Ditëve të fundit, Malcolm Simmons, ish-gjykatësi i EULEX-it, ka marrë vëmendje të madhe me deklaratat e tij për misionin e EULEX-it në Kosovës.
Simmons befasoi me letrën e hapur për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtit, në të cilën kërkoi që të raportojë në Kuvend për skandalet dhe gjykimet e padrejta nga EULEX.
Mirëpo, letrës së ish-gjykatësi i EULEX-it, nuk iu është përgjigjur ende kryeministri Kurti.
Lidhur me këtë çështje, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani në një prononcim për gazetën “Bota sot”, potencoi se duhet të merren parasysh deklaratat e ish-gjykatësit në EULEX-it, Malcolm Simmons.
Pasi, sipas tij, zbardhja e detajeve mbi misionin e EULEX-it është një gjë pozitive, pasi këta të fundi kanë marrë buxhet nga taksapaguesit evropian.
“Është me rëndësi që Simmons të dëgjohet çfarë ka ndodhur, pamarrë parasysh arsyet e tij që do të thotë atë që e mendon. Është pozitive të zbardhet ndonjë detaj apo më shumë detaje të këtij misioni, që ka marrë buxhet nga taksapaguesit evropian”, deklaroi Burjani.
Tutje, juristi tha se institucionet e Kosovës duhet t’i dëgjojnë arsyet e Simmonsit për adresimin e kësaj teme.
Madje, ai kërkoi nga Bashkimi Evropian që të hartojë një raport të veçantë për skandalet e misionit të EULEX-it në Kosovë.
“Arsyet janë të ndryshme për këtë adresim qe e dëshiron Simmons ta bëj, tash është në duart e institucioneve të Kosovës të vendos se a do ta dëgjojë atë apo jo, ose duhet BE të hartojë raportin për skandalet e këtij misioni në Kosovë gjë që varet nga BE e jo nga Kosova”, përmbylli Blerim Burjani.