonte me pozitën e tij Arben Vitia dhe me të qeverisë së tij. Për të qenë i besueshëm do te duhej të garantonte dhe të thoshte, po nëse unë nuk e realizoj vaksinimin e 60 përqind të qytetarëve deri më 31.12.2021 unë jap dorëheqje”.
Lidhur me këtë, analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se kritikat e Haxhiut janë të gabuara, sepse sipas Mehazit, qytetarët vendosin nëse do të vaksinohen apo jo, andaj Vitia duhet vetëm t’i siguroj këto vaksina.
“Vaksinimi i qytetarëve kundër pandemisë nuk varet prej Ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia, por nga qytetarët se sa ata do pranojnë të vaksinohen, kështu që kritikat e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiut ndaj Ministrit të Shëndetësisë janë të gabuara, puna e Arben Vitisë është të sigurojë numrin e bollshëm të vaksinave në Kosovë e jo përqindjen e menaxhimit të qytetarëve të vaksinuar. Jo vetëm në Kosovë, por dhe në shtetet më të zhvilluara evropiane gjer në fund të vitit nuk do mund te vaksinohen 60% të popullatës e jo më në Kosovë, për shkak se vaksinat merren sipas dëshirës e vullnetit të qytetarëve e jo sipas ligjeve shëndetësore shtetërore”, theksoi ai.
Më tej shtoi se dorëheqja e Vitisë është e arsyeshme vetëm atëherë nëse nuk do të mund t’i siguronte vaksinat, por jo edhe atëherë kur qytetarët nuk duan të vaksinohen, prandaj për këtë nuk është fajtor Vitia por vetë qytetarët.
“Arben Vitia nuk mund të veprojë jashtë ligjeve të shëndetësisë të detyrojë vaksinimin e qytetarëve me zor, vaksinimi varet prej atyre që duan te vaksinohen e jo prej ministrit të shëndetësisë, Arben Vitisë. Dorëheqja e Ministrit të Shëndetësisë Vitias do të arsyetohej atëherë kur nuk do mund të siguronte vaksinat antikovid për qytetarët që duan të vaksinohen, nëse 60% e qytetarëve nuk duan të vaksinohen e 40% vaksinohen nuk është fajtor ministri Arben Vitia, por qytetarët e pa vaksinuar. Qeveria e Kosovës ende nuk ka vendosur ligjin e obliguar të vaksinimit të gjithë qytetarëve, prandaj nuk ka nevojë të dorëhiqet Ministri Arben Vitia”, përfundoi Mehazi.