Alarmi i Tahirit për treg me Serbinë, vjen reagimi i ashpër ndaj saj

Politika

Alarmi i Tahirit për treg me Serbinë, vjen reagimi i ashpër ndaj saj

Nga: A.Z Më: 14 qershor 2021 Në ora: 15:04
Edita Tahiri

Ish-negociatorja e Kosovës në bisedimet Kosovë-Serbi, Edita Tahiri ka thënë se në vend të një tregu përbashkët me Evropën, ka rrezik se mund të krijohet një treg i përbashkët me Serbinë.

Ajo ka shtuar se nëse ndodh kjo, atëherë është një kthim mbrapa për rajonin dhe një alternativë që të krijohet Serbia e madhe.

“Në vend se një treg i përbashkët me Evropën, ka rrezik që të bëhet treg i përbashkët me Serbinë. Është një kthim prapa për rajonin dhe një mundësi që Serbia të kthehet në hegjemon ekonomik në Ballkan, si një rrugë alternative për të krijuar “Serbinë e Madhe”, duke qenë se dështoi politikisht kur tentoi ndryshimin e kufijve në tre vitet e fundit. Kosova duhet te këtë kujdes mos të bëjë gabime!”, ka thënë Tahiri.

Lidhur me këtë, analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Tahiri nuk ka bërë asgjë për dialogun me Serbinë. Sipas tij, Serbia në Ballkan është e dëshmuar me hegjemoni politike, por kurrë ekonomike, sepse dominime për këtë bëjnë vetëm vendet që kanë det.

“Ish-negociatoren e Kosovës Edita Tahirin në bisedimet Kosovë-Serbi e njohin dhe e dinë mirë qytetarët e Kosovës, se, përveç fjalëve të qeta, të ngadalshme e të kota asgjë s'ka bërë më shumë me rastin e dialogut me Serbinë, më shumë reklamonte veten sesa Kosovën. Edita Tahiri e di shumë mirë se "tregu i përbashkët evropian" për Kosovën do bëhet atëherë kur Kosova do pranohet në Unionin Evropian, pasi Kosova është larg BE-së është e detyruar të bashkëpunojë me tregun e shteteve rreth e përqark saj. Zonja Tahiri thotë se: "Serbia mund të kthehet në hegjemoni ekonomike në Ballkan" po, Serbia është e dëshmuar në Ballkan me hegjemoni politike e kurrë ekonomike, dominime ekonomike ballkanike kanë bërë, bëjnë e do bëjnë ata shtete që kanë det”, theksoi ai.

Ai ka shtuar se me fuqi ekonomike konsiderohen ato shtete që kanë det, e në këtë rast jo Serbia sepse nuk ka det dhe konsiderohet pa forcë ekonomike, prandaj nuk mund as të dominojë në Ballkan para shteteve që kanë det, por vetëm është e varur nga këto shtete.

“Në botë shtete të fuqishme ekonomike konsiderohen ata që kanë det, e jo Serbia pa kurrfarë deti. Politika moderne e sotme i konsideron shtete të fuqishme ato që kanë det, shtetet që nuk kanë det konsiderohen të varfra e pa farë force ekonomike. Serbia nuk mund të dominojë ekonomikisht në Ballkan para Kroacisë me bregdetin e saj fantastik, para Malit të Zi, para Shqipërisë me dy dete, Adriatikun dhe Jonin, para Turqisë me tre dete rreth e përqark. Tregtia e Serbisë do varet para këtyre shteteve detare e jo ata prej Serbisë. Lypëse e tregtisë në Ballkanin Perëndimor do të jetë e do të bëhet vetëm Serbia e askush prej shteteve tjera te Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Sulejman Mehazi për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat