Kryeministri Albin Kurti, pritet të takohet të mërkurën, me Presidenti francez Emmanuel Macron.
Kjo është vizita e parë e Kurtit në Paris, që nga zgjedhja e tij si Kryeministër i vendit.
Vizitën e kryeministrti Kurti e ka komentuar për “Bota sot” analisti politik Adem Bytyçi, i cili ka thënë se në atë takim dihet se Kurti do të kërkojë ndihmë nga presidenti Macron për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Bytyçi thotë po ashtu se Kurti do t’i shpjegojë Macron-it se e ka të pamundur të pranojë Asociacionin e komunave serbe.
“Franca tradicionalisht ka qenë mike e Serbisë, nuk mund të thuhet me saktësi se cili do të jetë qendrimi i Presidentit Macron ndaj negociatave Kosovë - Serbi, ani pse Franca e ka pranuar pavarësinë e Kosovës. Ajo që dihet është se z. Kurti, do t'i kërkojë z.Macron që Franca të ndihmojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe gjithësesi do t'i shpjegojë presidentit francez pse Kosova e ka të pamundur për të pranuar Asociacionin e komunave një etnike serbe në Kosovë sipas versioni të shtetit serb me kompetenca ekzekutive, sepse Kosova është shtet multi-etnik që do të thotë se në Kosovë jetojnë edhe minoritetet tjera etnike e jo vetëm minoriteti serb”, ka thënë analisti.
Sipas tij, nga kjo vizitë nuk mund të pritet diçka e madhe për Kosovën.
“Sido që të rrjedhin bisedimet në këtë takim të Kryeministrit Kurti me z. Macron, nuk mund të pritet diqka e madhe për Kosovën. Ajo që mbahet mend në vizitën e fundit të z. Macron në Serbi, Franca dhe Serbia nënshkruan dy marrëveshje me rëndësi ekonomike dhe ushtarake në shenjë bashkëpunimit bilateral”, përfundon Bytyçi për “Bota sot”.