Kryeministri Albin Kurti me të ardhur në pushtet ka thënë se gjatë qeverisje së tij do ta padisin Serbinë për gjenocid ndaj popullit të Kosovës.
Ky hap i liderit të Qeverisë së Kosovës është pritur mirë nga qytetarët e vendit, por jo vetëm, shkruan gazeta “Bota sot”.
Njohësi i çështjeve juridike, Islam Krasniqi, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, duke folur për padinë ndaj Serbisë, ka thënë se një gjë e tillë është dashur shumë vite më parë të iniciohej.
Por, e quan fatkeqësi, faktin se qeverive të kaluara iu është errësuar rruga nga rehatia në pushtet.
“Institucionet tona është dashur shumë vite me parë me i iniciuar këto procedura, fatkeqësisht, rahatia në pushtet e ka errësuar rrugën e tyre rreth asaj që ka qenë primare, dhe shumë thelbësor, duke shkuar deri në atë pikë sa që ta shfajësojnë regjimin kriminal serb”, ka thënë juristi Krasniqi.
Duke folur për padinë, Krasniqi një gjë të tillë e quan të realizueshme. Mirëpo, thekson se një gjë e tillë duhet të bëhet vetëm përmes rrugëve alternative.
“Një gjë e tillë është e realizueshme, por duhet të sigurohet rruga së nga kush mund të iniciohet kjo procedurë sepse ne nuk mund të padisim Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare, por vetëm në rrugë alternative, përmes shtetit shqiptar pas që të tjerët nuk e di sa do të jenë në gjendje të na përkrahin, pa harruar të cekim së çdo vonim për inicimin e kësaj procedure shpresat janë më të vogla për realizimin e kësaj të drejte”, ka deklaruar njohësi i çështjeve juridike.
Krejt në fund, ai ka nënvizuar se ka shumë gjasa që padia ndaj Serbisë do të jetë e gatshme deri në fund të këtij viti.
“Besoj së padia do të jetë gati ka fundi i vitit 2021, nëse deri atëherë nuk arrihet marrëveshja finale në të kundërt do të na imponojnë që t’i mbyllim sytë dhe t’i falim të gjitha krimet dhe gjenocidin që shteti serb e kreu ndaj civilëve të pa mbrojtur dhe pasurisë apo ekonomisë familjare”, ka thënë krejt në fund, njohësi i çështjeve juridike, Islam Krasniqi, për gazetën “Bota sot”.