Kosova po synon të shkojë sa më e përgatitur në Bruksel, ku në tavolinën e bisedimeve do ta ketë përballë shtetin e Serbisë.
Ku krahas, kësaj është formuar ekipi i ekspertëve të angazhuar në procesin e dialogut, i cili do ta këshillojë Qeverinë e Kosovës, në Bruksel.
Së fundmi, këtij grupi iu bashkua edhe publicisti Veton Surroi, i cili e konfirmuar se do të jetë këshilltar i jashtëm i ekipit negociator në dialogun me Serbinë.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka kërkuar një grup njerëzish për këtë funksion dhe se dakordimi është arritur duke u krijuar një ekip këshillëdhënës.
Mirëpo, sa është e nevojshme përfshirja e Surroit në dialogun me Serbinë, duke pasur parasysh rrugëtimin e tij politik ndër vite, për gazetën “bota sot” ka folur Idriz Zeqiraj, analist nga Gjermania.
Zeqiraj përmendi edhe organzimin “Ujdija”, ku Surroi së bashku me Shkëlzen Maliqin synonin të kultivonin besimin reciprok, në mes popujve e pakicave në Jugosllavi.
“Përfoljeve të shumta në opinion, se a do të bëhet pjesë e dialogut intelektuali, botuesi, studiuesi , Veton Surroi, ai e konfirmoi se do të jetë një nga personat, që do ta këshillojë kryeministrin Albin Kurti, në dialogun Kosovë Serbi.
Vetoni, djali i ambasadorit të ish-Jugosllavisë, në Spanjë, Rexhai Surroi, shkrimtar, baxhanak i udhëheqësi të Kosovës, Fadil Hoxha, i aksidentuar për vdekje, është paragjykuar si pro-jugosllav. Së bashku me Shkëlzen Maliqin, i shkolluar në Beograd, djalë i ministri të Brendshëm, ishin drejtues të organizimit "Ujdija", e cila do të kultivonte besimin reciprok, në mes popujve e pakicave në Jugosllavi. Kjo përpjekje ishte jetëshkurtër, sepse intensifikimi i dhunës së Millosheviçit, nuk la hapësirë pajtimi”, deklaroi ai.
Në vazhdim, analisti kujtoi edhe kohën, kur Surroi gjatë luftës u afrua me të ‘fortit’ dhe bashkë me komandantët filluan propagandën kundër Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Presidentit Rugova.
Zeqiraj tha se Surroi u fokusua në qejf bërjen e “komandantëve”, ku bashkë me ekipin e tij, ishin jetësisht të angazhuar, për dobësimin, deri në shkatërrim të LDK-së .
“Veton Surroi u kyç në Shoqërinë civile, si botues i gazetës "Koha ditore", pjesë e rrjetit ndërkombëtar të medieve, pastaj hapi kanalin televiziv -KTV -, u favorizua nga fondet e dhuruara ndërkombëtare. Gjatë luftës, u afrua me të -fortët-, me komandantët dhe për hatër të tyre, propagandoi shumë kundër LDK-së dhe Presidentit Rugova. Ndonëse i fuqishëm në financa, përzgjodhi edhe gazetarë të përgatitur, shumë syresh, kozmopolitë, siç ishte edhe vet Surroi.
Më shumë se sa në mbështetjen e luftës, Surroi u përqendrua në qejf-bërjen e "komandantëve" mujësharë, të cilët ishin "larg fronteve të luftës"! Surroi me mediat e tij, nuk ka pasur afri me ushtarakët luftë-bërës të FARK-ut, sepse komandohej nga "Rogneristët". Surroi, me ekipin e tij, ishin jetësisht të angazhuar, për dobësimin, deri në shkatërrim të LDK-së, edhe pse ajo ishte përballur, për një dekadë radhazi me dhunën e pushtetit serbo-sllavë, duke vazhduar edhe me luftën e organizuar”, theksoi analisti.
Ndërsa, pavarësisht kësaj propagande të madhe të Surroit ndaj LDK-së, Presidentit Rugova nuk mbajti inati dhe i afroi në cilësinë e Shoqërisë Civile.
Sipas Zeqirajt, ish-presidenti Hashim Thaçi e përdori për interesat e tij, Veton Surroi, ku këtij të fundit iu shtuan orekset në skenën politike.
“Pavarësisht provokimeve të ulëta, të një pjese të Shoqërisë Civile, në veçanti të atyre që zotëronin mediat, gazetat majtiste, përfshi edhe gazetarin Blerim Shala, Presidenti Rugova nuk mbajti inat. Ai i afroi, në cilësinë e Shoqërisë Civile, edhe pse më shumë "vrisnin" me propagandën e tyre shpifëse e denigruese, se sa me plumba!
Surroi ishte edhe në Rambuje. Hashimi e përdori për interesat e tij. Kur orekset e Surroi në politikë u shtuan, fillimisht pretendoi për ministër të Jashtëm, pastaj edhe për president. Siç ndodhë rëndom, pushtetarët injorantë e profanë, siç ishin Hashimi me komandantët e tij, që kanë frikë t`i afrojnë afër pushtetit njerëzit e shkolluar, si Veton Surroi, Blerim Shala dhe të tjerë. Thaçi, sikur nuk u mjaftua vet, në luftimin e Vetonit, i erdhi në ndihmë edhe ambasadori amerikan. Polemikat kaluan kufinjt diplomatik. Vëllait i ndihmoi edhe e motra, Flaka, një intelektuale luftarake fort e arsimuar”, nënvizoi ai.
Tutje, analisti tregoi edhe arsyet se pse Veton Surroi partinë e tij “Ora” e shkriu në LDK, ku ai e vlerësoi ai një nga partitë më serioze në Kosovë.
Mirëpo më pas, sipas tij lakmia për pushtet për një kohë të caktuar u afrua me PDK-në
“LDK-ja asnjëherë nuk i ka besuar Surroit. Ngjalli neveri, kur Vetoni, me cytjen e PDK-së, si deputet i parisë " "Ora", kundërshtoi financimin e Memorialit Rugova, në Varrezat e Dëshmorëve, në Prishtinë. Megjithatë, kur partia e tij, nuk mund të vazhdonte së ekzistuari e vetme, ai e shkriu atë në LDK-e. Dhe, kjo nënkupton se ai i ka besuar dhe e ka vlerësuar LDK-në, si subjektin politik më serioz dhe më të mirë për Kosovën.
Por, konjuktaralizmi i tij, lakmia për pushtet, për një kohë, e ka afruar me partinë-bandë, PDK-në. Vajzat dhe djemtë e partisë "Ora", u shquan edhe në LDK-e. Citojmë kryetarin Gazmend Muhaxheri, i cili e shpëtoi Pejën nga krimi i organizuar, hajnia zyrtare, haraçi galopant dhe pisllëqet tjera të komandantëve”, potencoi ai.
Kurse, Zeqiraj tregoi edhe si mori fund bashkëpunimi i Surroit me komandantët. Ai përmendi edhe dy librat e Surroit, ku me fakte të ndryshme goditi komandatët e UÇK-së dhe zbuloi të bëmat e tyre.
Analisti tregoi edhe për bashkëpunimin e Vetonit me UNMIK-un dhe EULEX-in, ku pas kësaj ai u kërcënua me jetë nga krerët e OVL të UÇK-së.
“Aleanca me komandantët mori fund. Surroi botoi dy libra radhazi, dërrmuese me fake, për të bëmat e tyre. Ai tha një të vërtetë se UÇK-e të organizuar, nuk ka ekzistuar në Kosovë. Sepse, kanë munguar betejat, përveç batalionit të Tahir Zemaj, me fitoren blic, rrufe të Betejës së Loxhës dhe të thyerjes së kufirit, luftës të Kosharës, me beteja e përsëritura, të drejtuara nga ish-oficerët e karrierës, të ish-armatës jugosllave.
Surroi ka bashkëpunuar me UNMIK-un dhe EULEX-in. Edhe pse i kërcënuar me jetë, nga krerët e OVL të UÇK-së, abuzues rrugaçërorë, me një organizatë, që duhet të nderohet dhe jo të keqpërdorët, Surroi ishte sfidues dhe publikoi hetimet dhe gjykimet e pjesëtarëve të bandave vrastare të Dukagjinit, Drenicës dhe të Llapit. Dhe, në çdo rast, përmendeshin edhe emrat e komandantëve, të implikuar direkt apo indirekt, në vrasjet makabre, të shqiptarëve të pafajshëm, kryesisht, kundërshtarë politikë, të cilët i përkisnin, kryesisht, LDK-së. Qëllimshëm bëmë këtë parantezë, në veçanti, për brezin e ri të Kosovës, që nuk e ka jetuar atë kohë, për arsye moshe, nuk e dinë rrugëtimin politik të Veton Surroit”, deklaroi analisti.
Sa i përket pyetjes se a duhet të përfshihet Surroi në ekipin e ekspertëve të dialogut, Zeqiraj përmendi edhe performancën e Editës Tahiri dhe të Skendër Hysenin në dialogun me Serbinë, ku në konspiracion me Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën, kanë falur tokë shqiptare, Malit të Zi.
“Pyetjes se a duhet të jenë pjesë direkte, fizike, në dialog, ata, që, në një mënyrë apo tjetër, kanë lënë shije të hidhur, përgjatë dialogut shumëvjeçarë, mendimi im është jo. Edita Tahiri ka gënjyer shqiptarët se bisedat dialoguese, janë vetëm teknike. Realisht, ato ishin politike.
Skënder Hyseni, në konspiracion të thellë me Hashim Thaçin dhe Isa Mustafën, kanë falur tokë shqiptare, Malit të Zi. Blerim Shala, Lutfi Haziri, Valon Murati, LKÇK, kjo e fundit, në emër të bashkimit shqiptar dhe disa të dyshimtë të tjerë, në të gjitha paraqitjet publike, kanë trumbtuar se "Serbisë duhet me i dhënë diçka, për të marrë njohjen e saj!" Kulmon tradhtia dhe poshtërsia e disa pushtetarëve tanë, kur thonin se po japim 8.200 hektarë tokë, në këmbim të liberalizimit të vizave, për shqiptarët e Kosovës! Tani, në surdinë, thonë se ta pranojmë një "Autonomi për Veriun", për t`i fituar vizat! Kësaj i thonë, "patriotizmi shqiptarë, në bisht të lahutës!"”, theksoi ai.
Krejt në fund, Zeqiraj vlerësoi se krahas këtij rrugëtimi politik, marrëveshja kryeministrit Kurti me Veton Surroin është mençur, e pranueshme, nëse, vërtet, zbatohet, ashtu siç e ka pranuar ai.
“Megjithatë, marrëveshja e Kurtit me Surroin, është mençur, e pranueshme, nëse, vërtet, zbatohet, ashtu siç e ka pranuar ai, se "do të jetë një nga personat, që do ta këshillojë kryeministrin Albin Kurtin, në dialogun Kosovë-Serbi". Me këto kushte, ai mund ta këtë edhe Blerim Shalën dhe të tjerë, pa praninë fizike në bisedimet direkte.
Kujtoni komisionin karnavalesk dialogues në Bruksel, të koalicionit fantomë: LDK, AAK, NISMA, AKR, PSD, kur Shpend Ahmeti e harroi komunën e Prishtinës, duke "xhezdisur" në Evropë. Apo ankesa e AAK-së, pse komisionarin e saj, nuk e mori Hoti në dhomën e bisedimeve në Washington! E marrëzishme e gjithë kjo "zallamahi"! Dhe, çfarë do të bisedonin, ata profanë?!”, përfundoi Idriz Zeqiraj, përcjell “Bota sot”.