Gjatë kohës kur ishte Koordinatori Shtetëror për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni ka mbajtur shënime për ecurinë e bisedimeve.
Ai, të gjitha këto shënime i përfshiu në raportin e datës 30 dhjetor 2020, ky i fundit është publikuar sot.
Në faqet 25 dhe 26 flitet edhe për arrestimin e ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan "Bota sot".
Në raport thuhet se situata në Prishtinë është rënduar pas arrestimeve të Presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, ish kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe kryetarit të Grupit Parlamentar të VV-së Rexhep Selimi.
“Ndërkohë, në Prishtinë vazhdonte një 'luftë' irracionale midis forcave politike. E krejt këtë situatë e rënduan skajshëm arrestimet, me 4 nëntor, të ish-krerëve të UÇK-së, Presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, ish kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe kryetarit të Grupit Parlamentar të VV-së Rexhep Selimi, të cilëve tashmë u ishin konfirmuar aktakuzat nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Arrestimet, përpos dridhjes së madhe që shkaktuan në stabilitetin e vendit, poashtu u bënë edhe shkas i një polarizimi të eksponentëve politik në vend”, thuhet në raportin e publikuar të Hysenit, shkruan "Bota sot".
Ndërkaq, para këtyre zhvillimeve ishte planifikuar që të mbahet takimi i 5 nëntorit, por më pas është anuluar.